Sukses dhe sfidë! Rikthimi i madh! Dialog&diplomaci! Samitet si simitet! (Pa)Dialog! Pa “Bibin”!

Realpolitik “ flash” Nr. 34  

  1 - 17 QERSHOR 2021

 EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 6  ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur

Dr. Jorgji KOTE

 ***

1.Sukses dhe sfidë!  është zgjedhja për herë të parë e Shqipërisë  në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, më 11 Qershor, si antar i përkohshëm për vitin 2022 - 2023. Sukses i spikatur  i diplomacisë sonë në vijimësi, me ndikim pozitiv në imazhin e vendit dhe pasurimin e përvoës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, aq. Por pa eufori dhe tepërime, kur mendon se vështirë të ketë mbetur vend tjetër pa qenë atje në 30 vitet e fundit. Madje, Maqedonia dhe Serbia kanë patur disa vite më pare Kryetarin e Asamblesë së OKB-së. Është më shumë sfidë e brendshme politike, sepse nuk  ndihmon dhe kontribuon dot jashtë, sidomos në majën e OKB-së, kur nuk ke shtëpinë  në rregull! Se ndryshe nga 20 - 30 vite më parë,  antarësimi dhe kryesimi i organizatave  ndërkombëtare është bëtë diçka e zakonshme.

2.Rikthimi i madh  Euro - Atlantik ishte turi i parë i Presidentit Joe Biden në Britani, Bruksel dhe Gjenevë më 11 - 16 Qershor. Këtë radhë ishte tërësor, i plotë, i shumëfishtë dhe në momente përcaktuese për Aleancën Perendimore dhe njerëzimin. Biden e bëri këtë rikthim me gjithçka - buzëqeshjen, sharmin, shtrëngime duarsh, premtime, marrëveshje, me bashkim vlerash dhe parimesh. Me “ kuartetin” tematik - shëndeti, klima, pandemia dhe sfida Rusi/Kinë; me Kartën e re Atlantike  prej 25 faqesh, Deklaratën e Samitit të NATO-s me 75 paragrafë mbi strategjinë e saj të re 2030, mbylljen e sherrit tregtar 17 vjeçar midis gjigandëve “ Airbus dhe Boeing” etj. Natyrisht, ky është vetëm fillimi, ka ende goxha rrugë për të bërë, plot pendesa dhe pengesa; gjithsesi, ky rikthim bindës është  ogur i mirë dhe i mbarë për Euro - Atlantizmin.

3.Dialog & diplomaci!

Ishte binomi strategjik në veprimtaritë e lartpërmendura, sidomos lidhur me Rusinë dhe Kinën. Kjo jo vetëm “në frymë” por dhe “ në gërma” Me fonde dhe programe konkrete. Spikat projekti gjigand infrastrukturor “  Të ndërtojmë një botë më të mirë” si alternativë ndaj “ Mëndafshit kinez”, akordimi i 100 Miliard Euro për klimën, dhënia falas deri vitin tjetër e  2,3 miliard vaksinave dhe menaxhimi  i pandemive brenda 100 ditëve, për të mos e pësuar më si me COVID - 19.

Plus dialog& dekurajim, nisur nga cilësimi i trefishtë i Kinës dhe Rusisë si partnere, konkurente dhe rivalë. Jo vende armike, por me sfida serioze të përbashkëta gjeopolitike të njohura që duhen përballuar bashkërisht. Por dhe me dekurajim, nëpërmjet sanksioneve më të forta, ndihmave ushtarake për vendet e rrezikuara, dhe masa të tjera ndëshkuese atje ku ato “ kalojnë vijat e kuqe” dmth, shkeljen e të drejtave të njeriut, sulmet kibernetike, ndërhyrjet në procese zgjedhore, etj. Me synimin madhor, nga njera anë krijimin e bllokut global demokratik përballë rregjimeve autoritare dhe nga ana tjetër qëndrueshmëri dhe parashikueshmëri si objektivi minimal strategjik në marrëdhëniet e Perëndimit me to. Ama, dialog&dekurajim, jo konfrontim ushtarak, se ai të çon në qorrsokak! Pastaj, siç thonë, duke parë e duke bërë! Ja pse Samiti Biden - Putin është inkurajues, duke ridëshmuar domosdoshmërinë e dialogut&diplomacisë, si alternativa të pazëvendesueshme në këtë fushë “ të minuar.

