Speciale/ Kongresi i jashtëzakonshëm i PS zbulon vizionin e ‘Albania 2030’

Udhëtimi i Partisë Socialiste (PS) nga 12 qershor 1991 kur u themelua, vizioni për 'Albania 2030' dhe programi qeverisës në mandatin e ri ishin ndër temat kryesore të Kongresit të jashtëzakonshëm që u mbajt në Tiranë të Shtunën me kryetarin dhe kryeministrin Edi Rama si protagonist kryesor.

PS e mbajti këtë ngjarje në sfondin e fitores së saj në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, duke marrë një mandat të tretë për të qeverisur Shqipërinë.

PS nuk bëhet një mbulesë për asnjë drejtor apo ministër nëse drejtësia e re kërkon llogari, tha Rama i cili foli gjatë për një reformë të thellë të administratës duke ndryshuar mënyrën e funksionimit të saj. “Ne nuk do të lejojmë askënd të hajë shtetin pas shpine. Flamuri i PS nuk bëhet mbulesë për asnjë drejtor apo ministër, nëse drejtësia e re do të kërkojë llogari. "

Rama shtoi se PS është e gatshme të diskutojë me Partinë Demokratike (PD) të opozitës vetëm politikat që i duhen vendit.

Më tej ai tha se partia e tij mbështet reformën në drejtësi dhe do ta përmbushë atë zotim deri në fund. "Ne duam të forcojmë shtetin e së drejtës," tha Kryeministri, duke shtuar se partia e tij nuk i interesonte se çfarë bën PD. "Ne do të diskutojmë me PD vetëm politikat që i duhen vendit. Shqetësimet e shqiptarëve nuk ndahen në blu dhe rozë," tha Rama.

Në ndërkohë, një ngjarje e rëndësishme ishte dorëheqja nga të gjitha funksionet e PS të Kryetarit, Gramoz Ruci i cili deklaroi fundin e maratonës së tij politike 3-dekadëshe. Ruci bëri publike se nuk do të pranojë mandatin e deputetit që fitoi në Fier në 25 Prill në Shtator të këtij viti.

"Unë kam zgjedhur 30 vjetorin e Partisë Socialiste për të dhënë dorëheqjen nga çdo funksion dhe rol. Për sa kohë që mendja dhe zemra ime funksionojnë, unë do të jem një socialist," tha Ruci.

Ministri i Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj prezantoi në Kongresin e PS-së, vizionin ‘Shqipëria 2030’, ku theksoi 5 shtyllat kryesore të programit qeverisës përtej mandatit të tretë.

Ahmetaj tha se “sot për Shqipërinë është një fillim i ri nga një stad shumë më i lartë, i pa krahasueshëm me atë të 8 viteve më parë. Shqipëria ka lënë pas tranzicionin. Ky program reflekton tërësisht fazën e re të zhvillimit ekonomik, social dhe politik të Shqipërisë së re në dekadën që i takon tërësisht Shqipërisë dhe shqiptarëve. Vizioni ynë, programi ynë përtej mandatit të tretë mbështetet në pesë shtylla kyçe që përfaqësojnë përparësitë e dhjetëvjeçarit për familjet shqiptare dhe për Shqipërinë”.

Shtylla e parë është rimëkëmbja e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia, e dyta mirëqenie për të gjithë, rritje ekonomike me ritme të shpejta, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, shtylla e tretë modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, bujqësisë, teknologjisë së informacionit, infrastrukturës dhe shërbimeve, shtylla e katërt investimi tek familja, themeli ku ndërtojmë të ardhmen dhe shtylla e pestë Shqipëria e fortë, me një shoqëri të drejtë, shtet të fortë, vëmendje për çdo shqiptar, dhe një aleat dinjitar për partnerët tanë ndërkombëtar.

Ahmetaj tha se “punësimi nëpërmjet investimeve të huaja dhe promovimit të investimeve të kapitalit vendas, mbështetjes së inovacionit dhe teknologjisë, mbështetjes së sipërmarrjes së vogël do të bëjë të mundur në 4 vitet që vijnë 150 mijë vende të reja pune, të paguara më mirë, dhe me një vlerë më të shtuar për ekonominë e vendit dhe ekonominë familjare”.

May be an image of 1 person, standing and indoor

Ai tha se sipërmarrësit në turizëm do të përfitojnë TVSH-në e reduktuar në turizëm prej 6 %, mbështetje financiare që të jetë në gjendje të presë 10 milionë vizitorë jo më larg, por brenda vitit të fundit të mandatit të tretë.

Sipërmarrjet në teknologji të informacionit do të përfitojnë Tatimfitimi vetëm 5 %, ndërsa Start UP-et gjatë mandatit të tretë do të jenë në qendër të vëmendjes së qeverisë duke rritur mbështetjen financiare me 5 herë.

