Qershori Euro - Atlantik Shqiptar!

Dr. Jorgji KOTE

Natyrisht që antarësimi në strukturat Euro-Atlantike nuk është «  punë sezonale » por veprimtari intensive e përditshme në çdo kohë. Gjithsesi, ka muaj  që spikatin për nga intensiteti, ngjarjet dhe  arritjet. Në këtë kuptim, Qershori, sidomos ky i tanishmi, është një Highlight ose muaj dallues në procesin e Euro-Atlantizmit tonë. Kjo nuk është rastësi, por rezultante e punës dhe demarsheve të shumta nga të gjitha krahët e politikës dhe diplomacisë sonë në 30 vitet e fundit, bashkë me mungesat, pengesat dhe vonesat e njohura.

Për t’u bindur për këtë realitet simbolik, le të bëjmë një udhëtim retrospektiv 30 vjeçar nëpër « trasenë »  e shtruar Euro-Atlantike.

Më 8 Qershor 1990, pas trysnisë së madhe popullore dhe vendosjes së  pluralizmit politik, rregjimi i atëhershëm  u detyrua «  nga halli e jo nga malli » t’i lypte Brukselit vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me BE-në ; edhe pse e kishte demonizuar dhe anatemuar si « armikun më të madh të popujve dhe socializmit » Një vit më vonë, mbasi u sigurua se i kishim plotësuar të gjitha kushtet politike dhe me opozitën si garanci, Brukseli e dha OK e tij. Filloi kështu një Epokë e re pozitive dhe cilësore  në marrëdhëniet historike  me BE-në.

Në  një dimension më të gjerë gjeopolitik, më 22 Qershor 1991, pas një viti me statusin e Vëzhguesit, Shqipëria u pranua Antare me të drejta të plota në OSBE, «  djalli tjetër i zi » për rregjimin e mëparshëm. Më 1973 ishim i vetmi vend që refuzuam ftesën për t’u bërë pjesë e negociatave, të cilat çuan në krijimin e KSBE-së  1975 që kulmoi me nënshkrimin e Aktit Final të Helsinkit në Gusht 1975. E quajtën « Konferenca e Mossigurisë Europiane » Antarësimi në OSBE, siç u quajt nga viti 1995, u bë pas shumë demarshesh dhe andrallash me një trysni të paparë nga brenda dhe jashtë vendit.

Duke u rikthyer te BE-ja,  në Qershor 2001 në samitin e Goteborgut, BE-ja filloi Procesin historik të Stabilizim  - Asociimit, ndërsa në Qershor 2003 në Selanik, ajo konfirmoi vullnetin politik për zgjerimin drejt Ballkanit Perendimor.

Kjo histori e suksesshme vazhdoi më 12 Qershor 2006,  kur në Luksemburg u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim - Asociimit, praktikisht «  Hyrja » për në statusin kandidat.

Pika kulminante e Euro - Atlantizmit shqiptar u shënua më  10 Qershor 2007, kur në Tiranë erdhi   G.W.Bush, i pari dhe i vemi president amerikan në detyrë që vizitoi zyrtarisht vendin tonë. Mbi të gjitha me mesazhet e mbështetjes për antarsimin tonë në NATO dhe Pavarësinë e Kosovës me pohimin emblematik «  Mjaft më » (enough is enough!)  Çlirimi i Kosovës nga trupat e NATOS dhe UÇK-ja më 12 Qershor 1999 është arritje tjetër historike e popullit vëlla të Kosovës. Në vijim, u intensifikuan demarshet diplomatike për  shpalljen dhe njohjen e Pavarësisë së saj në të gjitha format dhe formatet, që Prishtina të hynte pa vonesë  në rrjedhat Euro-Atlantike.

Nisur nga këto zhvillime premtuese, më 10 Qershor në Këln, SHBA-të, BE-ja dhe organizatat më të mëdha ndërkombëtare vendosën krijimin e Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore; disa vite më vonë, ai  u kthye në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal( RCC) me qendër në Sarajevo; gjatë  gati 3 viteve të fundit  atë e drejton politikanja shqiptare Majlinda Bregu.

Duke shkuar më tej, në Qershor 2012 u tentua të fitohej statusi kandidat dhe çelja e negociatave me BE-në. Pas disa pengesave artificiale nga brenda,   në Qershor 2014 na u dha statusi Kandidat. Për fat të keq, në shtatë vitet e fundit, negociatat jo vetëm nuk janë çelur, por procesi është vështirësuar së tepërmi nga përshkallëzimi progresiv i kushteve të njohura ndaj nesh, një odise e vërtetë! Praktikisht, çelja e negociatave është bërë «  vrapim i gjatë me pengesa »

Duke shkuar tej kufijve Euro-Atlantikë, këtë muaj ka dhe një lajm tjetër të mirë: më 13 Qershor pritet miratimi konsensual që në periudhën 2022 - 2023 vendi ynë të jetë Antar i Përkohshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ngjarje e madhe mbasi  është hera e parë në 65 vitet tona në OKB që Shqipëria zgjidhet në forumin më të lartë të sigurisë botërore.  Padyshim një hop dhe arritje e shënuar historike. Me shumë premisa dhe avantazhe të shumëllojshme për emrin dhe imazhin e vendit, zgjerimin dhe pasurimin e përvojës së politikës/ diplomacisë sonë; kështu, vendi ynë do të jetë jo vetëm objekt dhe i pranishëm, por dhe pjesëmarrës aktiv në vendimarrjen lidhur me krizat dhe konfliktet e nxehta në botë,  etj. Në këtë drejtim përbën ndihmë të madhe përvoja e vyer e kryesimit tonë  të OSBE-së 2020, e vlerësuar dhe ndërkombëtarisht, pavarësisht nga  vështirësitë dhe kufizimet e mëdha të Pandemisë COVID - 19.

