Kina është Fuqi e Madhe e Domosdoshme Konstruktive për Njerëzimin

Genc Mlloja

E gjithë bota, Evropa dhe bashkë me ta Kina kanë ndryshuar në mënyrë dramatike, të gjithanshme dhe fondamentale, e veçanërisht kriza e pandemisë kovidiane e ka tronditur bashkësinë ndërkombëtare nga themelet. Si drita që është pasqyra për të parë realitetin qartë siç është njerëzimi ndodhet në një situatë kur të gjithë vendet e popujt qofshin të mëdhenj, të mesëm apo të vegjël, apo grupime politike dhe ekonomike të vjetra ose të krijuara rishtas janë në kërkim të strategjive dhe taktikave të reja për të kapërcyer qorrsokakun e tanishëm. Çdo përpjekje e kujtëdo vendi apo grupimi politiko-ekonomik për të ‘risistemuar’ kalendaret botërore në konturet e dekadava të mëparshme të viteve 70-80 janë thjeshtë revan drejt askundit ose më mire më thënë drejt dështimit të tyre me naivitet. Askush nuk duhet të harrojë mësimet e historisë sado të hidhura: ngritja dhe rënia e perandorive!

Duke folur sinqerisht dhe me aspak nuancë propagandistike, kurrë ndoshta më parë Kina nuk ka qenë kaq e vlerësuar sa sot, roli i saj nuk ka qenë si aktualisht përcaktues, vendimtar dhe madje shpëtimtarë në rrjedhën e zhvillimeve botërore në të gjitha fushat si ne politikë, ekonomi, shëndetësi, luftën kundër varfërisë, mbrojtjen e paqes me forcat paqeruajtëse të OKB-së apo mbrojtjen e ambjentit. Asnjëherë kancelaritë më të mëdha botërore apo mjetet e tyre mediatike më parë nuk kanë shtruar pyetje të tilla për gjërat më madhore globale dhe sensitive rajonale: “Po Kina ç’thotë, ç’farë mendon Pekini, si arriti të sistemojë shtëpinë e përbashkët të njerëzimit në Mars, po më pas”? Dhe gjithnjë e më shpesh e konkretisht dhe me frymën bashkëpunuese i kanë marrë përgjigjet e duhura, të cilat kanë gjetur vlerësim pozitiv. Pikërisht kjo frymë, kjo moto nën devizën e multilateralizmit kanë bërë që roli i diplomacisë kineze sa vjen e rritet i shprehur në një intensifikim të pashembullt të veprimtarive shumëpalëshe apo bilaterale në mbarë botën duke e kthyer Pekinin në pikë kyçe graviteti.

Meqenëse më duken shumë aktuale dhe realiste po i referohem konstatimeve të ish- ministrit gjerman të mbrojtjes Rudolf Scharping, i cili në një intervistë me 1 qershor 2021 i deklaronte CGTN-së: “Kam vëzhguar zhvillimin e Kinës që nga vitet 1980. Dhe gjithmonë kam kuptuar se ajo është konstruktive në pikat globale dhe në sfidat globale. Dhe Kina ka bërë një ringjallje të pashembullt gjatë 40 viteve të fundit, veçanërisht që nga hapja dhe modernizimi i udhëhequr nga Ten Hsiao Pin. Kështu që faktikisht, do të thoja se Kina është një fuqi konstruktive në planetin tonë. Dhe meqë ra fjala, është një fuqi e domosdoshme në globin tokësor, sepse të gjithë sfidat globale që po ndeshim si njerëzim mund të zgjidhen vetëm me bashkëpunim, dhe kjo përfshin Kinën”. Sipas tij, kancelarët gjermanë Helmut Kohl, Helmut Schmidt, Gerhard Schroder, Angela Merkel kishin kuptuar shumë mirë si të trajtonin Kinën, dhe çështjet politike, ekonomike dhe të tjera.

“Dhe ata e kishin kuptuar. Dhe kjo është këshilla ime për të kuptuar në të ardhmen të gjithë spektrin e lidhjes. Nuk është vetëm tregtia. Tregtia është e rëndësishme, po. Por janë investimet. Është bashkëpunimi teknologjik. Është bashkëpunimi midis universiteteve. Është partneriteti ndërmjet qyteteve dhe kështu me radhë,” vinte në dukje ish- ministri gjerman i mbrojtjes.

