Paralajmëron Vuçiç: "Nëse Kurti nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, atëherë ai nuk ka pse të vijë në Bruksel”

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë të mërkurën se reagimi i Beogradit do të jetë "shumë i fuqishëm dhe i ashpër" sa i përket mosrespektimit të marrëveshjeve ligjore të nënshkruara në Bruksel, në lidhje me formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

"Është në rregull të jesh i butë dhe të bësh kompromis. Por kur dikush të shtyn drejt një muri, kur sheh se dikush nuk dëshiron kompromis, duhet të tregosh mprehtësi dhe forcë," ka thënë Vuçiq në një konferencë për media, pas takimit që ka pasur me përfaqësuesit nga Republika Sërpska.

Ai ka shtuar se kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin do të trajtojë si "çdo përfaqësues tjetër të institucioneve të përkohshme".

Kurti, në anën tjetër, ka thënë të mërkurën në Prishtinë se takimi në Bruksel "nuk është takim i vazhdimit te dialogut, por është takimi i parë që pritet ta kem me presidentin e Serbisë, me të cilin nuk jam takuar asnjëherë në jetë", pos në tryeza e konferenca.

"Pra ky është takim i parë, dhe aty do të shohim se çfarë mund të jetë kapitulli i ardhshëm i dialogut. Është takim për dialogun e ardhshëm, por nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm".

I pyetur nga gazetarët një ditë më parë ( 1 qershor) për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë asociacion një-etnik në Kosovë.

“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion një-etnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, ka deklaruar ai.

Deklarimet rreth Asociacionit

Vuçiq ka thënë edhe se nuk pret që në takimin me kryeministrin e Kosovës, Kurti - i cili do të duhej të mbahej në qershor në Bruksel - t'i kërkohet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

"Nëse ai (Kurti) thotë se nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë. Dhe nëse ata presin që unë ta bëj atë, atëherë ata as nuk kanë nevojë që të më ftojnë”, ka deklaruar presidenti serb.

Vuçiq ka thënë se ai nuk e ka problem të diskutojë rreth të gjitha çështjeve tjera të rëndësishme, siç është problemi i të zhdukurve ose bashkëpunimi në fusha të tjera.

Gjatë së mërkurës, Vuçiq do të takohet në Beograd me Zëvendësndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit Matthew Palmer, derisa të enjten me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak.

Presidenti i Serbisë ka deklaruar se të gjitha bisedimet që do të mbahen këto ditë kanë për qëllim njohjen e Kosovës nga Serbia.

"Ne duam të përfitojmë sa më shumë nga dialogu për Serbinë dhe për serbët në Kosovë, por njerëzit duhet ta dinë se fuqitë më të mëdha të botës - Amerika dhe Gjermania, fuqitë perëndimore - po i kërkojnë Serbisë të njohë Kosovën. Problemi ynë është se ata nuk kërkojnë më që ajo të shtrembërohet në një formë, por që ajo të jetë e drejtpërdrejtë, me përmendjen e njohjes reciproke," ka thënë mes tjerash ai.

Palmer dhe Lajçak po vizitojnë Beogradin pas një vizite dyditore në Kosovë, ku u takuan me zyrtarë të lartë atje.

Vuçiq insistion që Asociacioni të formohet.

Kur u arrit marrëveshja për Asociacionin?

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Sipas marrëveshjes, Asociacioni do të krijohet me statut dhe do të themelohet mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të komunave të Kosovës, si për shembull do të ketë kryetar, zëvendëskryetar, Asamble dhe Këshill.

Asociacioni do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

Më 2015, po në kuadër të dialogut të Brukselit, palët arritën Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni, marrëveshje e cila ende nuk është jetësuar, përkundër insistimit të Beogradit zyrtar.

Sipas Marrëveshjes për Asociacionin dhe në përputhje me Marrëveshjen e parë të Brukselit, objektivat kryesore e Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës./Rel