Këtu del e nevojshme të theksojmë se gabon kushdo që një hap, proces dhe sukses Euro-Atlantik ia atribuon autorësinë një force të caktuar politike. Kjo do të thotë ta shohësh Euro-Atlantizmin si gjendje statike njëhapëshe dhe jo si dinamikë gjithëpërfshirëse. Historiku i antarësimit tonë në strukturat Euro- Atlantike  tregon qartë se  ky integrim nuk është «  pronë » e asnjë partie të vetme apo liderit të saj,  por produkt i punës dhe përpjekjeve  nga të gjitha forcat politike, e veçanërisht  PS-ja dhe PD-ja me aleatët e tyre. Tani, nëse njerës apo tjetrës i ka takuar të ketë qenë në pushtet dhe protagoniste  në  një moment të caktuar kohor, nënshkrimi dhe vulosja e atij procesi ka qenë  një folloë -  up, ose vijimësi e hapave të mëparshme. Mjafton të përmendim se pas OSBE-së, pranimi ynë në Këshillin e Europës u bë i mundur falë konsensusit të PS-së, edhe pse lideri i saj ishte i burgosur politik. Dhe antarësimi në NATO ndodhi vërtet kur në pushtet ishte PD-ja, por me konsensusin e nevojshëm të PS-së. Po,  demarshet e integrimit në  NATO kanë filluar nga PD-ja në fillim vitet 90 ; veçse ato  kanë vijuar me intensitet dhe gjatë dy mandateve të mëparshme të PS-së, me disa  nisma dhe procese të njohura; kështu ka vazhduar puna dhe në 8 vitet e fundit me në bashkëpunimin tonë me NATO-n, ku spikatin ndërtimi i bazës ushtarake në Kuçovë dhe sidomos stërvitja ushtarake «  Defender Europe 2021 » më e madhja në rajon.

Në këtë fushë madhore, PS,  PD dhe LSI kanë meritat dhe mëkatet e tyre. Ndaj dhe dukuritë negative që kanë detyruar BE-në të vendosë  të na « kalojë në vrimë të gjilpërës » u takojnë të gjitha forcave politike, me plus/minuset e rastit dhe «  peshqeshet » që ato i kanë lënë si trashëgim njera tjetrës.

Mbi të gjitha, mungesa e deritanishme e dialogut, mirëkuptimit dhe tolerancës, me krizat dhe konfiktet e njohura, në shumë raste duke vepruar «  me inat dhe jo takat » » politik  tregojnë se këto dhe elementet e tjerë të dekalogut demokratik të Helsinkit sot janë  më të nevojshme se kurrë. Le ta ripërsërisim fort, ashtu si në organizatat e tjera, ca më tepër në BE nuk do të hyjë vetëm Partia, qeveria dhe diplomacia, por gjithë Shqipëria !

Në këtë kuptim, bashkëpunimi i ofruar nga Kryeministri Rama për opozitën lidhur me trajtimin e problemeve dhe sfidave të mëdha që kemi përpara, megjithë mungesën e njohur të besueshmërisë është ogur i mirë dhe premtues; po aq pozitive dhe shpresëdhënëse është sjellja dhe gjuha korrekte politike e PS-në ndaj PD-së, kur kjo e fundit është përfshirë në  debatet dhe proceset e brendshme të vështira të analizës se humbjes më 25 Prill dhe zgjedhjeve të reja më 13 Qershor. Ajo dhe  përkujtimi i 30 Vjetorit të krijimit të PS-së, sidomos Kongresi i saj i Jashtëzakonshëm më 12 Qershor janë raste dhe mundësi fatlume për të dyja forcat tona më të mëdha politike me orientim të qartë Euro-Atlantik në këtë Muaj simbolik dhe historik.

Natyrisht lufta politike do të vazhdojë, madje  e ashpër por luajale, mbi të gjitha,  duke nxjerë mësime nga pësimet. Kjo është fare logjike, sepse nëse u kërkojmë të huajve  mirëkuptim dhe bashkëpunim, ajo nuk « pi ujë » kur brenda dhe midis nesh i shkelim ato me të dyja këmbët.

Kjo kërkesë bëhet më urgjente dhe ulëritëse në prag të Samitit të BE-së më 24 Qershor, kur pritet të vendoset mbi fatin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Presidenca portugeze e BE-së, në bashkëpunim me paraardhësen gjermane dhe pasuesen sllovene po bëjnë maksimumin dhe shpresohet ende deri në minutat e fundit për një kompromis dhe dalje nga ky ngërç  absurd. Ndonëse tejet e vështirë në dukje, gjithçka është e mundur. Vendimi i mundshëm për  çeljen e negociatave deri më 24 Qershor do të ishte vërtet «  qershiza mbi tortën » e Qershorit, si muaji i shënuar i  Euro-Atlantizmit shqiptar.

/argumentum.al

© Argumentum