Kryeministri Rama për Bild: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet, BE ka shkelur premtimet!

Rama në një intervistë për gazetën gjermane Bild thekson se BE ka “thyer premtime” dhe po çon një përçarje në popujt e Ballkanit me “cinizëm politik. Si në historinë “Në pritje të Godosë.

Pjesë nga shkrimi i Ramës për Bild:

Më lejoni të bëj të qartë diçka: si Kryeministër i Shqipërisë, unë e di plotësisht që ne nuk jemi gati të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian sot, as Maqedonia e Veriut ose pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor.

Ka shumë kërkesa që ne duhet të plotësojmë në mënyrë që të bëhemi anëtar. Sidoqoftë, dy kombet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar me të vërtetë procesin e negociatave me Brukselin. Një fillim i tillë i negociatave tashmë ishte vendosur nga vetë Këshilli i BE në 2018.

Por përpjekjet e popujve tanë nuk janë shpërblyer. Më e pakta që meritojmë tani është përgjigjja e pyetjes sonë “Pse?”

Kur Komisioni Evropian kërkoi nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të zbatonin disa reforma përpara se të fillonin negociatat, ne e bëmë. Disa prej tyre, të tilla si reforma në drejtësi në Shqipëri, janë të pashembullta për një vend që nuk ka hyrë ende në procesin e negociatave. Por ne bëmë progres, dhe Komisioni Evropian njohu angazhimin tonë të plotë dhe arritjet tona të jashtëzakonshme në disa raste.

Të jemi të qartë: ne nuk po kërkojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian nesër ose pasnesër. Shqetësimi ynë i vetëm tani është të marrim programet e nevojshme të ndihmës nga BE në mënyrë që të rritemi në rolin e një anëtari të ardhshëm në procesin e negociatave të pranimit.