Wizz Air sjell avionin e pestë në TIA: Nisin fluturimet direkte drejt Barcelonës dhe Këlnit

Wizz Air, linja ajrore me rritjen më të shpejtë në Europë njoftoi sot vendosjen e avionit të 5-të në bazën e saj në Tiranë. Avioni i ri do t’i bashkohet flotës së Wizz Air me bazë në Tirana International Airport (TIA), duke mundësuar fillimin e fluturimeve direkte nga TIA drejt Barcelonës në Spanjë dhe Këln në Gjermani.

Në më pak se dy vite pas krijimit të bazës së Wizz Air në Tiranë, njoftohet shtimi i flotës së Wizz Air me 5 avionë dhe me 2 destinacione shtesë, ku operohet me tarifa të ulëta që lidhin Shqipërinë me pjesën tjetër të Europës. Wizz Air e lidh tashmë Tiranën me 29 destinacione të Europës.

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi i pranishëm në ceremoninë e mbajtur në Rinas tha se Shqipëria është në vëmendjen e turistëve të huaj.

“Duhet të bashkojmë forcat të gjithë ne, që të rrisim standardet e cilësisë së shërbimit, që nga porta hyrëse dhe deri tek plazhet apo qendrat historike shqiptare. Me marrjen e menaxhimit të ri të aeroportit, duket që ka një lehtësim të të bërit biznes, me tarifa më të negociueshme me kompanitë ajrore që kanë interes për Shqipërinë, fakt ky që nxit konkurrencën e lirë dhe të ndershme, ku përfituesi është pasagjeri”, tha ai.

Shqipëria, tha KLosi, sot mund të shënojë pa dyshim një konkurrencë të hapur me vendet e rajonit për të rritur numrin e turistëve të organizuar, nëpërmjet shtimit të portave të saj hyrëse, si aeroporti i ri i Kukësit, menaxhimit me metoda të reja të aeroportit të Rinasit, fillimin e punimeve për aeroportin e Vlorës, forcimin e portave hyrëse nga Deti dhe nga Toka. Kjo tha ai, për të shkuar me shpejtësi në objeksionin tonë 10 milionë turistë në 2-3 vitet e para të këtij mandati qeverisës.

Shefi i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Constantin von Alvensleben tha se fakti që Wizz Air stacionon pesë aeroplanë në Tiranë është një shenjë e madhe e besimit për këtë aeroport dhe rezultat e disa viteve të bashkëpunimit të suksesshëm.

“Ky hap ofron një perspektivë të re për Shqipërinë duke e afruar vendin me Evropën. Jam i kënaqur të njoftoj angazhimin tonë për të vazhduar bashkëpunimin me Wizz Air për një zhvillim thelbësor që do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, pas pandemisë dhe gjithashtu do t’u ofrojë konsumatorëve një gamë të gjerë destinacionesh të përballueshme me çmime të ulëta”, u shpreh ai.

Drejtori Komercial i Wizz Air, George Michalopoulos, informoi edhe për nisjen e dy rrugëve të reja për në Barcelonë dhe Këln. “Në tre – katër vitet e ardhshme ne do ta dyfishojmë flotën tonë të bazës së Tiranës dhe ky zhvillim parashikon lëvizjen e rreth 5 milionë pasagjerëve me Wizz Air, destinacione të reja nga Tirana dhe standard të lartë shërbimi.

Ky është një zhvillim i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për aeroportin dhe për ne”, tha ai.
Linja ajrore ka transportuar më shumë se 2 milion mijë pasagjerë nga dhe drejt Shqipërisë që kur ka shkelur në tregun vendas.

Linja ajrore ka transportuar më shumë se 2 milion mijë pasagjerë nga dhe drejt Shqipërisë që kur ka shkelur në tregun vendas.

Biletat tashmë janë në shitje në wizzair.com dhe në aplikacionin celular të linjës ajrore me çmime që fillojnë nga 19,99 EUR

Destinacionet Ditët Çmimi Fillon
Tirana – Barcelona Enjte, Shtunë 29.99 EUR 31 Korrik 2021
Tirana – Këln Enjte, Diel 29.99 EUR 1 Gusht2021