Ahmetaj shtoi se së shpejti do të startojmë projektin e madh të parkut teknologjik në funksion të ekonomisë së re digjitale dhe mendjeve inovative në fushën e teknologjisë.

Gjithahstu, ai bëri me dije mbështetjen për emigrantët të cilët do të rikthehen për të investuar në vend për Start UP në fusha të caktuara me vlerë të shtuar me 5 mijë euro grant nga qeveria.

“Instrumenti i garancisë me 50 milionë euro për përmirësimin e teknologjisë, dhe po një instrument kaq i madh garancie për kompanitë e teknologjisë dhe informacionit është për ty. Do të shkosh në bankë me një mbështetje të madhe me vete që do të garantojë që ti të përmirësosh teknologjinë tënde në favor të produktivitetit dhe zhvillimit ekonomik të sipërmarrjes tënde dhe të vendit, dhe punësimit sa më të gjerë”, u shpreh ministri për mbështetjen ndaj sipërmarrjeve të mëdha.

Ahmetaj dha lajmin e mirë për fermerët se nafta pa taksë do të 5-fishohet deri në fund të mandatit të tretë.

Në qendër të programit qeverisës të PS-së është edhe taksimi vetëm nga 400 mijë lekë të vjetra e sipër për të punësuarit ku më shumë se gjysma e të punësuarve do të jenë me të ardhura të pataksuara.

“Kjo prek me lehtësim të gjithë të punësuarit, por nuk ka vetëm kaq. Në mënyrë që të vazhdojmë të mbështesim shtresën e mesme dhe atë manaxheriale të prodhimit do ta rrisim fashën e taksimit me nivelin e ulët deri në 250 mijë lekë. Kjo do lehtësojë ata dhe familjet e tyre konsiderueshëm duke e bërë progresivitetin më të drejte akoma, të prekshëm e më mbështetës. Paga minimale në favor të produktivitetit dhe dinjitetit do të shkojë brenda mandatit të tretë në 38 mijë lekë”, tha ai.

Mandati i tretë, vijoi Ahmetaj i përket familjes shqiptare me një paketë pranë saj për të ndihmuar familjet në nevojë, nënat në nevojë, dhe familjet e reja.

”Familjeve të reja me një nivel të caktuar të ardhurash do t’u ofrojmë 1 milion lekë mbështetje për pagesën fillestare dhe zbutjen e interesit për blerjen e shtëpisë tyre të parë. 2000 banesa në vit për familjet të cilat nuk përfitojnë nga paketa e familjeve të reja. Programi fillon që në 2022 me fond 100 milionë euro. Bonusi i çerdhes për nënën e një familjeje me të ardhura më pak se 100 mijë lekë në muaj, e që nuk ka mundësi për ta çuar fëmijën në çerdhe publike. 10 mijë lekë në muaj për shpenzimet e çerdhes apo kopshtit për familjet me të ardhura deri në 100 mijë lekë në muaj. Për ju nëna dhe baballarë të moshës së tretë, rritja e pensionit në vit do të jetë rreth 6 % nëpërmjet indeksimit të posaçëm, por edhe të kthimit të politikës së bonusit të pensioneve në një politike permanente të furnizimit të përvitshëm të rritjes së pensioneve. Objektivi ynë është dyfishimi i bonusit në 2025. Familjes me ndihmë ekonomike do t’i rritet përfitimi i ndihmës brenda mandatit, por do të adoptojmë një sistem inovativ në favor të këtyre familjeve jo i bazuar në përfitim pasiv të ndihmës ekonomike, por përfitimi i kësaj ndihme nëpërmjet punës”, deklaroi ministri.

Ai u ndal edhe te sistemi i fiskalizimit ku për sipërmarrësit e vegjël që nuk janë në skemën e TVSH nuk do të jenë menjëherë pjesë e fiskalizimit, ndërsa për sipërmarrjen e madhe apo për sipërmarrjen që paguan TVSH, viti i parë i aplikimit të këtij sistemi do të bazohet në dialog e ndërveprim, duke adoptuar një sistem pa gjoba në mënyrë që viti të shërbejë për edukim të tatimpaguesve.

Nga autonomia spitalore tek investimet, Manastirliu në Kongresin e PS: Programi për ngritjen në një tjetër nivel të shëndetësisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, në 30-vjetorin e krijimit të saj, nënvizoi se kjo parti është e vetmja forcë politike që mund ta transformojë, modernizojë dhe ndërtojë të ardhmen e Shqipërisë. Manastirliu ka bërë me dije objektivat madhor të programit të mandatit të tretë për ngritjen në një tjetër nivel të sektorit shëndetësor.

