Shqipëria mes vendeve me rrezik të ulët për COVID-19/ Yuri Kim: Lajm i mirë për amerikanët që dëshirojnë të udhëtojnë në Shqipëri!

Autoritetet amerikane të shëndetësisë kanë klasifikuar Shqipërinë në listën e vendeve ku të vaksinuarit mund të udhëtojnë lirisht për turizëm apo arsye biznesi.

Lajmin e bëri me dije Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, përmes një postimi në Twitter ku tha se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e kanë vendosur Shqipërinë në Nivelin 1, që do të thotë se qytetarët që janë plotësisht të vaksinuar mund të udhëtojnë në vend.

“Ky është një lajm i mirë për amerikanët që dëshirojnë të udhëtojnë në Shqipëri për qejf apo për biznes,” – shkroi ambasadorja Kim.

Shtetasve amerikanë, të cilët janë të vaksinuar nga COVID-19, nuk do t’u kërkohet të vihen në karantinë pas kthimit në SHBA, por vetëm të paraqesin një test negativ për infeksionin të bërë 72 orët e fundit.

Pas një periudhe të vështirë në muajt janar-mars ku numri i rasteve aktive shkoi deri në 35,800 persona – sa 36% e totalit të rasteve të pikasura prej marsit 2020 – Shqipëria ka gëzuar një prirje në rënie të infeksionit ku prej mesit të muajit maj rastet aktive kanë rënë në vetëm 230 sot – sa 0.1% e totalit të rasteve.