Sot 22-vjetori i çlirimit të Kosovës/ Kryeministri Kurti: Serbia kreu gjenocid në Kosovë dhe deportoi më shumë se një milion njerëz.

Kosova feston sot 22-vjetorin e çlirimit. Data 12 qershor është ditë e historike për Kosovën, sepse shënon kur përfundoi lufta me forcat serbe të Sllobodan Millosheviçit, me ndihmën e NATO-s dhe u realizua ëndrra shekullore e lirisë.

Pra, si sot, para 22 vjetësh, trupat e NATO-s hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare ndërmjet popullsisë shqiptare kryengritëse, organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe forcave ushtarake e policore serbe.

Bombardimet e NATO-s kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. NATO e ndali sulmin më 10 qershor të vitit '99 dhe i dha fund regjimit të Sllobodan Milosheviçit në Kosovë, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t'i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu, kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës. Kujtojmë se Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se ka deportuar më shumë se një milion njerëz.

Ai përmes një postimi në “Twitter”, ka thënë se Dita e Çlirimit u arrit pas 78 ditësh bombardimesh ajrore ndaj caqeve ushtarake serbe nga NATO-ja.

“22 vjet më parë, pas 78 ditësh bombardimesh ajrore të caqeve ushtarake të Serbisë dhe kryeqytetit të saj, Beogradit, trupat tokësore të #NATO-s hynë në Kosovë duke shënuar ditën e çlirimit dhe paqes. Serbia kreu gjenocid në Kosovë dhe dëboi ose deportoi mbi një milion njerëz”, ka shkruar ai.