U shpall non grata nga SHBA, Ish-kryeministri Berisha ngre padi për shpifje ndaj sekretarit amerikan Blinken

Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili një ditë më parë publikoi vendimin, në të cilin thuhej se ai dhe familja e tij janë shpallur “persona të padëshirueshëm” në SHBA, deklaroi se do të padisë në gjykatën e një vendi neutral Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për ato që i cilësoi si shpije ndaj tij. Ai tha se akuzat e ngritura nga sekretari Amerikan i Shtetit janë “shpifje publike” dhe për këtë tha se avokati i tij po përgatit padi.

Nuk ka njeri në Shqipëri apo në botë që mund të thotë se unë, jam po kam qenë i implikuar në një aferë të cfarëdoshme korruptive, prandaj dhe unë kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral, dhe të respektuar siç është Franca, që të ngrejë ndaj Antony Blinken një padi direkte për shpifje publike. Do të paditet nga Gjykata Korreksionale e Parisit, në të cilën është ngritur padia nga avokati im.”, tha ai.

Berisha tha se avokatët e tij në Francë do të ndjekin këtë çështje për të sqaruar akuzat që janë bërë në adresë të tij. Berisha tha se vendimi për padinë ishte i detyruar, pasi ishte një çështje dinjiteti.

Jam këtu për t’iu informuar për një vendim të pazakontë. Për arsye që janë tërësisht të pa njohura për mua, Sekretari Amerikan i Shtetit ka publikuar dje në mënyrën më të papritur, më shpifëse vendimin. Dua të theksoj se që kur kam filluar jetën time politike, por ju garantoj se që kur kam prekur rrogën e parë në borderonë e shtetit, e deri dje, nuk ka njeri në botë që mund të thotë se unë jam apo kam qenë i implikuar në një aferë të cfarëdoshme korruptive. Prandaj dhe unë kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar, sic është Franca, që të ngrejë ndaj z. Blinken një padi direkte për shpifje publike nga Gjykata e Parisit”, – tha Berisha.

Ish-kryeministri deklaroi se dokumentet kundër tij janë montuar në zyrën e kryeministrit Edi Rama. “Nëse sekretari i Shtetit do të paraqiste prova do të konsideroja çdo gjë, natyrisht jo prova të montuara në Tiranë në zyrat e Edi Ramës. Le të nxjerrin prova. Unë kam hapur gjyq e ti paraqesin para gjykatës. Ai është diplomati më i fuqishëm në botë unë qytetar privat, por besoj tek drejtësia. Unë kërkoja që paraqiteshin prova kundrejt meje, por një gjë e tillë nuk u bë, prandaj do të këmbëngul që të paraqiten prova në gjykatë”,– tha Berisha.
Berisha tha se padia e tij nuk është akt ndaj SHBA-ve, të cilat ai tha se mbeten të vlerësuara dhe partner strategjik, por një padi personale ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit.

Pyetur nga gazetarët nëse do të ngrejë padi edhe ndaj ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën Matthew Palmer, i cili pohoi në një intervistë për Zërin e Amerikës se z. Berisha ka “abuzuar me detyrën”, ish-kryeministri tha se do ta shqyrtojë një mundësi të tillë, por fillimisht tha se fokusi është tek padia për Blinken.
“Do ta shqyrtoj qëndrimin e e tij, por në një aspekt z.Palamer, mendoj unë dhe në fund të fundit ai është një zyrtar i lartë i DASH, i cili ka mbrojtur deklaratën e DASH. S’ka bërë gjë tjetër. Ajo është deklarata që thotë për kurrupsion….Do ta studioj edhe deklaratën e tij, por sot jam për atë deklaratë, që është bërë”, theksoi Berisha.
Ish-lideri historik i Partisë Demokratike theksoi se vendim i DASH i ka cenuar dinjitetin, por tha se do vijojë të bëjë përpjekjet e tij për të qartësuar çdo gjë që lidhet me akuzat, të cilat i quajti “shpifje publike”.
“Nuk ka gjë më të rëndëishmë për mua se marrëdheniet me SHBA, por mbi të gjitha është dinjiteti njerzor, dinjitetit është thelbi i njeriut të lirë, jam përpjekur gjithë jetën ta ruaj, më është cenuar si kurë më parë, por këtë do ta qartësoj deri në fund. Unë do të vendos dinjitetin tim në vend”, tha ai.

Ish-kryeministri Sali Berisha duke i konsideruar akuzat e Departamentit Amerikan të Shtetit si “akuza të gënjeshtra” tha se e ka paditur për shpifje në Tribunalin e Korrektionalit në Paris, sekretarin Antony Blinken.
Duke theksuar se as kundërshtarët më të egër në politikë nuk kanë ngritur këto akuza ndaj tij, z. Berisha theksoi se akuzat janë “një komedi dhe montazh politik” që kanë si qëllim për ta dëmtuar.
“Para dinjitetit nuk druhem para askujt në botë, do të vë dinjitetin tim në vend”, u shpreh ish-kryeministri
I pyetur nëse do të tërhiqet nga politika pas shpalljes “non grata” nga SHBA, ish-kryeministri tha se do ta merrte në konsideratë një gjë të tillë nëse do të ishin paraqitur prova.

“Se cilat janë fantazitë apo projektet e të tjerëve unë nuk e di. Unë shpreha këtë konsideratë dhe u informova për hapin që ndërmora”, tha z. Berisha.

Aludimeve në media se kryeministri, Edi Rama ka pasur informacion për një vendim të tillë nga DASH që prej vitit 2019, z. Berisha tha se kjo mund të ketë lidhje me qëndrimin e tij kundër idesë për ndryshimin e kufijve në Ballkan.
“Ka pasur një tendencë pas kundërshtimit që i bëra projektit të ndarjes së Kosovës dhe ndryshimit të kufijve”, tha lideri historik i PD.

Për qëndrimin e shprehur nga Lulzim Basha, ai tha se PD e kishte detyrim të mbante qëndrim pasi është pjesë e grupit parlamentar të asaj partie.

Kurse heshtjen e Presidentit Ilir Meta për vendimin e DASH ndaj tij, ish-kryeministri e cilësoi si një gjë “fare normale” duke shtuar se z. Meta “nuk ka asnjë lloj shkaku pse të prononcohet”.
Ish-kryeministri i Shqipërisë për periudhën 2005-2013 bëri edhe një koment lidhur me një bashkëqeverisje të mundshme PS-PD duke thënë se kjo do të ishte një “fatalitet për Shqipërinë”.

/argumentum.al