“Ka ardhur momenti ta ngremë në një nivel të ri shërbimin ndaj pacientit me zbatimin e autonomisë spitalore. Fillojmë me Spitalin Memorial të Fier dhe më pas e eksportojmë këtë model kudo në Shqipëri. Brenda 2025 do të krijojmë katër Polet Spitalore që do të bëhen Qendra të referencës diagnostikuese dhe trajtuese në katër rajonet e vendit. Do të ngremë 10 qendra model të mjekësisë familjare, me shërbime të integruara socio-shëndetësore, me fokus problemet e shëndetit mendor, shërbimet për fëmijët dhe të rinjtë, dhe kujdesin paliativ brenda vitit 2024. Do të konsolidojmë Platformën e Integruar të Shëndetësisë Digjitale, që zgjeron sistemet e shëndetësisë elektronike, sistemet e përgjigjes ndaj epidemive, sistemet e menaxhimit të shërbimit farmaceutik dhe rrjetin e Telemjekësisë dhe konsultave ambulatore në çdo nivel shërbimi. Do të ndërtojmë Programin Kombëtar të mjekësisë së specializuar të lëvizshme, me qëllim që, qytetarët dhe në zonat më të thella të vendit të kenë akses periodik në shërbimin shëndetësor”, deklaroi Manastirliu.

Duke folur për investimet në shëndetësi, Manastirliu tha se “kantieri i shëndetësisë nuk do të ndalet dhe do të finalizojmë gjatë këtij mandati projektet e mëdha të ndërtimit të Spitalit të ri Sëmundjeve të brendshme në QSUT, Spitalit pediatrik ne Tiranë, Spitalit Infektiv, Maternitetit Mbretëresha Geraldinë, Spitalit pediatrik në Elbasan dhe Spitalit Rajonal të Kukësit. Viti 2025 do ta gjejë tërësisht të rehabilituar infrastrukturën e të gjitha qendrave shëndetësore dhe ambulancave, në çdo cep të Shqipërisë”.

May be an image of 1 person and standing

Ministrja e Shëndetësisë tha se pandemia e COVID-19 u përballua falë profesionalizmit të stafeve mjekësore, solidaritetit qytetar dhe investimeve në sistemin shëndetësor.

“Pandemia na vuri në provë të vështirë. Por nuk na gjunjëzoi! Iu përgjigjëm me profesionalizmin e stafeve tona mjekësore, dhe me solidaritetin e qytetarëve të mrekullueshëm të këtij vendi. Ia dolëm, sepse i sëmuri i madh që ishte sistemi shëndetësor në vitin 2013, pas një terapie të fortë dhe të pandalur 8-vjeçare, tashmë ishte ngritur në këmbë”, tha Manastirliu.

Duke u shprehur se harta e të dhënave të infektueshmërisë për kontinentit tregon se Islanda dhe Shqipëria janë prej disa javësh me nivelin më të ulët të infektimeve, Manastirliu tha se vaksinimi anti-COVID do të vijojë, derisa qytetari i fundit të vaksinohet.

“Sot, kur ne i afrohemi shifrës së 1 milion vaksinimeve, nuk kemi thjesht 1 milion qytetarë më të mbrojtur. Sot ne kemi garanci të shtuara për biznesin, për turizmin, për ekonominë tonë. Prandaj do të vazhdojmë pa u ndalur, sipas një plani të mirëmenduar, deri kur të kemi vaksinuar edhe qytetarin e fundit, për t’i dhënë goditjen finale virusit, dhe për t’iu rikthyer plotësisht normalitetit”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

Në fjalën e saj në kongres, Ministrja e Shëndetësisë theksoi se angazhimi për Shqipërinë e 2030-ës përpara shqiptarëve është ndërtimi i një sektori shëndetësor, që mishëron ato parime dhe vlera, që dolën fort në pah në këta 15 muaj të vështirë të pandemisë: Solidaritet, Barazi dhe Shëndet për të Gjithë.

Ministri Çuçi paralajmëron: Në Shqipëri do të vijnë dronët superinteligjentë për kontrollin e territorit. Iku koha kur policët shtynin makinat që nuk ndizeshin

Gjatë fjalës që mbajti në Kongresin e PS-së, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi paralajmëroi mbërritjen në Shqipëri të dronëve superinteligjentë për kontrollin e territorit.

“Kjo nuk është as retorikë as inerci, por çka po them është e mbështetur në përgatitjen për të bërë një kapërcim historik për të cilin mjafton t’ju jap një shembull: Këtë rrugë e kemi nisur me zëvendësimin e makinave që nuk ndizeshin dhe i shtynin policët. Në këtë mandat të tretë do e nisim me sjelljen në Shqipëri të dronëve superinteligjentë. Shqipëria do të hyjë modestisht për nga sasia, por edhe njësoj për nga cilësia, në rendin e vendeve me teknologji më të avancuar në këtë drejtim”, tha Çuçi.

Duke folur për kontrollin e territorit, Çuçi tha se do të marrë fund epoka e zaptimit dhe ndërtimeve vend e pavend pikërisht duke monitoruar gjithçka përmes pajisjeve teknologjike të fundit siç janë dronët superinteligjentë.

