Erdogan bën ofertë për sigurimin e Aeroportit të Kabulit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kërkoi nga Shtetet e Bashkuara mbështetje financiare, logjistike dhe diplomatike, në mënyrë që Turqia ta sigurojë dhe udhëheqë Aeroportin e Kabulit, pasi trupat ndërkombëtare ta përfundojnë tërheqjen nga Afganistani.

Duke folur gjatë një vizite në Qipro, Erdogan tha se Turqia mund ta kryejë misionin - pavarësisht paralajmërimeve të militantëve talibanë - për aq kohë sa Uashingtoni siguron mbështetje.

“Nëse këto kushte plotësohen, ne jemi duke menduar ta marrim përsipër menaxhimin e Aeroportit të Kabulit”, tha Erdogan.

Oferta e tij për të udhëhequr dhe mbrojtur aeroportin vjen në kohën kur militantët talibanë kanë intensifikuar luftimet në të gjithë Afganistanin.

Tërheqja zyrtare e trupave të huaja nga ky vend ka nisur më 1 maj dhe pritet të përfundojë deri më 31 gusht.

Erdogan dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, kanë diskutuar për çështjen e aeroportit në takimin e tyre në margjina të një samiti të NATO-s, muajin e kaluar.

Turqia mban qindra trupa në Afganistan, por militantët talibanë e kanë paralajmëruar Ankaranë kundër ofertës së saj.

Erdogan tha të martën se çështja “do të diskutohet edhe me talibanët”.

Një ditë më parë, Erdogan tha se talibanët duhet “t’i japin fund pushtimit” të Afganistanit dhe se myslimanët duhet të bëjnë paqe me njëri-tjetrin.