Nesër provimi i parë, Evis Kushi jep mesazhin për të gjithë maturantët

Përmes një video-mesazhi, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi u ka uruar shumë sukses maturantëve, të cilët ditën e nesërme do të zhvillojnë provimin e parë, atë të Gjuhës së Huaj, për Maturën Shtetërore 2021.

Sipas Ministres Kushi, ky është një çast i shumëpritur nga maturantët, një çast që do të kurorëzojë punën dhe përpjekjet e tyre të shumë viteve në shkollë dhe që do t’i bëjë krenarë të gjithë: ata vetë, prindërit e tyre, por edhe mësuesit e drejtuesit e institucioneve arsimore.

Ajo shprehet se e di shumë mirë që të gjithë maturantët kanë punuar shumë për të arritur rezultatet më të mira, ndërsa thekson se “jemi plotësisht të vetëdijshëm për vështirësitë që kanë pasur gjatë këtij viti të pazakontë”, duke nënvizuar se këto vështirësi janë reflektuar në procesin e hartimit dhe administrimit të testeve në Maturën Shtetërore.

“Dua t’ju siguroj që në këtë pikë ne jemi dhe do të vijojmë të jemi shumë të kujdesshëm, në mbështetjen tuaj, në mënyrë që secili prej jush të vlerësohet, nga njëra anë duke konsideruar vështirësitë e këtij viti, por nga ana tjetër edhe me meritokraci, duke bërë dallimin e më të mirëve”, -tha Znj. Kushi.

Në fund të video-mesazhit, Ministrja Kushi inkurajon ata që të japin më të mirën e tyre, pasi këto provime do të përcaktojnë drejtimin në të cilin do të hedhin hapat e mëtejshëm në jetë.

“Shumë suksese dhe mbarësi për të gjithë ju!”, uron ajo.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës ajo ka zhvilluar edhe një takim me vëzhguesit e 208 qendrave të provimit të Maturës Shtetërore në të gjithë vendin, ku është nënvizuar rëndësia e administrimit me përgjegjshmëri dhe kujdes maksimal i këtij procesi, në mënyrë që të garantohen standardet e arritura vitet e fundit lidhur me cilësinë, meritokracinë dhe transparencën për të gjithë maturantët.