May be an image of 1 person and standing

“Ne do të shtrimë fuqinë e revolucionit dixhital në të gjitha strukturat e zbatimit të ligjit, ku përmes kapaciteteve të inteligjencës teknologjike, do të kontrollojmë me precizion çdo metër katror të territorit të Shqipërisë. Do të marrë fund epoka e zaptimit, pavarësisht mbiemrit apo fuqisë që ke, ose për kë voton. Asnjë tolerancë! Me teknologjinë do bëjmë të mundur kontrollin e territorit dhe të kufirit, për parandalimin e çdo forme paligjshmërie, nga trafiqet, tek kultivimi i bimëve narkotike”, tha Çuçi.

Kujtojmë që Ministri i Brendshëm ishte së fundi në Turqi ku vizitoi fabrikën “Baykar Defense”, e cila prodhon dronë të teknologjisë së lartë. Çuçi tha se Shqipëria po vlerëson mundësinë për marrjen e këtyre dronëve për qëllime civile e urbane.

Balluku: Infrastruktura e transportit ajror dhe detar mund të konsiderohet si “xhevahiri i kurorës” i planit strategjik

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku iu drejtua Kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së, duke paraqitur platformën zhvillimore në këto dy sektorë.

“Është një nder dhe krenari e veçantë të marrësh fjalën në këtë kongres, që mund të konsiderohet padyshim historik. Ne vijmë pas një beteje elektorale nga më të fortat që janë zhvilluar ndonjë herë në këto 30 vite pluralizëm. Një betejë në të cilën u përballën dy botëkuptime krejt të ndryshme për të ardhmen e Shqipërisë dhe ku progami e vizioni ynë për këtë të ardhme shenjoi edhe rezultatin e kësaj përballjeje elektorale”, tha Balluku.

“Edi Rama dhe Partia Socialiste ja dolën të arrijnë një sukses historik me fitoren e mandatit të tretë qeverisës, një sukses ky i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndaj, ne jemi sot këtu në këtë kongres për të konfirmuar vullnetin e palëkundur që kemi për të ecur më shpejt përpara me programin dhe vizionin tonë Shqipëria 2030”, vijoi ajo.

“Partia Socialiste nuk është krenuar kurrë me kilometra elektorale, si 10 mijë kilometrat e trumpetuara nga Partia Demokratike, nga të cilat nuk u bënë realisht as një e dhjeta, por me cilësinë dhe sigurinë e tyre. Rrugët janë të domosdoshme, por Shqipëria 2030 nuk mund të jetë një vend në të cilin i vetmi transport që ekziston është ai me autoveturë.
Shqipëria i ka të gjitha kushtet që të jetë si të gjithë vendet e tjera europiane, ku rrjetet e infrastrukturës dhe transportit të ndërthurura në mënyrë efikase, krijojnë mundësi dhe hapësira zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm”, theksoi Balluku.

Infrastruktura e transportit ajror dhe detar përbëjnë atë që mund të konsiderohet si “xhevahiri i kurorës” së planit tonë strategjik, vijoi Balluku.

“Një nga zhvilluesit më të rëndësishëm në botë, ka zgjedhur Durrësin për të ndërtuar aty një superstrukturë, kompletuar me një marinë jahtesh, infrastrukturë turistike dhe komplekse rezidenciale, që do ta pozicionojë Shqipërinë në hartën e turizmit elitar mesdhetar. Por, aspiratës tonë për të qënë hotspot turistik në Europë, nuk mund ti shërbejnë më portet ekzistuese, me infrastrukturë të amortizuar e të orientuar drejt peshkimit e mallrave. Ndaj, jo vetëm Durrësit, por dhe Vlorës do ti japim një port të ri tregtar në zonën industriale të Triportit, për të çliruar qytetin nga trafiku, ndotja ambientale dhe akustike, e cila do t’i lërë vendin një porti elitar jahtesh që do të kompletojë vijën e mrekullueshme të Lungomares”, theksoi Balluku.

“Do të rindërtojmë plotësisht Portin e Sarandës dhe Shëngjinit me të gjithë komponentët tregtarë dhe turistikë; kështu do të kemi mbuluar të gjithë vijën bregdetare me infrastrukturën e duhur, të aftë për të akomoduar të gjitha llojet e shërbimeve komerciale e turistike. Portat e ajrit, sikurse ato të detit, janë një tjetër mundësi për zhvillimin e qënësishëm të ekonomisë së vendit në përgjithësi dhe turizmit në veçanti”, vijoi ajo.

