OBSH aprovon për përdorim emergjent vaksinën kineze “Sinovac”

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka dhënë dritën jeshile vaksinës së dytë anti-COVID të zhvilluar në Kinë, “Sinovac-CoronaVac”.

OBSH e ka vlerësuar si të përshtatshme për përdorim emergjent vaksinën kineze, pasi përcaktoi se plotëson standardet ndërkombëtare të sigurisë, efikasitetit dhe të prodhimit.

OBSH rekomandon se vaksina duhet të përdoret tek të rriturit mbi 18 vjeç dhe të injektohet në dy doza me 2 javë diferencë nga njëra-tjetra.

Lajmi është shpërndarë edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu duke qene se vaksina kineze Sinovac-CoronaVac është duke u përdorur masivisht në Shqipëri për vaksinimin e të moshuarve dhe jo vetëm.

“Lajm i mirë. OBSH miraton përdorimin emergjent të vaksinës së kompanisë Sinovac, CoronaVac COVID-19, duke garantuar që plotëson standardet ndërkombëtare të sigurisë, efikasitetit dhe prodhimit”, shkroi ministrja në Facebook.