Thirrje për përgjegjësi nga Izraeli në sesionin e OKB-së për situatën e palestinezëve

Një sesion i posaçëm i Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut që mori në shqyrtim situatën në territorin palestinez u dominua nga thirrjet që Izraeli të mbahet përgjegjës për abuzimet e pretenduara. Asnjë vend evropian ose i Amerikës së Veriut nuk ishte në mesin e më shumë se 60 vendeve anëtare dhe vëzhguese që mbështetën kërkesën.

Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut Michele Bachelet hapi punimet duke përmbledhur ato që ajo i quajti ngjarje të tmerrshme që çuan në thirrjen e kësaj seance të posaçme. Ajo vuri në dukje se 242 palestinezë, duke përfshirë 63 fëmijë, u vranë nga sulmet izraelite në Gaza, dhe 28 palestinezë të tjerë, përfshirë pesë fëmijë, u vranë në Jeruzalemin Lindor.

Në të njëjtën kohë, komisionerja Bachelet njoftoi për një seri raketash të hedhura pa kriter nga Hamasi dhe grupe të tjera të armatosura palestineze nga Gaza që vranë 12 shtetas izraelitë, përfshirë dy fëmijë. Ajo tha se bombardimet e rënda nitën përleshjet 11-ditore mes Izraelit dhe palestinezëve.

Komisionerja shprehu keqardhje për numrin e madh të viktimave dhe dëmtimin e gjerë të infrastrukturës së Gazës. Ajo e mirëpriti armëpushimin e 21 majit, por paralajmëroi se nëse nuk zgjidhen shkaqet kryesore të kësaj dhune, shpërthimet vdekjeprurëse do të ndodhnin përsëri në të ardhmen.

"Duhet të ketë një proces paqësor të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës për të zgjidhur këto shkaqe thelbësore dhe për t'i dhënë fund pushtimit ... ndërkohë, unë përsëris thirrjen time ndaj Hamasit dhe të gjitha grupeve të armatosura të përmbahen nga përdorimi pa kriter i raketave dhe mortajave, dhe të mbajnë përgjegjësi", tha komisionerja Bachelet. "Dhe një herë, unë nxis Izraelin të sigurojë përgjegjësi në përputhje me detyrimet e tij sipas ligjeve ndërkombëtare humanitare dhe atyre të të drejtave të njeriut. "

Raportuesi special për situatën e të drejtave të njeriut në territorin palestinez Michael Lynk pranoi se sulmet pa kriter ndaj civilëve të ndërmarra nga Izraeli dhe Hamasi pothuajse me siguri shkelën ligjin ndërkombëtar humanitar. Por ai shtoi se dëmet e shkaktuara nga Hamasi në Izrael, nuk kanë të krahasuar me ato të shkaktuara nga forcat izraelite të mbrojtjes.

"Nëse nuk do të duhet të takohemi përsëri për një seancë tjetër të posaçme në një vit ose tre vjet... atëherë duhet të ndërmerren hapa vendimtarë tani për t'i dhënë fund plotësisht pushtimit", tha zoti Lynk.

Ambasadorja e Izraelit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë Meira Eilon Shahar akuzoi shumë vende në seancë për paraqitjen e një ekuivalence morale mes Izraelit, një demokraci që i përmbahet ligjit ndërkombëtar dhe Hamasit, një "organizate ekstremiste terroriste". Ajo tha se komisioni i OKB-së ishte i njëanshëm kundër Izraelit.

"Që nga fillimi i komisionit, 30 përqind e të gjitha seancave speciale kanë vënë në shënjestër Izraelin," tha ambasadorja Shahar. "Në vend që komisioni të jetë një zë moral, duke thënë qartë se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe të dënojë Hamasin për aktivitetet terroriste, ne kemi qenë dëshmitarë të një rituali ku Izraeli shënjestrohet dhe veçohet. Nuk merret parasysh se cilat janë faktet dhe cili është realiteti në terren”.

Pjesëmarrësit palestinezë në takim, megjithatë, u kërkuan anëtarëve të komisionit të miratojnë një projekt-rezolutë që bën thirrje që një komision të pavarur ndërkombëtar të hetojë të gjitha shkeljet e pretenduara të ligjit ndërkombëtar humanitar në territorin palestinez, përfshirë në Jeruzalemin Lindor dhe në Izrael./voa