Nuk e përmenda rastësisht citimin e mësipërm, por kam përshtypjen se si Kina ashtu edhe Gjermania, të cilët do të përkujtojnë vitin tjetër 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, treguan me rezultatet e raundit të 6-të të konsultimeve ndër-qeveritare Kinë-Gjermani të drejtuara bashkërisht nga Kryeministri Li Keqiang dhe Kancelarja Angela Merkel nëpërmjet lidhjes video më 28 prill 2021 se të dy vendet kanë arritur stadin e partnerëve strategjikë. Shumë domethënës një fakt: drejtues të 25 departamenteve të të dy vendeve, duke përfshirë diplomacinë, ekonominë e tregtinë, drejtësinë, financat, industrinë, transportin, arsimin, shkencën dhe teknologjinë, shëndetësinë, bujqësinë, mbrojtjen e ambjentit dhe të sigurimit social u raportuan Li Keqiang and Merkel. Të dy vendet nënshkruan një spektër të gjerë marrëveshjesh bashkëpunimi në fusha të ndryshme, që përfshijnë shëndetësi e kërkime shkencore deri tek transporti. Të dy palët e quajtën rolin e mekanizmit ndër-qeveritar të konsultimeve, i cili funksionon prej 10 vitesh, një ‘super lokomotivë’ të bashkëpunimit kino-gjerman. E duke folur me gjuhën e fakteve konkrete Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë me një volum prej 212 miliard eurosh në vitin 2020.

Sanksionet e kotësisë…

Por megjithë oshilacionet e Bashkimi Evropian dhe më së fundit veprimi lidhur me vendosjen e sanksioneve të njëanshme të miratuara nga ky grupim kundër Kinës në muajin mars jo vetëm që duken të çuditëshme por janë një zgjedhje e gabuar jo vetëm për faktin se çdo pretendim është pabaza dhe jashtë realitetit të gjërave, që janë të qarta tashmë, por për më tepër janë të dala boje si informacione të rreme; mbi të gjitha koha e zgjedhur do të jetë boomerang mbi autorët në rast mos reflektimi.

Këshilltari i Shtetit i Kinës dhe ministri i Jashtëm Wang Yi nënvizoi më 30 maj 2021 se pozicionimi i vetëm i duhur i lidhjeve Kinë-Evropë duhet të jetë partneriteti gjithëpërfshirës strategjik. Wang e tha këtë në një konferencë për shtyp pas takimit me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Peter Szijjarto në qytetin Guiyang në pjesën jugperëndimore të vendit. Szijjarto bëri një vizitë në Kinë nga 29 deri më 31 maj 2021. Tregtia e dyanshme midis Kinës dhe Hungarisë është rritur 64.7 përqind gjatë tremujorit të parë të këtij viti, kurse investimet kineze në Hungari kanë vazhduar të rriten dhe Hungaria është bërë destinacioni numër një i Kinës në Europën Qendrore dhe Lindore (EQL).

Por Hungaria nuk gjen fjalë për të falënderuar Pekinin për furnizimin me vaksinat COVID-19, të cilat, sipas Szijjarto, kanë ndihmuar në mbrojtjen e jetës së popullit hungarez. E besoj vlerësim më i madh nuk ka si bëhet: mbrojtje e jetës së popullit kur të tjerët fshehën kokën! Por, sipas ministrit, Hungaria dëshiron të jetë pjesë e bashkëpunimit teknologjik për prodhimin e vaksinave kineze në fabrikat hungareze. "Ne kemi përfituar shumë nga marrëdhëniet dypalëshe miqësore me Kinën", tha Szijjarto, duke shtuar se Nisma ‘Një brez, një rrugë’ dhe bashkëpunimi midis Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (CEEC) janë mjete të dobishme për zhvillimin hungarez. "Hungaria do të vazhdojë të promovojë të dy platformat në Europë", vuri në dukje ai.

"Asnjë forcë nuk mund të ndryshojë ritmin e kohës"

Duke folur për marrëdhëniet BE-Kinë në konferencën e përbashkët për shtyp me partnerin kinez, Szijjarto tha se "është në interesin e qartë të BE-së të ndërtojë një marrëdhënie pragmatike me Kinën dhe është gjithashtu në interesin tonë të përmirësojmë marrëdhëniet dhe ne do të bëjmë më të mirën për t'i përmirësuar ato".

