Dështon takimi i radhës Prishtinë-Beograd në Bruksel/ Albin Kurti: Serbët refuzuan Deklaratën e Paqes pa e lexuar.Vuçiç: Ai është kthyer në shekullin e XIX

Ka përfunduar takimi i dytë mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç i mbajtur sot në Bruksel. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç nuk ranë dakord për asgjë.“Ballafaqimi me të kaluarën”, është pika që i ndan delegacionet kosovare dhe serbe në Bruksel.

Para takimit, shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia t’i qasen në mënyrë konstruktive dhe pragmatike raundit të ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Borrell, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak të hënën ndërmjetësojnë takimin e dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai tha se sot do të vazhdohen bisedime për përparimin e arritur deri më tani dhe “për hapat përpara nesh dhe për mënyrën se si do ta vazhdojmë këtë dialog”. Borrell shtoi se shpreson që ky takim të jetë më i frytshëm, sa i përket rezultateve, sesa takimi i parë, që u mbajt në qershor.

"Kosova dhe Serbia kanë nevojë që përfundimisht të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre. E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shikojmë përpara”, tha Borrell para takimit.

Lajçak: Atmosfera e takimit Kurti-Vuçiq, e tensionuar

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se atmosfera në takimin e së hënës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte “e tensionuar”.

“Takimi ishte i vështirë dhe tregoi qasje shumë të ndryshme ndaj normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Për pasojë, sot kemi bërë shumë pak përparim. Janë diskutuar disa propozime konkrete, por rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë”, tha Lajçak pas takimit.

Ai konfirmoi se ekipet negociuese do të takohen në fund të gushtit dhe se takimi i ardhshëm i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet në shtator.

Kurti: Propozimi për marrëveshje të paqes u refuzua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka propozuar një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por shtoi se ajo u refuzua “ende pa u lexuar”.

“Për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, tha Kurti, pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Të hënën, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u zhvillua rundi i radhës i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Takimi ishte i dyti me radhë midis Kurtit dhe Vuçiqit.

“Kur ishte te dakordimi për një deklaratë të përbashkët, ne ishim dakord për pikën që në fund të muajit gusht të takohen udhëheqësit e delegacioneve tona. Gjithashtu të ketë edhe një takim tjetër në muajin shtator midis krerëve të dy vendeve tona dhe insistuam që aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit, të futet edhe togfjalëshi ‘ballafaqimi me të kaluarën’. Kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga ndërmjetësi [i BE-së, Josep] Borrell, po u refuzua nga presidenti i Serbisë”, tha Kurti.

“Unë nuk e kuptoj se përse do të duhet t’i frikësohemi kaq shumë ballafaqimit me të kaluarën, kur e dimë se problemet i kemi nga e kaluara”, tha ai.

Duke folur për mediat, Kurti tha se zëvendësi i tij, Besnik Bislmi, ka shpalosur në takim edhe “11 barrierat që Serbia ia vendos Kosovës në aspektin tregtar” dhe ka kërkuar eliminimin e tyre, por, shtoi ai, pala serbe nuk ka dashur të dëgjojë as për to.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011. Kurti tha se kjo “stërzgjatje” e procesit vjen për faktin se, për kohë të gjatë, “është evituar thelbi i tij”.

“Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën, mirëpo Serbia nuk dëshiron të diskutojë për këtë temë. Unë e kam theksuar disa herë që, për çështje teknike, i kemi ekspertët. Unë jam lider politik dhe do të flas për çështje politike. Dhe, thelbi është: njohja e ndërsjellë”, tha Kurti.

“Serbia duhet ta njohë Kosovën. Kosova duhet ta njohë Serbinë dhe gjithçka tjetër është pastaj e zgjidhshme dhe e kollajshme”, theksoi ai.

Në takimin e dytë me delegacionin e Serbisë në Bruksel, sot ofruam një Deklaratë të Paqes me gjashtë nene, të balancuar dhe në gjuhën angleze, e cila flet për zotimin për mossulmim të njëri-tjetrit dhe për reciprocitet të të drejtave. Po ashtu, ofruam edhe dëshmi të 11 shkeljeve që i bën Serbia ndaj Kosovës përmes barrierave kundër tregtisë së lirë e që do të duhej të eliminoheshin. U refuzuan të dyja këto.

Për dallim nga ndërmjetësi Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët - Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.

Është për të ardhur keq që nuk arritëm të dalim së paku me një deklaratë të përbashkët nga ky takim. Shkaku ishte që delegacioni serb nuk pranoi futjen në tekst të togfjalëshit “ballafaqimi me të kaluarën”.

Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngusht.

Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për paqe dhe drejtësi, për siguri dhe stabilitet, për demokraci dhe progres. Do të jemi të gatshëm për takime e biseda konstruktive, dhe për dallim nga fqinji ynë verior nuk kemi dilema sa i përket integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

Vuçiq: Takimi me Kurtin, më i keqi në dialog

"Herën e fundit që ishim në Bruksel, mendova se ishte e pamundur të kishim një takim më të keq dhe sot u binda se ishte e mundur", tha Vuçiq pas takimit me Kurtin në Bruksel.

Vuçiç tha se intensifikimi i përpjekjeve të përbashkëta për identifikimin e personave të zhdukur, përmbajtja nga veprimet që potencialisht mund të destabilizojnë situatën në terren, dhe takimet e rregullta njëmujore të kryenegociatorëve si dhe përgatitja e takimeve të nivelit të lartë sipas nevojës, ishin propozime të BE-së gjatë takimit të së hënës.

"Ne nuk u pajtuam për këto tri pika. Serbia i ka pranuar plotësisht ato, pa asnjë kundërshtim. Shqiptarët nuk dëshironin t’i pranonin ato pika dhe është veçanërisht interesante për mua që ata nuk donin ta pranonin atë pikën tjetër, duke u përmbajtur nga veprimet që mund të shkaktonin destabilizim në terren. Thelbi i prezantimit të tyre ishte se Serbia është fajtore për të paktën tri gjenocidet në Kosovë”, tha Vuçiq.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

Raundi i fundit i dialogut është mbajtur më 15 qershor të këtij viti.

Deklarata të Paqes propozuar nga Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti

No photo description available.

No photo description available.

No photo description available.

May be an image of text that says 'ARTICLEVI Final Provisions The present declaration drafted English, Albanian and Serbian languages is signed in presence and witness thereof of the representatives fthe European Union and the United States of America. In the event ofdiscrepancies, the English text is the authoritative one.'

No photo description available.

 

/Argumentum.al