4.Samitet si simitet! janë bërë në Ballkanin Perendimor ku kanë mbirë “si kërpudha pas shiut” Me riclikime lajmesh dhe premtimesh, me “ ha dhe fol” por me “vend numëro” në praktikë. Vetëm brenda këtij muaji 7 samite rajonale -  Selanik, Brndo - Brijon, Bruksel, Tiranë, Stamboll, ai virtual i Ministrave të Jashtëm, plus Samitin tjetër më 5 Korrik në Berlin. Veç takimeve të tyre në samitet e BE-së, NATO-s, etj. Megjithë rëndësinë e tyre, është koha për t’i reduktuar, duke i zëvendësuar me hapa dhe realizime në praktikë. Ndryshe do të kthehen në rutinë dhe “ qoka diplomatike” pa efekt.

5.(Pa)Dialog Kurti - Vuçiç ishte ai që  rifilloi më 15 Qershor në Bruksel. Aty pati zhurmë, bujë, nervozizëm në kulm nga pala serbe, 4 propozime nga Prishtina, prej të cilave 2 të panevojshme që hapin telashe dhe vonesa, por  dialog të vërtetë Jo! Vetëm “ dialog  “shurdhësh”, ku nuk u ra dakord për asgjë, veç 25 Korrikut vijues. Kjo nuk të çudit, sepse  qëndrimet refraktare serbe por dhe nisma për padinë e Prishtinës për genocidin serb  mjaftojnë për të “ helmuar” klimën dhe atmosferën  e dialogut, duke lenë  pak vend për optimizëm. Kjo ndodh mbasi “katalogu” i problemeve në Prishtinë nuk shqyrtohet paraprakisht nga ekspertët dhe nuk konsultohet me partnerët tanë, por “ udhëton” drejt Brukselit, thjesht për një “ show” dialog; ku secila palë krijon përshtypjen se ka dalë fituese, edhe pse “pa gjë në xhep”. Nga ana tjetër, megjithë problemet, ky dialog nuk fillon kursesi nga zero, por vijon si “ follow up”, duke respektuar detyrimet e mëparshme. Megjithë gjynahet e Prishtinës, padyshim që pengesa më e madhe është Serbia, aty ka “ ngecur sharra në gozhdë ”; por Beogradi vazhdon “ të kullosë  jo vetëm në grazhde”t e BE&SHBA-ve, por dhe të Rusisë&Kinës, dhe fatkeqësisht pa i hyrë ende “ gjemb në këmbë”. Por lajmi i mirë është angazhimi i shtuar i  përbashkët nga SHBA-të dhe BE-ja në rajon.

6.Pa “Bibin” siç njihet ish-Kryeministri i Izraelit, Beniamin Netinanahu, pas 12 vitesh në pushtet, mes krizash dhe turbulencash të shumta, më 14 Qershor filloi punën koalicioni i ri qeveritar. Për herë të parë në  70 vitet e fundit, aty  ka një koalicion me 8 parti, të kryesuar nga “Jamina” e qendrës së djathtë e Naftali Bennett dhe e qendrës së majtë e Jair Lapid; të cilët dy do të alternohen si kryeministra me nga dy vjet secili. Për herë të parë do jetë në qeveri “  Lista e Bashkuar Arabe”  Ky ndryshim cilësor ishte i nevojshëm pas një destabiliteti politik; me katër palë zgjedhje parlamentare në dy vite dhe pa një fitues të qartës! Kjo falë dhe akrobacive politike ndërkombëtare të Netianahut. Ndonëse i akuzuar për korrupsion, ai e ka sfiduar drejtësinë, duke konkuruar në zgjedhje!” Duke krijuar një problem dhe dyshim të madh për demokracinë, veç problemit me Palestinën. Kryeministri Naftali Bennett ishte dhe në kabinetin e mëparshëm qeveritar, pa dallime me Netianahun për çështjet themelore. Në fakt, ajo që  bashkoi opozitën ishte kryesisht heqja qafe e Netianahut, që ka filluar qysh tani kërcënimet politike! Ndaj, frika dhe pasiguria për një riciklim të krizës mbetet. Askush nuk thotë dot nëse ky koalicion i brishtë do ta mbyllë mandatin 4 vjeçar, për shkak të rreziqeve nga brenda dhe nga jashtë.

argumentum.al

© Argumentum