Ç’ka na thonë gurët e varreve të Srebrenicës?!

Albin Kurti*
Sot po e mbështesim një rezolutë me rastin e 26 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës.
Ky është veprimi fisnik e i duhur, jo vetëm në emër të Kosovës, të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera që i përfaqësoni, por mbi të gjitha në emër të universales tonë njerëzore, dëshirës sonë për paqe dhe drejtësi. Srebrenica është masakra më e madhe e ndodhur në kontinentin Evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Dënimi i krimeve gjenocidale, të cilin po e bëjmë edhe përmes rezolutës së sotme, duhet të jetë i përhershëm, i padiskutueshëm, dhe i kudondodhur, në mënyrë që në të ardhmen ato të mos përsëriten kurrë më.
Përvit ne e kujtojmë Srebrenicën, duke bërë thirrje për drejtësi. Pesë vite më parë, me 11 korrik të vitit 2016, unë shkova për homazhe në Srebrenicë, i ftuar nga Lëvizja e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës, si dhe nga kryetari i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit.
Srebrenica ishte e mbushur me varre e me përkujtimore. Çka i thonë botës, çka na thonë ne, ato varre të gurta?
Së pari, gurët e varreve ankohen për mungesën e trupave. 8372 burra e djem boshnjakë, shumica myslimanë e një pakicë katolikë, janë vrarë prej ushtrisë e paramilitarëve serbë. Por më pak se 7000 trupa janë identifikuar e janë vënë të prehen në varrezat memoriale të Potoçarit. Cilët janë ata kriminelë që nuk u mjaftuan me vrasjen, por bëjnë krim mbi krim, duke mos treguar se ku i kanë hedhur trupat e të vrarëve? Ç´është kjo mizori, që i lë nënat, gratë, motrat e vëllezërit, fëmijët e atyre burrave, edhe sot pas 26 vitesh, pa një varr për të qarë?
Së dyti, gurët e varreve ankohen për mungesën e ndëshkimit të fajtorëve. Milosheviqi, kasapi i Ballkanit, vdiq i padënuar. Bashkëpunëtorët e tij, mbi 4 mijë ushtarakë serbë të dërguar në Bosnje dhe Hercegovinë nga Serbia, shumica jo vetëm që janë ende të lirë, por ka edhe të atillë në pushtet politik e vendimmarrës. Sigurisht, ata sot nuk mund të përsërisin më krimet dhe gjenocidin, por bëjnë atë çka munden, duke fshehur trupat e viktimave, ndonjëherë duke fshehur edhe kriminelët, apo duke i lavdëruar ata. Kush i strehoi e i fshehu prej drejtësisë për vite me radhë Karaxhiqin e Mlladiqin? Kush refuzoi t´i dorëzonte tek drejtësia? Kush dëshironte t´i lavdëronte e të emërtonte bulevarde në emër të tyre? Karaxhiqi e Mlladiqi tashmë janë dënuar për pjesëmarrjen në gjenocid, dhe para pak ditësh u dënua edhe Stanishiqi e Simatoviqi, për implikim në krimet e kryera nga Serbia në Bosnjë. Por ende bashkëpunëtorët e tyre në këtë krim me përmasa monstruoze, nuk janë dënuar. Rezultatet direkte të gjenocidit, pra entitetet politike të dala nga spastrimi, siç është Republika Srpska ku kanë mbetur pak boshnjakë, vazhdojnë të funksionojnë, duke e defunksionalizuar Bosnjën. Edhe kriminelët, edhe rezultatet e krimit duhet të dënohen.
Së treti çka na thonë gurët e varreve? Na thonë të kemi kujdes nga ata që nuk guxojnë ta shohin në sy të vërtetën, nga ata që edhe sot e kësaj dite refuzojnë t´i thonë gjenocidit në emër. Të kemi kujdes nga ata që nuk kërkojnë falje për krimet e tyre, sepse ata që nuk e pranojnë fajin e nuk kërkojnë falje, thellë në zemër besojnë se kanë patur të drejtë. E nëse rrethanat ndryshojnë, ata shpresojnë ta përsërisin prapë të njëjtin faj, të njëjtin krim. Ne nuk guxojmë që të lejojmë që kjo të ndodhë. Nuk dëshirojmë ne të fajësojmë gjithë popullin serb, e as nuk dëshirojmë dënim hakmarrës ndaj kujtdo. Por udhëheqjes politike të Serbisë duhet t´i bëhet presion i pandalshëm nga të gjithë gjithandej deri sa të njohë e të pranojë krimet që ka bërë në Bosnjë, Kosovë e Kroaci, të kërkojë falje e të nisë një proces të ndëshkimit të kriminelëve. Politikanët serbë që mbrojnë krimet, nuk i bëjnë shërbim as popullit të vet, as paqes, e as zhvillimit të rajonit, por përkundrazi i pengojnë që të gjitha këto.
Ne sot përkujtojmë, me dhimbje e me respekt të thellë, martirizimin e 8372 burrave e djemve në Srebrenicë, por edhe dhimbjen e mijëra grave të përdhunuara, teksa shpërnguleshin dhunshëm për të krijuar realitetin e ri demografik. Ky krim mori emër, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e sanksionoi si gjenocid.
Për mbi 12 mijë të vrarë në Kosovë, për rreth 20 mijë gra të dhunuara, për gati 1 milion të dëbuar me dhunë prej Kosovës, ne kemi krimin, dimë dhe autorët, por ende nuk e kemi një emër për krimin e për pasojë as ndëshkimin e duhur për autorët. Ne gjendemi përballë një situate sikurse ajo që e përshkruante Winston Churchilli kur konstatonte krimet hitleriane, gjendemi përballë një krimi pa emër. Është detyrë e jona për kujtimin dhe respektin ndaj viktimave e familjeve të tyre, por edhe ndaj botës mbarë, që t´ia japim emrin e duhur këtij krimi, prandaj qeveria jonë ka filluar me kujdes përgatitjet për padinë për gjenocid, që do ta ngremë kundër Serbisë.
Me dënimin e krimeve, përmes rezolutave si kjo që po miraton sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes padive si ajo që po përgatit qeveria e Kosovës, ne do të kontribuojmë që të mos përsëritet më gjenocidi, as në Srebrenicë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajonin tonë.
E duam paqen vetëm duke kërkuar drejtësinë. Kush e harron drejtësinë, nuk punon për paqe.
Ju falemnderit.
*Fjalimi i Kryeministrit Kurti në seancën e sotme të Kuvendit me rastin e miratimit të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë
© Argumentum.