Takimi Rama-Zaev në Forumin Ekonomik të Shkupit: “Jemi shumë të vegjël për të jetuar të izoluar nga njëri-tjetri"

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Forumin Ekonomik të mbajtur në Maqedoninë e Veriut, ku foli edhe për vendimin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të mos caktuar datën për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të vetos së vendosur nga Bullgaria.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se “gjendem këtu bashkë me vëllain tim Zoran, pas diçkaje jo të re për mua ndodhur në Bruksel dhe diçka që nuk është e re edhe për Zoranin”.

“Sërish na duhet të presim, por për mua kjo nuk është pritje, është njësoj si përherë ajo që duhet të bëjmë: është të vazhdojmë të ecim, të ecim, jo vetëm të mbështetemi tek ajo çfarë do të thotë Brukseli, por të mbështetemi tek vetja, tek njerëzit tanë, te energjia jonë dhe të bëjmë sa më shumë të jetë e mundur që t’i shkrijmë misionet në një mision, popujt në një popull, vendet në një zonë ku nuk ka kufij për bashkëpunimin dhe ku katër liritë e Europës zbatohen”, – u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “jemi shumë të vegjël për të jetuar të izoluar nga njëri-tjetri, jemi shumë të vegjël për të kërkuar atë çfarë meritojnë fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve tanë. Por së bashku ne mund të arrijmë atë që ata kërkojnë, pra hapësirat kufizohen nga kufijtë tanë, nuk janë tërheqëse mjaftueshëm për të synuar një ndryshim transformues si ekonomi. Por së bashku është një zonë tërheqëse dhe na takon ne ta bëjmë të tillë edhe në mënyrë realiste një zonë të cilës mund t’i afrohen të gjithë për të investuar, për të parë zhvillim ekonomik për kompanitë, njerëzit në këtë hapësirë”.

Lidhur me fitoren në zgjedhje, Rama tha se “mendoj që sipas përkufizimit çdo fitore e fundit është më e bukura, kështu që nuk do të jetë aq e bukur sa tjetra. Në fund fitoret në politikë nuk janë si fitoret në sport, sepse kur fiton një trofe aq është, kur fiton zgjedhjet ai është vetëm fillimi. Ka të bëjë me të fituarit e privilegjit për të shërbyer dhe me përballjen e një misioni mjaft sfidues”.

Pyetjes nëse ka diskutime për marrëveshjen e arbitrimit dhe për çështje të tjera dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë, Kryeministri Rama tha se “së pari, nuk janë të lidhura. Së dyti, ka çështje midis nesh, por unë nuk dua të flas për çështjet si problem, por dua të flas për çështjet si mundësi, pasi sa më shumë t’i trajtojmë ato, aq më mirë është për ne dhe popujt tanë”.

“Sepse kur sheh njerëzit ndihesh keq që je politikan në këtë marrëdhënie, nuk ka asnjë problem mes grekëve dhe shqiptarëve, as nuk ka problem midis shtetasve grekë e shqiptarë në Shqipëri, ku ne kemi një minoritet të rëndësishëm grek. Natyrisht nuk ka asnjë problem midis qytetarëve grekë e shqiptarë në Greqi. Janë shumë përpara nesh dhe kanë kuptuar që kanë nevojë për njëri-tjetrin. Kështu që na duhet dhe kemi nevojë të jemi në të njëjtin nivel e të reflektojmë këtë mirëkuptim të njerëzve të zakonshëm, për të jetuar së bashku krah për krah”, – tha Rama.

“Kur bëhet fjalë për çështjen e kufirit detar ne kemi vendosur të shkojmë në gjykatë dhe jemi shumë të lumtur që pala greke e pranoi këtë, ishte alternativa ime e parë që tërë kohës kur jam bërë Kryeministër. Sepse ne jemi ballkanas, jemi mesdhetarë, jemi njerëz pasionantë dhe është e vështirë që të jemi objektivë kur duhet të diskutojmë diçka. Kështu që na duhet një arbitër. Kjo do të ndjekë rrugën e vet”, – tha Rama.

Sa i përket ligjit të luftës, vijoi Rama, ky është një prej paradokseve të mëdha, sepse zyrtarisht ne jemi në luftë me Greqinë.

“Ndaj shpresoj se qeveria greke do ta heqë, ndaj shpresoj se është diçka që kemi mbetur ende mbrapa njerëzve. Nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë së Bashkëpunimit të Sigurisë dhe Fqinjësisë së Mirë në 1996 sigurisht ishte shprehje e realitetit. Jemi në një marrëdhënie ku na duhet të jemi fqinjë shumë të mirë, por na duhet të jemi edhe në luftë me njëri-tjetrin, dashuri tipike ballkanike. Por mendoj se na duhet ta heqim këtë, të mos duam e urrejmë në të njëjtën kohë”, – theksoi Rama.

Zaev: Na duhet një Ballkan që ndërton një të ardhme të prosperuar

Maqedonia e Veriut i ushqen vlerat europiane, demonstron sjellje europiane, vullnet politik dhe ndërton marrëdhënie të mira fqinjësore të nevojshme për prosperitet ekonomik dhe një standard më të mirë për qytetarët, tha kryeministri Zoran Zaev në hapjen e Forumit të parë Ekonomik të Shkupit.

”Na duhet një Ballkan i prosperuar ekonomikisht i shekullit XXI, i integruar në BE. Një Ballkan që jeton në të tashmen dhe ndërtojnë një të ardhme të prosperuar, ndërsa e kaluara është një mësim që ndarjet dhe grindjet nuk çojnë askund”, theksoi ai.

”Vendi ynë i ka përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e negociatave për kapitujt e anëtarësimit në BE, gjë që konfirmohet pa kushte nga Komisioni Europian, si dhe nga shumica dërrmuese e 26 nga 27 vendet anëtare. Unë dua t’i falënderoj të gjitha vendet anëtare të BE-së për mbështetjen e tyre pa rezerva për këtë proces që do të fillojë gjatë presidencës aktuale, me Portugalinë ose presidencën e ardhshme me Slloveninë”, shtoi ai.

Forumi Ekonomik i Shkupit i titulluar ”Agimi i Ri: Vendosje e themeleve të stabilitetit dhe prosperitetit” është një iniciativë e Forumit Ekonomik të Delfit./ata