Vendimi i GJKKO: Ish-prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dënohet me 2 vite burg!

Gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Procesi ndaj tij u ndoq dhe nga vëzhgues të ambasadës amerikane.

“Burgun ta kryejë  në burg të sigurisë së zakonshme, menjëherë sapo të marrë formë të prerë”, u shpreh në seancë gjyqtarja Daniela Shirka.

Gjatë seancës së sotme nëpërmjet avokatit, Llalla kërkoi pafajësi, teksa e konsideroi akuzën ndaj tij si të stisur,

Gjatë mbrojtjes, Hazizaj tha se ata pranojnë vetëm një mosdeklarim, por e quan gabim njerëzor.

Bëhet fjalë për 7050 dollarët që Llalla nuk i ka deklaruar që korrespodojnë me kohën e Gjermanisë dhe sipas avokatit pranojnë mos deklarimin e tyre të shpenzuar në Gjermani, por e lidh me gjendjen emocionale të familjes dhe Llallës. Duke qenë se në atë kohë ka qenë në kushte emergjence familja për arsye të sigurisë dhe është detyruar të lëvizë.

2 rastet e tjera të mosdeklarimit mohohen nga Llalla.

Avokati i tij tha se çështja është e paragjykuar e padrejtë dhe e stisur.

Të gjithë mbrojtjen e avokatit, Llalla e konfirmoi vetëm duke thënë: Jam dakord me avokatin.

Prej shkurtit 2018, Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.