Pikërisht duke patur parasysh paradigmën e ‘marrëdhënieve pragmatike’ shefi i diplomacisë kineze vuri në duke, nga ana e tij, në prani të ministrit hungarez se vendimi i BE-së sfidon sovranitetin kombëtar dhe dinjitetin kombëtar të Kinës dhe qeveria kineze ka të drejtë të bëjë një përgjigje legjitime dhe të nevojshme. "Gjendja e tanishme e vështirë në marrëdhëniet kino-evropiane nuk është ajo që Kina dëshiron të shohë dhe është plotësisht në kundërshtim me interesat themelore dhe afatgjata të të dy palëve".

Sidoqoftë, Wang shprehu besim në perspektivën e lidhjeve Kinë-Evropë duke thënë se bashkëpunimi dypalësh është testuar nëpër dekada stuhish dhe është rrënjosur në një themel të fortë të opinionit publik, interesa të gjëra të përbashkëta dhe aspirata të ngjashme strategjike.

Ai shtoi se marrëdhëniet Kinë-Evropë kanë treguar qëndrueshmëri dhe potencial të fortë dhe janë në përputhje me hapin e kohës. "Askush dhe asnjë forcë nuk mund të shkojë kundër ose të ndryshojë hapin e kohës".

Ndërkohë në kuadrin e intensitetit të rritur diplomatik në fund të muajit maj 2021, Wang priti edhe homologët e tij nga Irlanda, Polonia, dhe Serbia në Guiyang në takimet e para kokë më kokë midis Kinës dhe ministrave të jashtëm evropian këtë vit. Në përfundim të takimeve, ministri i Jashtëm kinez tha se ishte një komunikim strategjik midis Kinës dhe Evropës përballë gjendjes dhe sfidave të reja, duke shtuar se u arrit konsensus i gjerë.

“Ne të gjithë besojmë se forcimi i dialogut dhe bashkëpunimit në epokën post-epidemike duhet të jetë një zgjedhje e përbashkët për Kinën dhe Evropën," u tha Wang gazetarëve pas takimeve. Ai shtoi se qasja e duhur duhet të jetë zhvillimi i dialogut konstruktiv, rritja e mirëkuptimit të ndërsjellë, eliminimi i dyshimeve dhe keqkuptimeve, zgjerimi i vazhdueshëm i konsensusit, përqendrimi i bashkëpunimit të ndërsjellë e i dobishëm dhe promovimi i zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-Evropë me premisën e respektimit të fakteve bazë.

Si konkretizim i materializimit të lidhjeve midis Kinës dhe Evropës, në rastin e konkret me Hungarinë, më 27 maj 2021 u njoftua se aeroplani i fluturimit FM7035, i mbushur me furnizime për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, produkte të përdorimit të përditshëm dhe mallra të tregtisë elektronike ndërkufitare, u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar "Lishe" i Ningbos në provincën Zhejiang të Kinës Jugore dhe arriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Budapestit "Ferenc Liszt" në Hungari po atë ditë. Kjo shënon fillimin zyrtar të linjës së transportit të mallrave Ningbo-Budapest, që është gjithashtu linja e parë e drejtpërdrejtë e transportit të mallrave e hapur nga aeroporti i Ningbos për në qytetet e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Në vitet e fundit, tregtia e Ningbos me Evropën Qendrore dhe Lindore, veçanërisht Hungarinë, është zhvilluar me shpejtësi. Nga janari deri në prill të këtij viti, vëllimi i import-eksportit të Ningbos me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore ishte 11.96 miliardë juanë, 48.8 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, nga të cilat importet u rritën me 241.2 %, duke shënuar rekord. Hungaria aktualisht është vendi i pestë më i madh për sa i përket tregtisë midis Ningbos dhe Evropës Qendrore dhe Lindore. Hapja e linjës së transportit të drejtpërdrejtë ajror të mallrave patjetër do të ndihmojë në shndërrimin e Ningbos në "Zonë të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar Kinë-Vendet e EQL-së".

Irlanda aspiron të bëhet porta e ndërmarrjeve kineze në tregun e BE-së

Sikurse e vumë në dukje edhe më sipër harku kohor i fund majit veç pranisë së disa ministrave të jashtëm është shoqëruar me veprimtari diplomatike kineze ne vende të tjera.

