Ratko Mlladiq dënohet me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë/ Reagon Joe Biden: Vendim historik!

Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara e mbështetën dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladiq për gjenocidin në Srebrenicë dhe mizoritë tjera gjatë gjithë luftës së Bosnjës më 1992-95.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm, i shpallur nga shkalla e parë më 2017, për rolin e tij në vrasjen e rreth 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në Srebrenicë.

Dhoma e Apelit gjithashtu hodhi poshtë apelin e prokurorisë për të fajësuar, Ratko Mlladiqin, për gjenocid në gjashtë qytetet tjera të Bosnje dhe Hercegovinës.

Mekanizimi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, është një institucion pasardhës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Vendimi i Apelit do të thotë që ish-gjenerali 79-vjeçar do të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij në burg.

Procesi gjyqësor i apelit është vonuar vazhdimisht për shkak të shëndetit të tij dhe së fundmi, nga pandemia e COVID-19.

Shefi politik i Mlladiqit gjatë Luftës së Bosnjës, Radovan Karaxhiq, gjithashtu po vuan një dënim të përjetshëm për gjenocid.

Presidenti Biden, ka përmendur rolin e Shteteve të Bashkuara në përpjekjet ndërkombëtare për t'i dhënë fund mizorive në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe për të sjellë para drejtësisë ata që kryen krime aty dhe në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e quajti “historik” konfirmimin e dënimit me burgim të përjetshëm nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për ish-komandantin ushtarak serb të Bosnjë dhe Hercegovinës, Ratko Mlladiq.

Presidenti amerikan përmes një deklarate thotë se mendimet e tij janë me familjet e mbijetuara të shumë viktimave nga mizoritë e Mlladiqit.

“Shpresoj që gjykimi i sotëm të jetë një ngushëllim për të gjithë ata që janë të pikëlluar, edhe pse kurrë nuk mund të fshijmë tragjedinë", thotë Biden.

“Ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Vendimi gjithashtu fuqizon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar ndodhjen e mizorive të ardhshme kudo në botë”, thuhet deklaratë.