Sekretari amerikan i Shtetit Blinken nxit aleatët të vazhdojnë luftën ndaj Shtetit Islamik

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u bëri thirrje aleatëve të hënën të përqëndrohet në mposhtjen e grupit Shtetit Islamik, sidomos të fraksioneve të tij në Afrikë.

"Ne kemi bërë një përparim të madh sepse kemi punuar së bashku, kështu që shpresojmë që ju të vazhdoni luftën kundër kësaj organizate terroriste derisa të mposhtet me vendosmëri", tha zoti Blinken në Itali të hënën në fillim të një takimi të Koalicionit Global mbi Mposhtjen e ISIS-it.

Ai tha se përpjekjet e koalicionit kishin prodhuar "arritje të rëndësishme", përfshirë pengimin e lëvizjes së luftëtarëve të huaj në Irak dhe Siri.

Zoti Blinken vuri në dukje se 10,000 militantë të ISIS-it po mbahen nga Forcat Demokratike Siriane, duke e quajtur situatën "të paqëndrueshme". Ai u bëri thirrje qeverive të vendeve të ndryshme të riatdhesojnë shtetasit e tyre për qëllime rehabilitimi apo ndjekjeje penale.

Kryediplomati amerikan njoftoi një ndihmë humanitare shtesë prej 436 milionë dollarësh për sirianët dhe vendet përreth që kanë pritur refugjatë sirianë. Ai tha se fondet do të shkojnë për të siguruar ushqime, ujë, strehim, kujdes shëndetësor, arsimim e mbrojtje për ta.

Në vitin 2014 Shtetet e Bashkuara nisën një përpjekje në koalicion, që tashmë përfshin 83 vende, e cila synonte mposhtjen e grupit Shteti Islamik pasi militantët kishin marrë kontrollin e një rajoni të gjerë në të gjithë Sirinë veriore dhe Irak. Në vitin 2019 koalicioni deklaroi se militantët ishin dëbuar nga pjesa e fundit e territorit që kontrollonin.

Një tjetër takim të hënën në Itali do të përqendrohet posaçërisht tek Siria, ku përveç çështjeve që lidhen me grupin Shtetit Islamik, zoti Blinken, Ministri i Jashtëm Italian Luigi De Maio dhe ministra të tjerë do të përqëndrohen në ripërtëritjen e përpjekjeve për t'i dhënë fund konfliktit dhjetëvjeçar që filloi në vitin 2011.

Sekretari Blinken takon Papa Françeskun

Sekretari Blinken vizitoi më herët gjatë ditës Vatikanin ku u prit nga Papa Françesku dhe zyrtarë të tjerë për të diskutuar mes tjerash ndryshimin e klimës, të drejtat e njeriut dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Vizita ndodh para një takimi të pritshëm në tetor ndërmjet Papa Françeskut dhe presidentit amerikan Joe Biden, i cili është presidenti i dytë i besimit katolik.

Sekretari i Shtetit do ta përmbyllë qëndrimin e tij në Itali me pjesëmarrjen në takimin e Grupit të 20-shes në Bari dhe Matera, ku do të diskutohen tema si pandemia dhe ngrohja globale.