Por disa mendime mbi rezultatet e vizitës së ministrit irlandez të punëve të jashtme dhe mbrojtjes Simon Coveney i shikoj me interes. Wang tha në takimin me ministrin irlandez në qytetin Guiyang të Kinës Jugperëndimore, i pari ballë për ballë që kur Parlamenti Europian ngriu Marrëveshjen e Gjithanshme Kinë-BE mbi Investimet (CAI) të vulosur në fund të muajit dhjetor 2020, se bashkëpunimi pragmatik mes Kinës dhe Irlandës është bazuar në përfitimet dypalëshe. Sipas tij, Irlanda është një nga vendet e pakta në BE që ka ruajtur suficitin tregtar me Kinën për mbi dhjetë vjet me radhë. Wang Yi theksoi gjithashtu rëndësinë e respektit të ndërsjellë për rrugën e zhvillimit dhe ndryshimet në histori, kulturë, fazat e zhvillimit dhe sistemet shoqërore të të dy vendeve.

Kryediplomati kinez ritheksoi angazhimin e Kinës ndaj multilateralizmit e hapjes së tregut, duke bërë thirrje për shkëmbime dhe bashkëpunim në inovacionin teknologjik, bujqësinë me cilësi të lartë, dhe arsimin e lartë e kulturë.

Coveney, nga ana e tij, shprehu falënderime për ndihmën e Kinës në luftën kundër COVID-19. Ai vlerësoi lart marrëdhëniet dypalëshe, duke thënë që Irlanda është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me Kinën në sigurinë e internetit, aviacion, si dhe ndryshimet klimatike dhe paqeruajtje. Ai shtoi që Irlanda mirëpret investimet kineze dhe shpreson që të bëhet porta e ndërmarrjeve kineze në tregun e BE-së. Ai shprehu shpresën që të dyja palët do të njohin ndryshimet gjatë bashkëpunimit, për zgjerimin e konsensusit dhe shtimin e besimit, për të dhënë kontribut për bashkëpunimin dypalësh dhe për paqen e stabilitetin ndërkombëtar.

Veprimtaritë intensive diplomatike si dhe temat e diskutuara, përfshi edhe CAI, dëshmojnë nga ana e Kinës kursin e saj konstruktiv për bashkëpunim duke mbështetur gjithnjë një BE kohezive dhe të ekujlibruar, kurse nga ana e delegacioneve vizitore shprehej qartë shqetësimi se nuk janë në interes të popujve të Evropës pengesa në marrëdhëniet Kinë -BE, aq më shumë kur, sipas analistëve, duket influenca e presionit amerikan. Mirëpo vendet e ndryshme të BE-së si grupim ekonomik dhe politik nuk mund të jenë në një rrjesht në përpjekjet për të nxitur rikthimin tek fryma e sabotimit të bashkëpunimit me Kinën. Nuk është rasti i parë që ngjet kështu, ka patur situata edhe më të vështira e delikate por tani Evropa nuk e ka luksin ti zgjerojë frontet e ballafaqimit për interesat e askujt. Për shembull Lituania mund të largohet nga mekanizmi i bashkëpunimit Kinë-CEEC. Por me të vërtetë a mund të besojë një mëndje e kthjelltë se një veprim i tillë mund të trondisë themelet e një lidhje disa- vjeçare vendet anëtare të së cilës, sikurse edhe ministrat e jashtëm të Polonisë e Serbisë e konfirmuan në takimet me ministrin kinez këto ditë në qytetin Guiyang, shprehën vlerësimet për përfitimet reciproke që kanë patur prej këtij mekanizmi bashkëpunimi? Siç ishte ’16 +1’ dhe u bë ‘17+1’ me anëtarësimin e Greqisë në të ardhmen ky mekanizëm mund të bëhet ‘18+1’ a më shumë. Bota po ecën, bashkëpunimi shumëpalësh me përfitim reciprok është në zhvillim!

Kina shikon partneritet tek një "Britani globale"

Në situatat e reja që po kalon mbarë njerëzimi kur gjërat po ecin shumë shpejt plot dinamizëm për të kapur kohën e humbur nga pandemia dhe rikuperuar humbjet e pashembulltat që krahasohen me ato të Luftës së Dytë Botërore askund nuk ka statuskuo, nuk mbetet vend për boshllëk.

E konkretisht dua të sjell në vëmendje marrëdhëniet midis Kinës dhe Britanisë dhe të ardhmen e tyre kur ky vend tashmë është jashtë BE-së. Kina është e gatshme të bëhet partnere e një "Britanie globale", tha ministri i Jashtëm kinez në një bisedë telefonike të zhvilluar më 27 maj 2021 me homologun e tij britanik Dominik Raab.

