Shqipëri-Turqi/ Bashkëpunim në kontrollin dhe mbrojtjen e territorit me pajisje inteligjente

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi vizitoi në Turqi fabrikën “Bykar Defense”, e specializuar në prodhimin e dronëve të teknologjisë së lartë.
Bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ministri u njoh me funksionimin e këtyre pajisjeve inteligjente, për të parë mundësinë e përdorimit të tyre edhe në Shqipëri për qëllime civile e urbane të kontrollit e mbrojtjes së territorit.
Ministri bëri të ditur se, “në Turqi, gjatë vizitës te kompania “Bykar Defense”, e specializuar në prodhimin e dronëve të teknologjisë së lartë. Po vlerësojmë mundësinë e përdorimit të këtyre pajisjeve edhe në Shqipëri për qëllime civile e urbane të kontrollit dhe mbrojtjes së territorit. Shfrytëzimi i këtyre dronëve në vendin tonë do të rrisë cilësisht efektivitetin e punës së Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera në drejtim të kontrollit të territorit, për të parandaluar në këtë mënyrë fenomenet e paligjshme kudo ku ato hasen”.
“Shqipëria dhe Turqia kanë një bashkëpunim të ngushtë që mbështetet në faktorë historikë dhe në fusha të interesit të përbashkët si ajo e sigurisë, migracionit të paligjshëm dhe luftës kundër terrorizmit dhe kundër trafikut të narkotikëve”, deklaroi Çuçi.