May be an image of 1 person, standing and indoor

“Aeroporti i Kukësit do të jetë plotësisht funksional. Air Albania jonë u ul atje, ndërsa kundërshtarët tanë propagandonin se aeroporti i Kukësit është projekt 3D.
E pra, aeroporti i Kukësit është një premtim i mbajtur, një sfidë që Edi Rama e fitoi kundër të gjithë skeptikëve dhe baltëhedhësve profesionistë, është realitet i ndërtuar dhe i certifikuar, përfitimet e të cilit shumë shpejt do të ndihen jo vetëm në ekonominë e zonës, por edhe atë kombëtare. Ne do ta ulim Air Albanian edhe në Vlorë, aeroporti i ri ndërkombëtar i shqiptarëve që do t’u japë mundësi atyre të kryejnë edhe fluturime të drejtpërdrejta transoqeanike; do t’a ulim edhe në Sarandë, duke e bërë jugun e Shqipërisë të aksesueshëm nga të gjithë vendet e botës”, tha Balluku.

“Në Shqipërinë 2030, ne nuk do të flasim më për rrugë të shtruara apo të pashtruara, por do të shfrytëzojmë rrjetet infrastrukturore rrugore që po zhvillojmë. Brenda vitit përfundon Rruga e Arbrit, një ëndërr historike që bëhet realitet 30 vjet pasi u premtua dhe që nxjerr nga izolimi veriun e Shqipërisë. Aksi Kardhiq-Delvinë do të përfundojë gjithashtu, duke përshpejtuar aksesin e qytetarëve dhe turistëve qe duan të kalojnë nga Tepelena e Gjirokastra në bregdet. Brenda mandatit të tretë do të kompletojmë akset e munguara të Korridorit Blu. Ne do të përfundojmë zinxhirin infrastrukturor të nisur me bypassin e Fierit dhe që vazhdon me bypasin e Vlorës, rrugën Orikum-Dukat e më pas me tunelin e Llogarasë, portën e magjishme, ëndrrën e të gjithë shqiptarëve për të aksesuar në vetëm 7 minuta perlat e bregdetit të jugut”, theksoi Balluku.

Sipas saj, rruga e Karvaneve, akset Qukës – Qafë-Plloçë, Librazhd – Bulqizë, Berat – Këlcyrë do të nxisin zhvillimin turistik, bujqësor dhe industrial në një bosht të ri, Lindje – Perëndim. E ndërkohë që konkludojmë lidhjen e Shqipërisë nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim me infrastrukturë rrugore, ndërlidhja rajonale do të ishte e paplotë pa një modalitet transporti efikas e miqësor me ambientin.

“Përveç linjës hekurudhore të shpejtësisë së lartë Tiranë-Rinas-Durrës, e cila ka marrë rrugë tashmë, do të vijë edhe linja e re Pogradec-Korçë-Greqi, e cila do të bëjë shumë më të leverdishme dhe të shpejtë lëvizjen e mallrave dhe pasagjereve në drejtim të Greqisë, Bullgarisë, Turqisë, por dhe Maqedonisë së Veriut përmes degëzimit në Lin, duke jetësuar kështu Korridorin e VIII-të. Ndërsa lidhja me Malin e Zi do të realizohet nëpërmjet rehabilitimit të hekurudhës Vorë – Han i Hotit. Të gjithë këto projekte përforcojnë njëri-tjetrin dhe ndërthurren duke krijuar organikisht nyje në pika kyçe të territorit shqiptar”, vijoi Balluku.

“Nyjet e Kukësit, Milotit, Durrësit, Tiranës, Rrogozhinës, Pogradecit dhe Vlorës do të përbëhen nga autostrada, porte, aeroporte, hekurudha dhe pika të kalimit kufitar, duke përmirësuar aksesin, kostot dhe gamën e mënyrave të transportit, në funksion të sipërmarrjes, turizmit, sigurisë, por dhe jetës së përditshme”, theksoi ajo.

Sipas Ballukut, po kaq ngushtësisht të lidhur me zhvillimin ekonomik janë dhe dy sektorët jetikë të ujit dhe energjisë elektrike, që tashmë janë futur në rrugë të mbarë dhe po japin dita-ditës rezultate të prekshme nga qytetarët.

