Programi IPA-3/ BE do të japë 14.2 miliardë euro tek vendet që synojnë anëtarësimin

Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian kanë arritur të enjten marrëveshje për të ndihmuar vendet që ndodhen në proces anëtarësimi, duke përdorur mjete nga buxheti i BE-së.

Në shërbim të kësaj marrëveshjeje do të aplikohet një program që quhet IPA 3, me anë të cilit për secilin nga këto shtete, në shtatë vitet e ardhshme do të jenë në dispozicion 14.2 miliardë euro.

Shtetet që do të përfitojnë nga ky program janë Turqia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Përdorimi i mjeteve nga ana e vendeve kandidate do të jetë i kushtëzuar në përputhje me sundimin e ligjit dhe respektimin e vlerave demokratike. Në rast se këto shtete do të keqpërdorin situatën, duke rënë në kundërshtim me ligjin dhe zhvillimin e demokracisë, BE do ta pezullojë ndihmën ekonomike që u ka mundësuar. Po ashtu, do të ketë një mbikëqyrje më të madhe nga ana e Parlamentit Evropian në mënyrën se si do të përdoren këto mjete.

Me këtë marrëveshje të Parlamentit dhe Këshillit Evropian, sipas propozimit të Komisionit Evropian, sigurohet korniza për përdorimin e mjeteve në kornizën shumëvjeçare nga viti 2021 deri në vitin 2027 për ndihmën e reformave institucionale, ekonomike, sociale. Këto reforma do të ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, që të avancojnë drejt arritjes së standardeve evropiane dhe rritjes së sigurisë së përbashkët.

Komisioni Evropian ka bërë të qartë se mjetet financiare që i janë ndarë Turqisë për t’u përballur me sfidat e migracionit, nuk janë nga instrumentet e IPA-s por nga linjat tjera buxhetore të Bashkimit Evropian.

Parlamenti Evropian në një komunikatë të lëshuar pas arritjes së kësaj marrëveshjeje ka nënvizuar se është e rëndësishme të ketë një qasje strategjike dhe të mbahet kushti i suspendimit të ndihmës për ato shtete, të cilat nuk do të respektojnë vlerat e përbashkëta evropiane, sidomos ato që kanë të bëjnë me liritë themelore, demokracinë dhe lirinë e mediave. Fokus i veçantë do t’i jepet edhe ruajtjes së mjedisit.

Mjetet financiare nga të ashtuquajturat “instrumentet e para-anëtarësimit” (IPA) pritet të ndihmojnë që vendet e Ballkanit Perëndimor të rrisin edhe tërheqjen e investimeve private. Për këtë, BE do të përdorë një kornize të posaçme për tërheqjen e investimeve në Ballkanin Perëndimor, kornizë e cila është prezantuar vitin e kaluar.

Kryetari i Komisionit për politikë të jashtme, David McAllister, ka thënë se kjo marrëveshje përbën një lajm të jashtëzakonshëm për shfrytëzuesit e instrumenteve IPA 3.

“Kjo marrëveshje hap rrugën për përmirësimin e menaxhimit të mjeteve, transparencë dhe rritje të konkurrencës për vendet e procesit të zgjerimit, sidomos në periudhën pas pandemisë”, u shpreh David McAllister.