Gjendja shëndetësore e Papës është e mirë. Benedikti XVI lutet për të

Qëndrimi i Papës Françesku në spitalin Gemelli, pas operacionit, vijon pa probleme, sipas buletinit të sotëm të Sallës së Shtypit të Vatikanit. Edhe Benedikti XVI lutet për të bashkë me gjithë botën. Papaboys krijojnë një rrjet lutjeje e premtojnë të mblidhen të dielën poshtë dritareve, nëse Ati i Shenjtë e thotë nga spitali Engjëllin e Tënzot

Gjendja shёndetёsore e Papa Françeskut, pas ndërhyrjes kirurgjikale në zorrën e trashë, vazhdon pa porbleme. Papa, i cili ndodhet që të dielën i shtruar në spitalin Gemelli të Romës, ёshtё i qetë e periudha e shёrimit do tё vazhdojё pёr disa ditё.

Ndёrkohё e gjithë bota lutet për shёndetin e Papёs dhe mesazhe urimi i kanë ardhur nga të katër anët, përfshirë Konferencat Ipeshkvnore dhe autoritetet shtetërore të trojeve shqiptare.

Papa i nderit lutet për Françeskun

Edhe Papa i nderit Benedikti XVI është bashkuar me gjithë botën, në lutje për Atin e Shenjtë Bergolgio, siç njofton sekretari i tij personal, imzot Georg Ganswein, njëkohësisht prefekt i Shtëpisë Papnore. “Papa Benedikti – deklaron ai për agjensitë italiane të lajmeve – i drejton një mendim dashamirës dhe lutet jashtëzakonisht për Papën Françesku”.

Papaboys krijojnë rrjetin e lutjes #DajeFrancesco

Ndërkaq, Papaboys, rrjeti botëror i të rinjve për Papën, nisi tam-tamin e kërkesës për lutje përmes grupeve në internet, duke filluar nga Italia e duke u zgjeruar gradualisht në vendet e Amerikës Latine e në gjithë botën. Me një frazë në gjuhën romaneske #DajeFrancesco, që pak a shumë do të thotë “Forca Françesku”, kërkesa për lutje aktivizoi të ashtuquajturat “celula” të Adhurimit Eukaristik, që ofrojnë lutje të vazhdueshme, ditë-natë. Ashtu siç patën bërë edhe për Papën Gjon Pali II dhe për Benediktin XVI, në ditë të vështira, Papaboys u kanë kërkuar të gjithë meshtarëve që njohin, ta thonë meshën për shërimin e shpejtë të Atit të Shenjtë.

Të dielën, poshtë dritares, për Engjëllin e Tënzot

E nëse, ashtu si shenjti polak Wojtila, Papa Françesku do ta thotë lutjen e Engjëllit tё Tënzot të dielën e ardhshme nga dritarja e spitalit Gemelli, papaboys do të jenë të pranishëm në sheshin para hyrjes sё spitalit, në të cilin ndodhet pikërisht shtatorja e Shёn Gjon Palit II e nga ku shihet dritarja e katit të 10-të, ku është shtruar Ati i Shenjtë Bergoglio. “Të lutemi për Papën – shkruajnë në faqen e tyre të internetit Papaboys. – Ai na e kërkon këtë çdo të diel, sot, mund të përgjigjemi me praninë tonë shpirtërore. Është bukur të mendojmë, edhe një herë, pas kësaj kohe të vështirë pandemie, se i gjithë krishterimi mblidhet në lutje të vazhdueshme rreth Pjetrit”./vatikannews