“Deri në vitin 2013, Shqipëria ishte “superfuqia” e vetëshpallur energjetike që po falimentonte për shkak të gropës së zezë të hapur në buxhetin e shtetit nga mospagimi i faturave elektrike dhe mbi 500 HEC-et korruptive që u ngritën si çiban mbi çdo lumë apo përrua të Shqipërisë. Ndërsa vendi projektonte të ndërtonte centrale bërthamore me vlerë dy herë më të lartë se i gjithë buxheti shtetit marrë bashkë, gjysma e energjisë së prodhuar humbiste në rrjet. Hidrocentrali i Skavicës, një projekt 50-vjeçar i mbetur si një ëndërr në sirtar për të gjitha qeveritë, tashmë është një realitet. Një nga kompanitë më të mëdha amerikane ka nisur nga puna, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse shqiptare për realizimin e këtij projekti, që do të shënohet si projekti më i madh energjetik në vendin tonë me një investim prej 550 milionë euro. Por, pa harruar Parqet Fotovoltaike të Karavastasë dhe Spitallës me 240 MW në total, të cilat do të ndikojnë në mënyrë drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë energjitike në vend, si dhe në objektivin primar që është shndërrimi i Shqipërisë nga importues në eksportues energjie. Pesëfishojmë prodhimin e energjisë së gjelbërt nga burimet diellore dhe eolike, me një paketë investimesh mbi 350 milionë euro, duke realizuar kështu strategjinë e diversifikimit të burimeve të rinovueshme dhe rritjes së prodhimit vendas, e si rrjedhojë uljen e çmimit për abonentet familjare, por edhe për biznesin”, u shpreh ministrja.

Shqipëria 2030 do të jetë Shqipëria e ëndrrave tona e bërë realitet”, tha Balluku.

Gjonaj: Çështje që konsideroheshin të harruara si Gërdeci dhe 21 janari, janë rikthyer, ne besojmë që do t’u shkohet deri në fund me sistemin e ri të drejtësisë.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh e nderuar të flasë në këtë Kongres të veçantë të Partisë Socialiste, forca politike që fuqizimin e shtetit të së drejtës, angazhimin për shtetbërje dhe drejtësi në këtë vend, e ka pasur dhe e ka pjesë të ADN-së së saj, qëllim të çdo reforme që ka udhëhequr prej vitesh, në rrugën e integrimit euro-atlantik të vendit.

“Sot reforma në drejtësi është një realitet. Tashmë të gjithë e pranojnë dhe e vlerësojnë pavarësinë reale, kushtetuese dhe ligjore, që ne i kemi dhënë sistemit të drejtësisë së re, pastrimin e sistemit prej gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe të paaftë për të përmbushur këtë mision të nderuar, mbështetjen e jashtëzakonshme që i kemi dhënë funksionimit të institucioneve të reja të drejtësisë, për t’i bërë ato funksionale dhe eficente. Tashmë është koha që ato të dëshmojnë përgjegjshmëri dhe integritet, besim të qytetarët përmes rezultateve pozitive”, tha ajo.

“Arritjet e para të sistemit të ri të drejtësisë kanë filluar të jenë të prekshme. Lajmet e periudhës së fundit janë shumë inkurajuese, sepse tregojnë se Drejtësia vonon, por nuk harron. Çështje që konsideroheshin të harruara në sistemin e drejtësisë, si Gërdeci dhe 21 janari, janë rikthyer, dhe ne besojmë që do t’u shkohet deri në fund me sistemin e ri të drejtësisë. Simbolet e pandëshkueshmërisë, miti i pandëshkueshmërisë janë duke marrë një goditje të fortë për tu shndërruar në mentalitetin e ri të funksionimit të sistemit të RI të drejtësisë, të vetë shtetit. E ky, është vetëm fillimi i një rruge pa kthim”, tha Gjonaj.

“Ne do të vijojmë mbështetjen aktive për funksionimin tërësor të sistemit të ri të drejtësisë, me mbështetjen, asistencën dhe garancinë e partnerëve tanë BE dhe SHBA. Ëndrra jonë evropiane nuk mund të kuptohet pa një drejtësi evropiane.

May be an image of 1 person and standing

Ne do të vijojmë të mbështesim rritjen e transparencës dhe aksesin e qytetarëve në organet e drejtësisë. Do të promovojmë drejtësinë alternative dhe do të vijojmë të garantojmë drejtësinë sociale me qëllim që çdo qytetari në pamundësi, t’i garantohet avokati falas nga shteti. Ne do të vazhdojmë të punojmë fort për të pasur në çdo hap një qeverisje miqësore dhe bashkëpunuese me qytetarët dhe në shërbim të tyre. Tashmë kemi ndërtuar bazat për të patur më shumë ndërveprim të administratës nëpërmjet platformave efiçente të ofrimit të shërbimeve online ndaj qytetarëve,  me qëllim shkurtimin e stacioneve në marrjen e çdo shërbimi nga zyrat e shtetit”, vijoi ajo.

Reformën e filluar për pronën, si një gangrenë e kahershme me kosto të jashtëzakonshme për të gjithë qytetarët, biznesin dhe zhvillimin ekonomik e social, do ta çojmë deri në fund dhe gjatë kësaj dekade do të synojmë të përmbyllim çdo çështje që lidhet me titujt e pronësisë duke e pasur si kujtim të largët problemin 30 vjeçar të pronave.