Marrëdhëniet midis Kinës dhe Britanisë kanë një bazë të shëndoshë dhe forcë të madhe zhvillimi, ndërkohë, Kina i kushton gjithmonë vëmendje statusit dhe rolit ndërkombëtar të Britanisë, vuri në dukje kryediplomati kinez.

Duke pranuar ndryshimet që kanë dy vendet në histori, kulturë, fazat e zhvillimit dhe qëndrimet e tyre, Wang Yi theksoi rëndësinë e respektit të ndërsjellë e të dialogut të barabartë për të shtuar mirëkuptimin, hequr dyshimet, qartësuar faktet dhe dalluar të drejtën nga e gabuara.

Gjatë bisedës telefonike me homologun britanik, Wang gjithashtu shtjelloi qëndrimet e Kinës mbi çështjet e Hong-Kongut dhe të Xinjiang-ut, duke nënvizuar se "Një vend, dy sisteme" është politikë bazë kombëtare ku Kina do të këmbëngulë në mënyrë të pandërprerë dhe të palëkundur.

Çështjet e Xinjiang-ut kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit të dhunshëm, separatizmit dhe radikalizmit, vuri në dukje ministri i Jashtëm kinez, duke shtuar se "pala kineze mirëpret vizitorët e huaj ta vizitojnë Xinjiang-un për të njohur nga afër situatën reale, por nuk pranon të ashtuquajturat 'hetime' me prezumim të fajit".

Por cila është panorama e bashkëpunimit ekonomik midis të dy vendeve? Dhe në këtë mes çfarë është e re duket në njoftimin e Zyrës Britanike për Statistikat Kombëtare të fundit të majit të këtij viti sipas të cilit Kina ka tejkaluar Gjermaninë si tregu më i madh i importit të Britanisë së Madhe në tremujorin e parë të këtij viti,

Importet e mallrave nga Kina në Britani u rritën në 16.9 miliardë paund (rreth 23.95 miliardë dollarë) në tremujorin e parë, duke përbërë 16.1 për qind të importeve të përgjithshme të mallrave të vendit, dukshëm më lart se vendi i dytë, Gjermania me 12.5 miliardë paund (17.71 miliardë dollarë), shkruan “Xinhua”. Përveç kësaj, importet e mallrave nga Kina u rritën me 41.1 për qind midis janarit dhe dhjetorit 2020, të nxitura nga telekomunikacioni, pajisjet e zërit, tekstile dhe veshje, shtoi zyra.

Rritja e fundit e importeve nga Kina tregon një vazhdim të një trendi afatgjatë të rritjes së importeve, ka të ngjarë për shkak të ndikimit relativisht të kufizuar të Covid 19 në eksportet kineze, bëri të ditur zyra. Gjatë tre viteve të fundit, importet e mallrave nga Kina u rritën me 65.6 për qind, pasuar nga Gjermania, SHBA, Holanda dhe Franca. Ndërkohë, tregtia totale e mallrave, përfshirë importet dhe eksportet, nga vendet joevropiane tejkaloi atë nga vendet e BE-së në tremujorin e parë, sipas të dhënave nga zyra e lartë përmendur.

Duke marrë në konsideratë sa paraqitëm më sipër, në frymë e përmbajtje, të panoramës dinamike të veprimtarisë diplomatike të kohëve të fundit të Kinës në raport me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore si dhe të disa vendeve të tjera të kontinentit europian, përfshi edhe të Bashkimit Europian, përforcohet mendimi se asnjë forcë apo grupim politik apo ekonomik, i vjetër apo i ri, nuk mund ta kthejë mbrapsht rrotën e historisë, të kthehet në kohërat e vjetra të politikave imponuese dhe diktuese, shfrytëzuese dhe të pabarabarta. Përkundrazi çdo zhvillim në shkallë globale apo rajonale po dëshmon se është koha që të gjithë forcat e mëdha e aleancat e tyre të bëjnë një rivlerësim të interesave dhe synimeve dhe aspiratave të tyre duke i përshtatur me ato të vendeve të tjera dhe të gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Koha e hegjemonizmit ka marrë fund e në vend të tij po zë vend multilateralizmi dhe parimi i një partneriti më produktiv për mbarë njerëzimin!/Cri