Nxitje për zgjidhje në Ballkan

Dragan Biseniç, Danas[i]

Ballkani është në fokusin e vëmendjes ndërkombëtare në këta dy muajt e fundit, pothuajse si në ditët vendimtare të ngjarjeve të mëparshme dramatike: rreshtohen njëra pas tjetrës, në formën e non pejpërve, projekte ideore për rirregullimin e tij të shoqëruara këto me vizita të të dërguarve ndërkombëtarë, të përziera me deklarata të zyrtarëve ndërkombëtarë që janë një përzierje e inkurajimit dhe e shqetësimit. Madje edhe vendet më të zhvilluara industrialisht të botës janë deklaruar për të ardhmen e Ballkanit.

Është pak a shumë e qartë se shkaku i kësaj dallge të re të orientimit drejt Ballkanit është vizita e parë e presidentit amerikan Xhozef Bajden në Europë dhe takimi i tij me presidentin rus Vladimir Putin në Gjenevë me datë 15 dhe 16 qershor. Presidenti amerikan me 11 deri me 13 qershor do të marrë pjesë në konferencën e G7, në mënyrë që, me 14 qershor të jetë në Bruksel në samitin e NATO-s dhe në takim me zyrtarët e lartë të BE-së.

Në të njëjtën kohë në Bruksel do të vazhdojnë bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe sikurse informojnë mediat kosovare, presidenti Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet të jenë pikërisht me 14 qershor në Bruksel, të njëjtën ditë kur edhe Bajdeni do të jetë aty dhe një ditë para takimit presidencial amerikano-rus. Për këtë, ka mjaft sinjale të besohet se çështja ballkanike, dhe brenda saj ajo e Kosovës, do të jenë pjesë e rendit të ditës me rastin e samitit ruso-amerikan, por nuk dihet se në çfarë mase dhe cilën mënyrë. Meqënëse presidentin amerikan do ta shoqërojë një delegacion ne madh zyrtyarësh, mund të supozohet pothuajse me siguri se disa prej tyre do të takohen me delegacionin serb dhe atë kosovar. Pothuajse me siguri këta mund të jenë Moli Montgomeri dhe Viktorija Nuland të shoqëruara nga Metju Palmeri. Nuk mund të përjashtohet që, në rast të ndonjë zhvillimi të favorshëm, këta mund të jenë sekretari i shtetit Entoni Blinken dhe këshilltari për sigurinë kombëtare Xhek Salivan.

Radhës së ngjeshur të ngjarjeve iu bashkuan edhe i dërguari europian për Kosovën Mirosllav Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Metju Palmer, të cilët vizituan Prishtinën dhe Beogradin. Ardhjes së tyre i parapriu deklarata e papritur greke mbi ngritjen e marrëdhënieve mes Athinës dhe Prishtinës në një nivel më të lartë, në nivel politik. Para kësaj lëvizje në një hapësirë kohore prej një muaji, ministri grek i punëve të jashtme Nikos Dendijas vizitoi Beogradin, ndërsa kryeministrja serbe Ana Brnabiç vizitoi Athinën me 13 maj 2021.

Që në deklaratën e Dendijasit në Beograds mund të merrej vesh ndryshimi i tonit dhe shpalosja e një interesimi të fortë grek ndaj Kosovës, por jo se në cilin drejtim  do të shkonte ai.

“Interesimi për Kosovën është i madh. Më vjen keq që bisedimet me qeverinë e re ende nuk kanë filluar. U kam thënë se jemi në dispozicion për zgjidhjen e kësaj çështje jashtëzakonisht të vështirë”, tha atëbotë Dendijasi në Beograd.

Në këtë mënyrë Greqia iu afrua njohjes me hapin e breshkës të cilën në vitin 2012, e pati paralajmëruar shefi i zyrës greke në Prishtinë. Në një intervistë për gazetën Ekspres, në muajin mars të vitit 2012, shefi i zyrës së kontaktit në Prishtinë, Dimitris Moshopullos, tha se njohja nga ana e Greqisë do të bëhet “hap pas hapi” dhe se kjo është diçka  “që do të vijë natyrisht”. Shpjegoi se Greqia dëshiron që tërë Ballkjani të bëhet pjesë e BE-së, dhe për pasojë kjo perspektivë përfshin edhe njohjen.

Mediat greke nënvizojnë se promotori kryesor i çështjes kosovare në Greqi është ambasadorja greke aktuale në Uashington, Aleksandra Papadhopullu, e cila ka  një stazh të gjatë të të marrurit me çështjen e Kosovës, që nga viti 2000, kohë në të cilën ishte shefe e zyrës greke të kontaktit e deri në vitin 2016-2019,  kohë në të cilën ishte shefe e EULEX-it.