Natyrisht drejtësia është kthyer në kryefjalën e çdo njeriu, kjo edhe për shkak të pabarazisë të pasurimit të disa politikanëve, bzinesmenëve dhe individëve pjesë të sistemit të drejtësisë së vjetër. Tashmë  me funksionimin e sistemit të ri të drejtësisë dhe fuqizimin e agjencive ligjzbatuese ne do të vijojmë më fort betejën ndaj korrupsionit, në një marrëdhënie të ngushtë me qytetarët duke nxitur denoncimet e tyre ndaj fenomeneve korruptive, si dhe do të ndëshkojmë çdo rast të abuzimit me detyrën dhe përfitimi të paligjshëm.

Me kontributin e të gjithëve ne mund të arrijmë një qeverisje më të mirë, më llogaridhënëse dhe transparente me integritetin si motor lëvizës.

Kontrata politike e drejtësisë pa kompromis, e shërbimeve pa korrupsion dhe e jetës së sigurt është më shumë sesa angazhimi elektoral i Partisë Socialiste, është kontrata jonë me qytetarët në mandatin tonë të tretë.

Kjo është një tjetër garanci e fortë që Shqipëria e 2030, e fëmijëve tanë, të jetë një vend më i drejtë për të gjithë ne, një vend që ofron shpresë e besim për të gjithë dhe veçanërisht për të rinjtë”, tha ministrja.

Ekonomi: Dyfishojmë financimin për subvencione direkte tek fermerët 

Ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi duke marrë fjalën në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së, theksoi se “ky mandat fillon në një moment, kur bujqësia është në një stad tjeter zhvillimi, kur sipërmarrja private bujqësore është rritur dhe mbështetur me teknollogji bashkëkohore dhe ku sot shumë procese janë automatizuar, falë premtimeve dhe angazhimit tonë”.

Ekonomi tha se skemat e mbeshtetjes direkte për fermerin shqiptar janë shtuar, dhe falë digjitalizimit te proceseve administrative nepermjet e-albania, aplikimet për to janë lehtësuar.

Fermeri shqiptar sot e sheh veten më të lidhur me rrjete ndërkombëtare krahasuar me një sërë operatorësh në sektorë të tjerë. Është fakt që kujdesi i fermerit për tokën është rritur, duke e vleresuar atë si një aset të çmuar për ta punuar, por edhe për të shtuar të ardhurat e familjes.

“Nje premtim i rëndësishëm që ne socialistët e mbajtëm ishte ai per karten e naftës falas per fermerët, me plot 20,561 përfitues. Ajo që dukej e pamundur kohë më parë, për të vendosur rregulla dhe aplikuar lehtësitë fiskale për 27 artikuj të nevojshëm në sektorin e peshkimit, u realizua, ndaj eksportet e produkteve te detit nga 40 milione dollare ne 2013, u rriten ne 130 milione dollare ne vitin 2020. Perkunder veshtiresive qe solli pandemia, ne 2020 Shqipëria ka përjetuar një prej rritjeve më të mëdha në eskportet e prodhimeve bujqësore dhe të agropërpunimit të dhjetëvjecarit. Bilanci tregtar arriti nivelin më të ulët historik në raportin (1:2.9) duke dëshmuar per rritjen dinamike të eksporteve bujqësore dhe zgjerimin në tregje ndërkombëtarë, por gjenerimin e me te larte në të ardhurat për frymë të fermerëve”, theksoi Ekonomi.

Ndaj, vijoi ajo, në këtë mandat të tretë, objektivi ynë per sektorin eshte qe te rrisim exportet tona bujqesore me 3 here. Ato do të kapin shifrën 1,2 miliardë dollarë duke shërbyer si matesi i nje modeli zhvillimor dinamik.

“Këtë do ta bëjmë të mundur përmes politikave qe synojne te stimulojnë produktivitetin nga njera ane, dhe mbështetja e shenjestruar nga ana tjeter, duke sjelle keshtu nje rritje te qendrueshme të sektorit në drejtim të të ardhurave dhe punësimit per fermerin.

May be an image of 3 people, people standing and text that says 'liste'
Keto politika do kene shtrirje si horizontale, duke ndikuar ne gjithe nen-sektoret bujqesor, por edhe vertikale, per te nderhyre ne menyre te dedikuar sipas nevojave te operatoreve bujqesorë. Konkretisht, në nënsektorin bujqesor te gjithe jemi deshmimtar se shtimi i sipërfaqes së serrave ka qene një prej inovacioneve teknologike kryesore në prodhimin bujqësor, duke transformuar kapacitetin prodhues të parcelave të vogla të tokes dhe duke mundësuar kultivimin gjithëvjetor të kulturave bujqësore me potencial eksporti. Ndaj, ne kete mandate synojme te trefishojme  siperfaqen e serave si edhe të shtojmë sipërfaqen e mbjelle nëpërmjet futjes në qarkullim të tokës bujqësore shtet prej inciativave private dhe investimeve te huaja direkte”, tha Ekonomi.

