Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca vizitë zyrtare në Tiranë: Kosova dhe Shqipëria të sillen si një komb!

Në vizitën e tij të parë në Shqipëri si kryeparlamentar i Kosovës, Glauk Konjufca u prit me nderimet më të larta dhe nga krerët më të lartë shtetit dhe politikës shqiptare.

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca në  vizitën e tij zyrtare  në Tiranë, është pritur fillimisht nga homologu i tij, Gramoz Ruçi. Ky i fundit në fjalën e tij të përbashkët për mediat tha se Shqipëria mbështet Kosovës e cila është në anën e duhur të historisë, në ndryshim nga Serbia që po “glorifikon kriminelët e saj”.

Nga ana tjetër, Konjufca tha se nuk mjafton që Kosova dhe Shqipëria të jenë fqinjët të mira, por që të jenë një komb i vetëm dhe kjo të materializohet edhe në politikat e saj.

“Ne po e vazhdojmë traditën e mirë të shtetit tonë që vizitën e parë të kreut të KUvendit të Kosovës e bën në republikën e Shqipërisë. Ne kemi interesa të njëjta sepse jemi një komb, ndaj unë mendoj se të tillë duhet t’i kemi edhe politikat. Ne diskutuam për nevojën e thellimit të bashkëpunimit në disa fusha. Unë mendoj se bashkëpunimi duhet të ngrihet në një nivel tjetër, jo si dy vende fqinje të mira por si dy vende që konstituojnë një komb të vetëm”, tha Konjufca.

Duke cekur çështjen e gjyqit të ish-drejtuesve të UÇK në Hagë, Konjufca tha se lufta e shenjtë e shqiptarëve në Kosovë ishte e gjithë kombit ndaj duhet të mbrohetr nga të gjithë.

“Lufta jonë e shenjtë, e drejtë dhe e pastër e UÇK-së ka qenë edhe e gjithë kombit shqiptar. Prandaj si e tillë duhet të mbrohet nga të gjithë”, tha ai.

Ndërsa kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka vënë theksin se Kosova është në anën e duhur të historisë, në ndryshim nga Serbia duke fajësuar këtë të fundit se po “glorifikon kriminelët e luftës”.

“Serbia ka kryer gjenocid, ajo ka kryer krime kundër njerëzimit dhe krime luftë, ka fshehur kriminel dhe që nuk ka bashkëpunuar me Hagën dhe sot përpiqet që të glorifikojë kriminelët e vet që i ka mbrojtur dhe fshehur. Kosova është në anën e duhur të historisë dhe ka mbështetjen tonë”, tha ndër të tjera Ruçi.

Pas kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçit dhe presidentit Ilir Meta, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka takuar kryedemokratin Lulzim Basha. Ky i fundit tha  se prioritet për të dhe PD-në është vazhdimi i njohjeve të këtij shteti në arenën ndërkombëtare.

“Pata kënaqësinë që të pres sot kryetarin e Kuvendit të Kosovës, zotin Konjufca me të cilin shkëmbyem mendimet mbi zhvillimin në Kosovë dhe në Shqipëri. E urova edhe personalisht për detyrën e rëndësishme për kreun e Kuvendit, mbartës i legjitimitetit të qytetarëve të Kosovës.

Biseduam për sfidat e brendshme të zhvillimit ekonomik në Kosovës, të kalimit të pasojave të pandemisë dhe qëndrimin krah për krah me Kosovën, ku për PD dhe për mua mbetet vazhdimi. Për mua ngelet prioritet mbetet vazhdimi i njohjeve ndërkombëtare, anëtarësimi i Kosovës në institucione ndërkombëtare dhe përfundimi me sukses i dialogut Serbi-Kosovë, mirënjohjen e këtyre shteteve.”, tha Basha.

Presidenti Ilir Meta,  priti sot në një takim Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, me të cilin diskutuan për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në të gjitha fushat, ecurinë e proceseve integruese drejt Bashkimit Europian, si dhe rreth zhvillimeve në rajon.

Presidenti Meta u shpreh se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, si  dhe theksoi domosdoshmërinë, që marrëveshjet e arritura dërimë tani mos të mbesin vetëm në letër.

“Është e rëndësishme, që të gjitha forcat politike të Kosovës, të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”, theksoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit inkurajoi bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë, që kanë patur një rol vendimtar në pavarësinë e Kosovës dhe afirmimin e saj ndërkombëtar.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit theksoi se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri, që urojmë të ndodhë sa më parë.

Me lehtësimin e masave anti-Covid dhe me afrimin e sezonit turistik, Presidenti Meta inkurajoi një bashkëpunim më të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës, me qëllim zhvillimin e turizmit në të dyja vendet tona./ argumentum.al