10 vite burg për ish-policin që vrau Klodian Rashën, reagon babai i tij: Kjo nuk është drejtësi, krimineli "veshi" petkun e viktimës.

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 10 vite burg Nevaldo Hajdarajn, efektivin e Shqiponjave që vrau Klodian Rashën në 8 dhjetor të vitit 2020.

Dënimi fillestar ishte me 15 vite burg, mirëpo për shkak të gjykimit të shkurtuar, u hoqën pesë vite.

Gjatë seancës së sotme, avokati i Hajdarajt kërkoi ndryshim të veprës penale, nga “Vrasje me dashje” në “Vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” si dhe kërkoi të dënohet në minimum.

Në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë, avokati i Hajdarajt kërkoi që klienti i tij të dënohet në minimum, duke shprehur pendesë për veprimin e kryer nga ish-polici.

Pas vendimit të dhënë nga togat e zeza, babai i viktimës, Qazim Rasha u shpreh i indinjuar lidhur me dënimin e dhënë, teksa shtoi se vetëm kjo nuk mund të quhet drejtësi.

“Kur çdo gjë është e qartë, e zbardhur dhe çdo gjë është fushës, edhe me një të rënë të lapsit njëherë jep gjykim të shkurtuar, pastaj jep këtë tjetrën, kur ai mund të bëhej shembull pasi është shembull ekzemplar që nuk ka ndodhur për 110 vite në këtë shtet. Shteti të bëjë punën e vet. Mendoj dhe shpresoj tek drejtësia e re që po ngrihet, që disa “llumra” t’i fshijë se janë akoma nëpër këmbë dhe absolutisht askush nuk mund ta gjejë të drejtën deri tani”, tha babai i Klodian Rashës.

Klodian Rasha u vra më 8 dhjetor të vitit 2020 nga ish-efektivi i Shqiponjave, Nevaldo Hajdaraj.

Ky i fundit qëlloi pas shpine 25-vjeçarin i cili nuk iu bind urdhrit për të ndaluar pas orës policore.

Fillimisht për Hajdarajn, Prokuroria e Tiranës ngriti akuzën e “Vrasjes në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” por më pas vepra u riklasifikua si “Vrasje me dashje”.

Në deklaratën për mediat që mbajti jashtë dyerve të Gjykatës së Tiranës, Qazim Rasha ngriti një pyetje: “Si mund ta quash këtë drejtësi?” 

Babai i Klodianit e quan njollë të zezë ngjarjen fund e krye. Ai e nis që nga manipulimet që u bënë, duke u munduar ta pikturonin djalin e tij si kriminel, e Nevaldo Hajdarajn si viktimë, e deri tek, siç thotë ai, vendosja për gjykim të shkurtuar “me një të rënë të lapsit”. 

“Sot është momenti (për tu shprehur). Dua tju falënderoj ju nga zemra për punën fisnike që keni kryer që nga dita e parë deri tek dita e sotme. Falë jush shumë gjëra morën rrugë, pavarësisht inskenimeve që u munduan me të gjitha format. Falënderoj çdo person që ka trokitur në derën time nga dita e parë deri sot në ditën e 216, falënderoj çdo qytetar që mbushën sheshet.

Ardhja ime që nga dita e parë ka qenë jo krejt pa domethënie. Ishte një makabritet që e kreu një sekt që çdo lloj epiteti mund të vendosësh vetëm epitetin njeri jo. Ai për të cilin paguan taksa, një lloj huligani, padrejtësisht vret një djalë i ri në rrugicën e shtëpisë së vetë. 

Pavarësisht alibisë, ngjarjes, tragjedisë, arriti deri aty sa viktima të marrë pozicionin e kriminelit dhe krimineli me petkun e viktimës. Është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm themelet e familjes sime, por të m barë shoqërisë, por edhe shtetit. Kjo njollë e zezë nuk do i hiqet. Mesazhi im një, fëmija im iku, u varros, por fëmija juaj, gjaku është njëlloj si i të gjithëve. Mendoja që me këtë rast të shërbejë një shembull për këta që janë gjallë, të shërbejë si simbolikë që edhe ju keni kujdes, ruajini fëmijët tuaj. 

Si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit i jep gjykimin e shkurtuar. Mendoj dhe besoj tek drejtësia e re që po ngrihet. Unë e kam kërkuar drejtësinë që ditën e parë, por me këtë lloj drejtësie nuk besoj se mund ta gjej as unë, askush”, deklaroi Qazim Rasha jashtë dyerve të Gjykatës.