Për të arritur këtë, theksoi ajo, roli i inovacionit dhe risive teknollogjike do të bëhen te domosdoshme per të rritur produktivitetin dhe diversifikuar kulturat me cikle te ndryshme prodhimi, qe kane avantazhe konkurruese ne tregjet ndërkombëtare.

Mandati i trete perkon me fillimin e nje SKEME KOMBETARE VJETORE per te realizuar rigjenerimin e plote te flotes tone te peshkimit. Dhe ky eshte nje angazhim qe socialistet do e cojme perpara qe nga fillimi i vitit te ardhshem.

Nderkohe nën-sektori i Bimeve Aromatike Medicinale ka vijuar konsolidimin dhe diversifikimin e prodhimit. Sot eksportohen esenca etero-vajore me vlerë të lartë drejt tregjeve te BE dhe SHBA, ndaj mbeshtetja per kete sektor potencial dhe me aftesi perthithese 10 here me te larta se sot, do te vazhdoje.

Se fundi, edhe pse jo per nga rendesia, mbeshtetja e sipermarrjeve bujqesore dhe agro-turistike eshte nje mundesi e shkelqyer per te forcuar rolin ekonomik te gruas rurale. Shtimi i produkteve te certifikuara dhe zgjerimi i zinxhirit te marketimit te tyre, do te mbeshteten dhe ne kete mandat. Keto do te sherbejne si nje mundesi per vitalizimin rural, por do te gershetohen me nderhyrje te shenjestruara ne fshat ku zhvillimet infrastrukturore ne rruge, ujë të pijshëm dhe ndriçim”, përfundoi ministrja Ekonomi.

Kongresi i PS, Evis Kushi: Studentëve tanë do t’iu krijojmë alternativat europiane edhe këtu, në Shqipëri

Në Kongresin e Partisë Socialiste, ministrja Evis Kushi ka ndarë vizionin e PS në fushën e arsimit për mandatin e ri qeverisës dhe “Shqipëria 2030”.

Duke e cilësuar fillimisht arsimin si një prioritet madhor, Kushi u shpreh se reformat e ndërmarra vitet e fundit bashkë me rezultatet e tyre pozitive vit pas viti kanë treguar se jemi në rrugën e duhur.

Ajo përmend faktin se në fokus të veçantë do të jetë edhe arsimi i lartë dhe shprehet se duhet pranuar që reforma në arsimin e lartë nuk i ka dhënë plotësisht rezultatet e pritshme për një përparim progresiv e të qëndrueshëm. Sipas saj, kjo shikohet qartë edhe nga të dhënat që flasin për të rinjtë e të rejat në ndjekjen e studimeve të larta.

“Një pjesë e tyre, madje shpesh herë më të mirët prej tyre, ata me rezultate të shkëlqyera, duhet të largohen jashtë Shqipërisë për të vazhduar studimet në universitete të huaja. Natyrisht që gjithmonë, edhe kur të jemi në nivele më të larta, do të ketë disa prej studentëve ekselentë që do të vazhdojnë të shkojnë për studime jashtë vendit, në universitetet më prestigjioze europiane. Por ne nuk mund të pranojmë që kjo të jetë zgjedhje e detyrueshme për ta. Ne nuk mund të pranojmë që ata të mos kenë zgjedhje alternative këtu, në Shqipëri,” – tha Kushi.

May be an image of 1 person and standing

Për këtë arsye, ajo nënvizoi se “ne do të punojmë intensivisht dhe do të bashkëpunojmë ngushtësisht me universitetet tona për të sjellë këtu përvojat më të mira europiane. Ne duam të ngremë struktura ekselence europiane që mund të jenë edhe programe studimi të përbashkëta, por mund të jenë edhe departamente, fakultete apo edhe universitet si i tërë, për t’i dhënë mundësinë të gjithë atyre që duan të bëhen inxhinierë të aftë, mjekë të dalluar, informaticienë profesionistë që të marrin diploma me vlerë, njësoj si në universitetet më të mira të BE”.

Një pjesë të mirë të fjalës së saj, Kushi ia kushtoi edhe arsimit parauniversitar, ku shprehu aspiratën europiane të PS për të mbështetur nxënësit tanë në përfitimin e aftësive të reja të shekullit të 21, me qëllim final përgatitjen e profesionistit të aftë, punonjësit të suksesshëm dhe qytetarit të denjë të vitit 2030.

Sipas saj, nisja e gjuhës angleze që në klasë të parë shtatorin e ardhshëm, zbatimi i Programit Kombëtar për Programimin (Kodimin), artin dhe zejet, përforcimi i modelit të edukimit fizik dhe klasave sportiv, shtimi i investimeve në infrastrukturën shkollore, rritja profesionale e mësuesve etj., janë disa pikave që do të jenë në fokus të veçantë në zhvillimin e mëtejshëm të arsimit parauniversitar.

 

/ argumentum.al

© Argumentum