Në 19 vjetorin e themelimit të BDI-së, Ali Ahmeti shpall platformën për gjelbërim

Në 19 vjetorin e themelimit të partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, kryetari Ali Ahmeti u shpreh se ka ardhur që kjo parti të transformohet dhe të nisë një politikë të re.

“Pas miratimit të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimit të përditshëm të saj, reformave thelbësore, anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO dhe vulosjes së të ardhmes Europiane, ka ardhur koha që Bashkimi Demokratik për Integrim të transformohet”, u shpreh z. Ahmeti.

“Prandaj ne sot, në ditëlindjen e 19-të të Bashkimit Demokratik për Integrim, në përputhje me rezolutat e miratuara në Kongresin tonë të fundit, po nisim një politikë të re, një mënyrë të re të të bërit politikë dhe të vepruarit të drejtpërdrejtë, përtej të drejtave etnike, zhvillimit dhe synimeve integruese, politikë për drejtësi mjedisore, për jetë cilësore. Sot, Bashkimi Demokratik për Integrim në tërësi e përqafon agjendën e gjelbër si pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane dhe e shton atë në krah të shtyllave tona programore si prioritet”, u shpreh ai më tej.

Gjatë fjalës së tij, z. Ahmeti theksoi se ai bashkë me bashkëpunëtorët e tij tashmë janë fokusuar tërësisht në cilësinë e të jetuarit, kushteve të jetës së përditshme, zhvillimin, arsim dhe shëndetësinë cilësore, drejtësinë joselektive, dixhitalizimin, politikat sociale, infrastrukturën, ekonominë dhe mjedisin jetësor.