Ambasadorja amerikane Yuri Kim i kërkon PD të distancohet nga Berisha: Tragjike nëse ‘hanë bar’ për hatër të një deputeti

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka dalë në një deklaratë për mediat pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Takimi mes palëve është mbajtur në selinë blu.

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim ka folur prerë pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ndonëse, znj. Kim nuk përmendi emrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ajo tha se kryetari Basha do të duhet të mendojë për deputetët që do ta shoqërojnë në Parlamentin e ri që do të formohet në shtator.

Ambasadorja Kim tha se deputetët që do të shoqërojnë kryetarët do të duhet “vërtetë që të meritojnë përfaqësimin e Shqipërisë” dhe se do të ishte “ironike dhe tragjike” nëse PD do të sakrifikonte për një deputet të saj.

“Do të jetë e rëndësishme që PD të mendojë për këtë çështje. Do të ishte një ironi historike dhe po aq tragjike nëse partia do të duhet të hajë barë për hatër të një deputeti të saj. Shpresojmë që partia do të ecë përpara që bashkëpunim ynë të ecë përpara sepse e ardhja është në fakt në pritej të saj. Ka vendime të vështira përpara për të gjithë”, u shpreh znj. Kim.

Ambasadorja amerikane tha se takimi i mbajtur sot me z. Basha ishte vazhdim i takimit me Zv. Ndihmës Sekretarin amerikan, Philip Riker duke nënkuptuar se kërkesa për t’u distancuar nga z. Berisha është bërë në fund të qershorit.

Pas takimit me Bashën, Kim tha se rikthimi i PD në Parlament është një lajm i mirë dhe ndaj shtoi se PS duhet të ngrihet mbi interesat e saj partiake. Yuri Kim foli edhe për raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit duke thënë se SHBA mbështesin përmirësimin e zgjedhjeve dhe demokracisë në Shqipëri.

Ish-kandidati për kryetar të PD, Fatbardh Kadilli në një reagim në Facebook pas deklaratës së ambasadores Kim thotë se kjo është një çështje që zvarritet prej kohësh nga PD. Sipas tij është e papranueshme që Basha “pas këtij takimi, të kryejë veprime dhe të marrë vendime të detyruara vetëm e vetëm për të ruajtur karrierën apo karrigen”.

Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli ish-kryeministrin Sali Berisha person “non grata” më 19 maj. Pas këtij vendimi, ish-kryeministrit Berisha dhe familjarëve të tij nuk do t’i lejohet pajisja me vizë për në Shtetet e Bashkuara. Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken përmes një postimi në Twitter tha se ky vendim u mor nga Uashingtoni zyrtar “për akte korruptive që cenojnë demokracinë në Shqipëri”.