INSTAT: Ekonomia u rrit me 5,53 % në tremujorin e parë të 2021

Ekonomia shqiptare shënon për të dytin tremujor radhazi rritje, duke konfirmuar projeksionet pozitive për rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik pas  efekteve goditëse të shkaktuara nga pasojat e tërmetit të nëntorit 2019 dhe të pandemisë që preku vendin në mars 2020.

INSTAT bën të ditur se ekonomia shqiptare u rrit me 5,53 % në tremujorin e parë të vitit 2021.

Sipas INSTAT, rritja ekonomike u mbështet nga kontributi i sektorëve të industrisë me 2,56 %, i ndërtimit me 1,09 % dhe arsimit e shëndetësisë me 0.97 %.

Aktiviteti i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit pati një rritje me 0,09 %; aktiviteti i industrisë, energjisë dhe ujit pati një rritje me 23,81 %; aktiviteti i ndërtimit pati një rritje me 16,87 %; grupi i aktiviteteve tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor pati një rënie prej 0,93 %.

INSTAT bën të ditur se, komunikacioni u shfaq me rritje prej 4,94 %; aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 16,94 %; aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 8,65 %; grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 3,14 %; grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 7,45 %; grupi i aktiviteteve arte, argëtim dhe çlodhje; grupi i aktiviteteve të tjera të shërbimit pati një rritje me 7,79 %.

Sipas komponentëve kryesorë të kërkesës agregate, ecurinë më pozitivë këtë tremujor e shfaqën sërish investimet, të lidhura sidomos me procesin e rindërtimit dhe aktivitetin e ndërtimit në përgjithësi.

INSTAT thekson se konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 1,49 %, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0,66 %, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 7,55 %.