Soreca: “OSBE/ODIHR tha se zgjedhjet ishin të rregullta”. Institucionet e drejtësisë të hetojnë parregullësitë

Kreu i delegacionit të BE në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca, ishte sot në Durrës ku foli për zgjedhjet e 25 prillit dhe akuzat për krime zgjedhore.

Soreca u shpreh se OSBE/ODIHR tha se zgjedhjet ishin të rregullta e pa probleme.

Soreca tha se administrata zgjedhore dhe institucionet e drejtësisë duhet të hetojnë parregullësitë, në mënyrë që sipas tij, të mësojmë se çfarë funksionoi dhe çfarë jo më 25 prill.

“Jo vetëm unë, por edhe shumë kolegë të tjerë të delegacionit të BE por po ashtu edhe kolegë të tjerë nga komuniteti ndërkombëtar kemi marrë pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve, jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por edhe më pas, pra pas mbylljes së QV dhe gjatë procesit të numërimit. Objektivi ynë ishte që të ndiqnim dhe monitoronim procedurën zgjedhore që po ndiqej, por po ashtu të shinim se Kodi Zgjedhor ashtu siç ishte ndryshuar po vihej në zbatim ashtu siç duhej”, tha Soreca.

“Siç e dini në fakt edhe nga raporti që ka nxjerrë OSBE/ODIHR, por edhe konferencën për shtyp që ata bënë, pra gjetjet e tyre paraprake, ata thanë se zgjedhjet në Shqipëri sivjet, ishin me një fjalë apo më saktë me një epitet që në anglisht thuhet “orderly” ose në shqip në mënyrë të rregullt ose më saktë pa probleme. Në fakt ata thanë po ashtu që menaxhimi nga administrata zgjedhore ka qenë pozitiv.

Ajo që kemi parë ne nga projektet të cilat ne kemi lançuar dhe ajo që na thonë ato që kanë monitoruar sipas këtyre projekteve, është në fakt që në QV të ndryshme ka pasur përmirësime në krahasim me vitet e mëparshme”, theksoi Soreca.

“Është shumë e rëndësishme që tani të ndiqen nga administrata zgjedhore, por po ashtu dhe nga autoritetet gjyqësore të gjitha parregullësitë, të cilat pretendohet që janë kryer, të gjitha ato dosje që janë çuar të ndiqen të hetohen, të shikohen. Ne e dimë që kjo punë po ndodh. Ne po e ndjekim këtë proces nga afër”, u shpreh Soreca.

“Për ne është shumë e rëndësishme që puna e autoriteteve gjyqësore por edhe e administratës zgjedhore, jo vetëm të vijojë por edhe të përfundojë ashtu siç e parashikon edhe Kodi Zgjedhor”, tha Soreca.

“Pikërisht kjo është një punë e cila duhet të ndiqet dhe  përfundohet nga administrata zgjedhore, pra të shikohen të gjitha këto parregullësi. Besoj e dini se pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor edhe SPAK ka tashmë një mandat më të zgjeruar për të parë ato që janë quajtur krime zgjedhore. Është shumë e rëndësishme që kjo punë të vijojë ashtu siç duhet dhe të përfundojë”, u shpreh Soreca.