Dhoma e Tregtisë kërkon shtyrje të procesit të fiskalizimit, të mbështeten sipërmarrjet për kostot

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë (DHTI), në komentin që ka bërë për aktin normativ që parashikon heqjen e gjobave për fiskalzimin, ka kërkuar shyrjen e këtij procesi.

Në mendimin që Dhoma ka dhënë për projektligjin, shprehet dakord në parim për këtë shtesë të projektligjit, pasi nisur nga qëllimi i tij, ai bëhet për të mos penalizuar komunitetin e biznesit në këtë proces implementimi të kësaj reforme.

Por, Dhoma kërkon që për mbështetjen real të komunitetit të biznesit në përshtatjen sa më të shpejtë dhe sa më të mirë me këtë sistem elektronik /reforma e re e fiskalizimit, domosdoshmërish nevojitet: Shtyrja e afateve ligjore në zbatimin e kësaj reforme dhe në veçanti për fazat e parashikuara sipas ligjit. 

Ashtu siç kanë vepruar shumë vende evropiane, periudha e testimit të platformës të faturës elektronike do të duhet domosdoshmërish të shtyhet. Është shumë e rëndësishme jo vetë që të mos aplikohen penalitete, por të evidentohen problemet dhe të mbështeten sipërmarrjet  në përballimin  e kostove për kualifikimin e stafit që do të aplikojë në platformën e faturave  elektronike.

Adoptimi i programeve të reja kompjuterike, mirëmbajtja e sistemit, kostot dhe periudha e trajnimit të stafit brenda kompanisë, ashtu edhe vetë testimi i platformës së faturës elektronike, forcon bindjen tek sipërmarrja  nevojën për shtyrjen e afateve ligjore për zbatimin e kësaj reforme, përtej vitit 2021, thuhet në mendimin e Dhomës.

Në 1 korrik pritet fillimi i fazës së dytë të procesit të fiskalizimit për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, ku pritet të përfshihen 51 mijë subjekte.

Nga 1 shtatori, procesi përfshin transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar.

Ministrja e Financave Anila Denaj deklaroi së fundi se procesi nuk do të shtyhet, pavarësisht kërkesave të bizneseve. Ministria e Financave ka propozuar një akt normativ në ligjin për procedurat tatimore për mos aplikimin e dënimeve administrative deri në 31 dhjetor 2021.

Akti normativ propozon që, dënimet administrative të parashikuara në nenin 122 “Shkeljet për mosregjistrimin e të dhënave të subjekteve që lëshojnë fatura”, nenin 123 “Shkeljet për moslëshimin e faturave dhe të faturave shoqëruese”, nenin 124 “Shkeljet në procedurën e fiskalizimit të faturave dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, nenin 124/2 “Shkeljet në procedurën e lëshimit, dërgimit dhe pranimit të e-Faturës”, nenin 125 “Mosmarrja e faturës”, nenin 128/1 “Dënime të tjera” dhe në shkronjën d), të nenit 129 “Dënimet për tatimpaguesit, që janë banka apo institucione financiare”, të mos aplikohen deri më 31 dhjetor 2021./Monitor