PE: Të ndalen fondet e BE-së për bizneset e kryeministrit çek, Andrej Babis

Komisioni Evropian është kritikuar ashpër për mos marrjen e masave kundër shteteve kur ka prova se ato shkelin ligjet e BE-së në lidhje me korrupsionin ose vlerat demokratike. Parlamenti Evropian ka bërë thirrje që të ndalen fondet e BE-së për bizneset e Kryeministrit Çek, Andrej Babis, për shkak të asaj që cilëson konflikt interesi.

Firmat e Andrej Babis janë ndër përfituesit më të mëdhenj të BE-së për subvencione bujqësore, por edhe subvencione investimesh të disbursuara nga autoritetet kombëtare dhe të rimbursuara nga paratë e BE. Ai thotë se i ka zhvendosur pasuritë e tij në fondet e besimit, duke përmbushur detyrimet ligjore.

“Me rregullat e BE-së, duhet të zgjidhen qartë  konfliktet e interesit. Ka tre gjëra konkrete që kryeministri çek mund të bëjë, të jap dorëheqjen , të shesë kompaninë e tij ose ju të ndaloni dërgimin e fondeve të BE-së. Duhet të zgjedhë një nga këto tre opsionet dhe nëse nuk e bën, atëherë duhet të ndalojmë të paguajmë Republikën Çeke ose krerët e tjerë të shtetit dhe qeverive duhet ta refuzojnë atë në tryezën e negociatave, nuk mund të tolerojmë që konflikti i interesit të vazhdojë në zemër të vendimmarrjes së Bashkimit Evropian”, tha Daniel Freund pjesëtar i Parlamentit Evropian.

Rezoluta e parlamentit nuk çon në ndonjë veprim të drejtpërdrejtë, por i bën thirrje ekzekutivit të Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian, të marr nën vëzhgim  situatën  dhe potencialisht të fillojë procedurat që mund të ndalojnë financimin e Republikës Çeke.

Një audit i Komisionit Evropian i publikuar  në Prill përcaktoi se Babis ishte ende në kontroll të grupit Agrofert përmes fondeve të besimit dhe për këtë arsye përbën   konflikt interesi. Babis ndërtoi dekadën e fundit një konglomerat në fushën e bujqësisë, kimikateve, medias dhe firmave të tjera.