Gjermania, Bashkimi Evropian dhe Zvicra lançojnë Programin e ri për Performancën dhe Investimet në Sektorin e Ujit

Ky program i përbashkët midis Gjermanisë, Bashkimit Evropian (BE) dhe Zvicrës do të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizime për më shumë se gjysmën e popullsisë urbane të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kamëz së bashku me Ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, Ambasadorin Gjerman Peter Zingraf dhe Ambasadorin e Zvicrës Adrian Maître për të lançuar një program të ri për performancën dhe investimet në sektorin e ujit. Me një investim që kap shifrën e 125.6 milionë eurove, Programi për Performancën dhe Investimet në Sektorin e Ujit (WPIP) është programi më i madh i këtij lloji në Shqipëri.

“Ky është një program shumë i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë, ofrimi i shërbimit të ujit 24/7. E veçanta e këtij programi është fakti se investimi është i kushtëzuar. Ju duhet të keni kapacitetin për të përfituar investimin”,  deklaroi Kryeministri Rama.

Më tej Kryeministri Rama shtoi: “Në vend të ndërmarrjeve të fragmentuara ne duhet të mendojmë për krijimin e një kompanie të madhe uji me aksionerë”.

“Politikat për mjedisin dhe klimën janë prioritete kryesore të BE-së për Komisionin Evropian. Iniciativa "European Green Deal", e prezantuar vitin e shkuar është simboli i përpjekjeve të BE-së për të qenë kontinenti i parë në botë neutral në aspektin klimaterik brenda 2050 si edhe një lider botëror në mbrojtjen e mjedisit, ekonomisë qarkulluese dhe teknologjive të pastra. Ky program do të sjellë ujë të pijshëm dhe kushte sanitare e mjedisore më të mira për qytetarët shqiptarë, do të ndihmojë Shqipërinë t’i afrohet edhe më shumë BE-së duke u mbështetur në praktikat më të mira evropiane dhe për t’u përafruar sa më shumë me legjislacionin evropian ndërkohë që bashkëpunon ngushtë me Gjermaninë/KfW-në, Zvicrën dhe Shqipërinë”, tha në fjalën e tij Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian Luigi Soreca.

Ambasadori Gjerman Peter Zingraf shprehu kënaqësinë e tij për programin e ri dhe shtoi: “Mekanizmi i investimeve të bazuara mbi performancën, i zhvilluar së bashku me partnerët tanë shqiptarë rezultoi të ishte një përafrim i suksesshëm. Në partneritet të ngushtë me BE-në dhe Zvicrën, Programi për Performancën dhe Investimet në Sektorin e Ujit do të ngrejë këtë përafrim në një nivel tjetër, për të mirën e e popullatës së qyteteve ku shtrihet programi.”

“Ky program i ri mbështetës do të kontribuojë për të rritur më tej perfomancën si dhe për më shumë investime në sektorin e ujit. Ajo që kemi mësuar nga bashkëpumi prej më se dy dekadash është se investimet vetëm në infrastrukturë nuk mjaftojnë: nevojitet gjithashtu që të forcohen ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve dhe institucionet e tjera që lidhen me to, në mënyrë që të mund të menaxhojnë veprimtarinë e tyre dhe të japin shërbime sa më efikase”, tha Ambasadori Zviceran Adrian Maître.

Në këtë aktivititet u inaugurua edhe ndërtesa e administratës së Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Kamëz si investimi i parë i programit të ri.

Ky program ka për qëllim të sjellë një impakt sistemik duke kombinuar shërbimet dhe performancën financiare të ndërmarrjeve të ujësjellësave në nivel lokal me forcimin e kushteve kuadër në nivel sektorial, duke qënë në një linjë me standardet evropiane. Ky program do të përmirësojë infrastrukturën, performancën financiare dhe mirëmenaxhimin e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve dhe do te rrisë mbrojtjen e mjedisit si dhe përshtatshmërinë e qytetit të Lezhës për t’u mbrojtur nga përmbytjet.

Programi parashikon investime të reja në infrastrukturën e furnizimit me ujë dhe kanalizime për qytetet e Beratit, Elbasanit, Fierit, Kamzës, Lezhës, Shkodrës dhe Vlorës. WPIP është menduar të jetë një mekanizëm afatgjatë investimesh për të mbështetur përmirësimin e performancës në sektorit e ujit dhe përgatitjen për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Një tjetër risi e këtij programi është dhe përafrimi gjithëpërfshirës që ai mundëson, duke lidhur sektorin e ujit me zhvilimin ekonomik, social, mjedisor dhe territorial. Parashikohet që afërsisht 600,000 banorë në zonat urbane të përfitojnë nga ky program.

Bashkëpunimi i mëparshëm midis Gjermanisë dhe Zvicrës ka rezultuar i sukseshëm duke mundësuar përmirësimin e furnizimit me ujë dhe trajtimin e ujërave të ndotura në Pogradec, Shkodër dhe Lezhë.

/argumentum.al