Ky hap në raportet me Prishtinën kontribuon për ndryshimin e mëtejshëm të gjendjes aktuale të status-kuosë që ekziston prej një dekade në raportet e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin Kosovën. Pa marrë parasysh faktin se Greqia ka bërë me dije se nuk do ta njohë Kosovën, gjë që ngritja e nivelit të marrëdhënieve në vetvete nuk se do të thotë shumë, ajo krijon përshtypjen për ndryshimin  e gjendjes ekzistuese te shtetet e tjera europiane.

Shumë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën kanë zyrat e tyre të kontaktit në Prishtinë, por në kryeqytetet e tyre nuk kanë përfaqësues kosovarë. Në ndryshim nga ata, Greqia kishte zyrë kontakti për bashkëpunim ekonomik që tani është shndërruar në zyrë për përfaqësimin e interesave kosovare me funksione politike. Ka mundësi që kjo lëvizje e grekëve dhe vizita e ministrit të punëve të jashtme Dendijas në Prishtinë është pjesë e strategjisë së kulaçit dhe motivim për udhëheqjen e Prishtinës për përmbushjen e detyrimeve të marra prej kohësh mbi formimin e Bashkësisë së komunave serbe.

Kjo natyrisht ishte tema e bisedimeve të Palmerit dhe Kurtit pas së cilës Kurti u shpreh se në Kosovë “nuk mund  të krijohen bashkësi monoetnike”. Në mënyrën e tij të zakontë të hapur, Lajçaku konkludoi se ekziston një pamje mbi bisedimet në opinionin publik, por një pamje tërësisht tjetër brenda katër mureve ku zhvillohen bisedimet, dhe se ajo që opinioni publik di ose mendon  se di për atë ndodh në të vërtetë, nuk duhet detyrimisht të përputhen. Me rastin e veprimeve dhe komenteve të mëparshme të Kurtit Lajçaku tha se ka rëndësi ajo që lideri kosovar ka thënë pas dyerve të mbyllura.

Nëse do tu besojmë mediave të Prishtinës, Lajçaku tha se marrëveshja e Uashingtonit “nuk do të thotë asgjë” dhe se vetëm BE-ja ka legjitimitet ndërkombëtar për dialogun. Nënvizoi se dialogu me ndërmjetësinë e BE-së “është e vetmja mënyrë që Kosova dhe Serbia ti bashkohen BE-së. Nuk, ekziston rrugë tjetër europiane për Serbinë dhe Kosovën përveç dialogut. Kjo ka rëndësi. Kurti këtë e di, e di edhe Vuçiçi”, tha Lajçaku.

Këtë pohim e përforcoi edhe Palmeri duke thënë se “SHBA-të nuk janë palë në bisedime”, por, “aktor dhe partner i përfshirë në proces”, gjë që është ndryshim i rëndësishëm në krahasim me atmosferën që ishte krijuar me rastin e marrëveshjes së Uashingtonit. Shkurt, Palmeri beson se marrëveshja që përfshin “normalizimin e plotë të marrëdhënieve” ka mundësi që të nënëshkruhet deri në fund të këtij viti, por për njohjen e ndërsjelltë, “si ecuri që përfundimisht e vendos këtë temë në të shkuarën dhe njëkohësisht i vendos Serbinë dhe Kosovën në pozitë për të ecur përpara”, duhet të “punohet me shumë përpjekje”.

Ajo që nga ana amerikane mund të jetë nxitje e fuqishme, por jo e jashtëzakonshme, do të ishte lidhja e marrëveshjeve të caktuara në lidhje me mbrojtjen dhe ushtrinë. Këtë e propozoi në analizën e tij edhe Eduard Xhozefi eksperti i Qendrës së Uashingtonit Vudrou Vilson.

Nëse ngjarjet intensive në Ballkanin Perëndimor në këta dy muajt e fundit janë të lidhura me ardhjen e Bajdenit në Europë dhe takimin e tij me Putinin, atëherë ka rëndësi të shihet se në cilën mënyrë e sheh Moska Ballkanin dhe problemin kosovar. Moska e ka lajmëruar Serbinë mbi takimin e pritshëm të presidentit rus dhe atij amerikan në Gjenevë, por pa saktësuar nëse do të bisedohet edhe mbi Ballkanin. Në planin e parë të informacionit është nënvizuar se Moska do të pranojë atë zgjidhje që i shkon për shtat Beogradit, dhe jo atë që duhet patjetër të bazohet në Rezolutën 1244. Me rastin e takimit me ministrin e jashtëm serb Nikolla Selakoviç, në mesin e prillit në Moskë, ministri rus Lavrov, duke kritikuar synimet e qeverisë kosovare për formimin e Shqipërisë së Madhe, tha se “liderët politikë nuk kanë të drejtë të paraqesin ide që gërryejnë konceptin mbi të cilin bazohet Rezoluta 1244 e KS të OKB-së”. Ai theksoi se “OKB njeh sovranitetin e Seërbisë” dhe se zgjidhja e konfliktit mes Beogradit dhe Prishtinës mund të arrihet vetëm nëpërmjet rrugës paqesore, duke pohuar se Moska “do të mbështesë çdo marrëveshje të arritur dhe e cila është e pranueshme nga të dyja palët”.

