BE përsëri në “ujërat“ e Ballkanit Perëndimor- presion amerikan apo vetëdijësim i Brukselit?

Mitko Arnaudov*

Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç me (kryeministrin e Kosovës. Shën. i përkth) Albin Kurtin me datë 15 qershor do të vazhdojnë dialogun në Bruksel, ndërsa në agjendën e presidentit Xhozef Bajden në Europë është edhe „angazhimi i përbashkët dhe i përforcuar i SHBA dhe BE në Ballkanin Perëndimor”.

Po ashtu, në darkën e përbashkët të presidentit francez Emanuel Makron me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev u nënvizua: “Vendi juaj meriton të fillojë bisedimet me BE. Është koha ta konkretizojmë vendimin që kemi marrë. Jam këtu për të gjetur një zgjidhje me Bullgarinë”, tha Makroni duke befasuar kështu shumë veta duke po të kemi parasysh faktin se pikërisht ai para dy vjetësh bllokoi fillimin e bisedimeve për antarsim  të Brukselit me Shkupin dhe Tiranën.

Kur është fjala për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, Uashingtoni kërkon angazhim të përforcuar të SHBA-ve dhe BE-së në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, ndërkohë që mediat shkruajnë se “nëse është e nevojshme” shefi i diplomacisë së BE- së Zhozef Borell në samitin BE-ShBA do të konsultohet me Xhozef Bajdenin mbi ecurinë e bisedimeve mes Vuçiçit dhe Kurtit.

E gjithë kjo të bën të mendosh për një rol të ri prej mentori të drejtuar nga Uashingtoni, përkundër asaj që pohohet se, gjithsesi BE-ja është ndërmjetësi kryesor, por nga ana tjetër e gjitha kjo që duket në këtë moment edhe disi mistike shtron edhe pyetjen: nëse Uashingtoni, përsëri nëpërmjet Prishtinës, “kthehet me të madhe” në Ballkanin Perëndimor dhe sa do të ndikojë në ecurinë e, nëse në këtë moment mund  të flitet për një të këtillë, dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

Nga ana tjetër, befas presidenti bullgar Rumen Radev, i pyetur gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit Europian Davide Sassoli, nëse Sofja në Këshillin e ardhshëm të BE-së do të bllokojë rrugën e Shkupit për fillimin e bisedimeve për antarsim  në BE, përgjigjet se vendi i tij parimisht dhe në mënyrë koherente mbështet integrimin europian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por pa saktësuar më shumë.

Të mos harrojmë se kjo njëkohësisht do të thotë edhe hapje e rrugës për Shqipërinë sepse, gjithsesi ky vend pret që Shkupi dhe Sofja të merren vesh mes tyre, në mënyrë që pastaj dorë për dorë me vëllezërit maqedonas të ecë në drejtim të Brukselit.

Ky definitivisht është një kapitull i ri në marrëdhëniet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Nëse kjo është e shkaktuar nga vizita e Bajdenit në Europë, kjo mbetet për tu parë. Sepse gjithsesi vazhdon të mbetet e hapur çështja se sa është vërtetë i interesuar Brukseli për integrimin e përshpejtuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor; ndërsa, nga ana tjetër, sa është në të vërtetë integrimi europian i Ballkanit Perëndimor interes thelbësor i Shteteve të Bashkuara dhe sa Brukseli, me cilësinë e “vëllait më të ri dhe më të pastabilizuar” do të pranojë orientimet e Uashigntonit në bashkësinë euroatlantike, duke anashkaluar në këtë çështje interesat e qytetarëve rë BE-së.

Gjithsesi kjo do të jetë një verë e nxehtë në Ballkanin Perëndimor, me pritmëri të shumta, por edhe më zhgënjime të shumta njëkohësisht. Sepsa ka shumë gjëra që duhen zgjidhur, ndërsa koha është gjithnjë e më e pakët, dhe popujt në Ballkanin Perëndimor gjithnjë e më të paduruar- si fjala më e mirë dhe më korrekte politike në këmbim të të gjithë problemeve me të cilat përballen qytetarët e këtushëm.

Sepse, ndoshta proceset në Ballkanin Perëndimor do të jenë aktiviteti i parë “i madh” i politikës së jashtme të Bajdenit, dhe se sido që të jenë rezultatet, përfshirë ndoshta edhe pasojat, për shtetet në rajon, kjo kurrsesi nuk mund ta dëmtonte administratën aktuale amerikane, as së afërmi sesa do të ishte rasti me zgjidhjen e problemeve të hapura në Lindjen e Afërt, në Azi apo me Federatën Ruse.

Sidoqoftë, ky do të jetë përfundimisht një sinjal mbi atë se çfarë mund të pritet në dy vitet e ardhshme,  kohë derisa Bajden të hyjë përsëri në fushatën  presidenciale të vitit 2024, kohë në të cilën Amerika do tu kthehet përsëri “problemeve të shtëpisë”.

 *Mitko Arnaudov është gazetar në Agjensinë serbe të lajmeve “Tanjug”

https://demostat.rs/sr/vesti/dijalog/eu-ponovo-u--vodama--zapadnog-balkana---americki-pritisak-ili-otreznjenje-brisela/1196

© Argumentum.