Shqipëria për herë të parë pjesë e Këshillit të Sigurimit në OKB/ Liderët politik dhe ndërkombëtarët: Ditë Historike!

Shqipëria pas kryesimit të Presidencës së OSBE-së përgjatë vitit 2020, një vit i vështirë jo vetëm sa i përket pandemisë Covid-19 por dhe ngjarjeve të tjera të nxehta në arenën ndërkombëtare, sot merr një tjetër rol me rendesi, ajo e anëtarit jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së,  një tryezë tejet e rëndësishme sa i përket vendimmarrjes globale, përsa i takon paqes dhe sigurisë.

Tashmë sfidat dhe kontributi i Shqipërisë do të jetë  jo vetem në çështjet rajonale por dhe ato  globale. Në këtë kuadër, liderët politik në Shqipëri dhe rajon dhe veçanërisht ambasadorët e huaj në vendin tonë e kanë përgëzuar Shqipërinë për këtë arritje diplomatike në skenen ndërkombëtare.

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka tha pas përzgjedhjes së Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, duke thënë se vendi do të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjeve për çështje globale, jo thjesht kombëtare apo rajonale. “Është vërtet një fitore e diplomacisë shqiptare, është një mundësi e jashtëzakonshme që i është dhënë Shqipërisë pas 65 vitesh të anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara, duke pasur parasysh se shumë vende ende nuk e kanë pasur këtë mundësi në shumë dekada. Besoj se ilustron më së miri, se çfarë përmasash të jashtëzakonshme ka kjo ngjarje për Shqipërinë, për politikën e saj të jashtme, për diplomacinë e saj.

Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar një lajm të bukur anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB për dy vitet e ardhshme.

Ai shprehet se vendi ynë mori 175 vota nga 117 të nevojshme ndërsa do të jetë anëtare për vitet 2022-2023.

“LAJM I BUKUR Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria sapo u zgjodh anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023”, shkruan Rama.

Presidenti Meta: Vendi ynë do të përmbushë me përgjegjësi të lartë këtë detyrë dhe mision për dy vitet e ardhshme!

Presidenti Ilir Meta e cilëson mision mjaft të rëndësishëm periudhën që Shqipëria do të jetë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kreu i shtetit shkruan se sfidat janë të jashtëzakonshme dhe shumë të vështira.

Përshëndes zgjedhjen sot të Shqipërisë, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në 65 vite anëtarësi në këtë Organizatë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global.

Sfidat janë të jashtëzakonshme dhe shumë të vështira, por shpreh bindjen se vendi ynë do të përmbushë me përgjegjësi të lartë këtë detyrë dhe mision për dy vitet e ardhshme” shkruan ai.

Ambasadorja Yuri Kim: U shkruajt historia!

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Në një postim në Twitter Kim shkruan se kjo është nja ngjarje historike. Ndërsa uron Shqipërinë për zgjedhjen për herë të parë në Këshillin e Sigurimit, diplomatja amerikane shprehet se SHBA-të presin që të punojnë më ngushtë me vendin tonë në rajon dhe rreth e qark botës.

‘Ngjarje historike! Urime Shqipërisë që u zgjodh për herë të parë në Këshillin e Sigurimit në OKB. SHBA pret të punojë me Shqipërinë edhe më ngushtë në rajon dhe në botë. Urime!’- shkruan Yuri Kim.

“Një ditë historike”! Keshtu e ka cilësuar ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023.

Soreca shton duke shkruan se pret që të punojë më pranë me vendin tonë për të adresuar çështjet globale.

Soreca: Ditë historike për Shqipërinë dhe popullit të saj. Urime për zgjedhjen si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 2022-2023! Presim të punojmë edhe më pranë së bashku në adresimin e çështjeve globale!

Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë: Urime! Presim thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.

Ambasada e Republikës popullore e Kinës gjithashtu ka uruar palen shqiptare për zgjedhjen e  saj si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së,  në kuadër të të cilit presin  thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.

Urime Shqipërisë për zgjedhjen e saj per heren e pare ne histori si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në kuadër të të cilit presim  thellimin e bashkëpunimit me palën Shqiptare”,

Urimet vijne dhe nga Maqedonia. Bujar Osmani shkruan në Twiter: " Urime që u zgjodhët si anëtar jo i përhershëm i #UNSC 2022-2023. Lajm i mrekullueshëm edhe për rajonin. Urime dhe ju priftë e mbara!

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka uruar Shqipërinë për zgjedhjen në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara: Anëtarësimi i saj do ta bëjë më të fortë zërin e Kosovës në KB.

“Urime Shqipërisë për zgjedhjen si anëtare të Këshillit të Sigurimit. Kjo është një arritje e madhe për Shqipërinë dhe diplomacinë e saj të fortë. Bravo Edi Rama, kjo do ta bëjë zërin e Kosovës më të fortë në Kombe të Bashkuara.”

Kujtojmë se Shqipëria u bashkua me Kombet e Bashkuara në 14 dhjetor 1955 dhe ka marrë pjesë në disa operacione paqeruajtëse të KB. Shqipëria është pjesë e Grupit të Shteteve të Evropës Lindore (EEG) i cili është një nga pesë grupet rajonale të Kombeve të Bashkuara dhe përbëhet nga 23 Shtete Anëtare nga Evropa Lindore, Qendrore dhe Jugore. Para viteve 1990 nuk i përkiste asnjë grupi. Shqipëria u bashkua me EEG në 1991 kur vendi u përfshi nga ndryshimet pluraliste demokratike që po ndodhnin në të gjitha vendet e Evropës Lindore.

/argumentum.al