Me këndvështrime të këtilla për rendin e përgjithshëm në Moskë pritet takimi i presidentit rus dhe atij amerikan por pyetja është se ku, sipas tyre, do të gjendej Ballkani në kuadrin e përgjithshëm? Përgjigjen për këtë mund ta formojmë nga koncepti rus për marrëdhëniet ndërkombëtare që po ndërtohen.

Drejtori i konferencës prestigjoze ndërkombëtare “Ditët e Primakovit”, e cila do të mbahet të dielën e ardhshme, njëkohësisht dhe një prej ekspertëve më të mëdhenj rusë në fushën  e diplomacisë, Fjodor Vojtillovski thotë: “Sot mund të themi se rendi botëror që po lind do të jetë policentrik, por do të ketë pak a shumë hierarki të ashpër. Tani po fillon të përvijohet lufta shumë e ashpër se kush do të jetë në krye të kësaj hierarkie. Mbi të gjitha kjo ka të bëjë me SHBA-të dhe Kinën. Por qendra të këtilla siç janë Rusia, India, BE dhe të tjerët, në vitet në vazhdim do të duhet ta kuptojnë sesi të ndërtojnë strategjinë e tyre të zhvillimit ekonomiko-shoqëror, politikën e jashtme, politikën e sigurisë dhe të partneritetit në këtë sistemin e  ri të koordinatave”.

Pra, as për Rusinë nuk ka dyshim se lufta për fron aktualisht po zhvillohet mes Kinës dhe SHBA-ve. Në këto kushte Rusia i orientoin  interesat e saj drejt rajoneve që në të ardhmen mund  të jenë më shujmë rëndësi për raportin e Rusisë me botën.

Në opinionin e ekspertëve rusë vlerësohet se SHBA-të dhe BE-ja duan që Serbia ta njohë Kosovën deri në fund  të këtij viti. Bashkëpuntori i Institutit moskovit për sllavistikë, Georgij Engelhart nënvizon se BE-ja dhe SHBA-të po shpalosin “një presion aktiv ndaj të dyja palëve, në mënyrë të veçantë ndaj Beogradit, në mënyrë që marrëveshja të përfundojë deri në fund të këtij viti, ose më mirë të themi të arrihet njohja e pavarësisë së Prishtinës”, por “është e panjohur nëse Uashingtoni dhe Brukseli do të mund  ta realizojnë këtë ide”. Në këtë kuadër, ai mendon  se momenti i forcimit të presionit mbi Serbinë është përzgjedhur veçanërisht për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në Serbi, gjë që është normalisht kohë të panjohurash dhe destabiliteti e kësisoj e rrezikshme për udhëheqjen e Serbisë. Për këtë ai pret që Serbia të përpiqet të fitojë kohë ose nëpërmjet veprimeve të pjesshme të bëjë për vete Perëndimin.

Megjithatë Rusia nuk beson në perspektivën europiane të Serbisë, meqënëse procesi i zgjerimit është ngrirë, gjë që e lajmëroi presidenti francez Makron në vitin 2019, pikërisht në Beograd.

Engelharti vlerëson se për administratën e re amerikane, e cila po rinovon solidaritetin transatlantik, Ballkani duhet të bëhet një shembull tregues i raportit të ri të unitetit dhe harmonisë që këmbëngul të përmbyllë të gjithë problemet e papërfunduara të viteve 1990 në rajon: të zgjidhë përfundimisht, sipas kushteve të saj, statusin e Kosovës dhe të likujdojë autonominë e Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë.

Megjithëse Ballkani për momentin nuk është në rangun e interesimit rus të shkallës së parë, është e qartë se Rusia nuk ka për të hequr dorë nga ndikimi i saj, meqënëse pretendentët e tjerë për këtë rol të madh në botë po shfaqin interesim të fuqishëm për Ballkanin. Për këtë është i pashmangshëm ekulibri i këtyre interesave dhe planeve, dhe e vetmja mënyrë që ky ekuilibër të arrihet është takimi i shefave të shteteve.

Puna është sesa do të jenë të kënaqura me këtë shtetet e Ballkanit, sa do të jetë i nevojshëm  për ta arbitrazhi i jashtëm dhe cilat janë alternativat e tjera për ata.

Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA

 

[i] https://www.danas.rs/nedelja/komesanje-na-balkanu/