Gjykata Kushtetuese shfuqizon ligjin e përgjimeve në Policinë e Shtetit

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ndryshimin në ligjin për policinë e shtetit që i jepte atribut vetes pa asnjë standard për të bërë vëzhgime masive të qytetarëve pa lejen e Prokurorisë dhe të Gjykatës.

Ligjin e miratuar nga parlamenti, Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit e çuan në Gjykatën Kushtetuese, e cila e rrëzoi ditën e sotme.

Vendimi:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 01.07.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, me objekt:

– Shfuqizimi i nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” (LEXO KETU), të ndryshuar, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

– Pezullimi i zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

– Neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues  “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik.

Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

Pranimin e kërkesave.

Shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 dhe të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar.

Pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Neni 131 i ligjit të Policisë së Shtetit parashikon:

Kur në bazë të të dhënave që disponohen dyshohet se një person ka  kryer një vepër penale ose po planifikon apo po organizon që të kryejë një krim dhe kjo veprimtari nuk mund të zbulohet ose të parandalohet në rrugë e mënyra të tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi, punonjësi i policisë me gradën “Kryekomisar” ose më lart, sipas juridiksionit lëndor, kërkon autorizimin nga prokurori për të marrë masat e mëposhtme:

  1. a) përgjimin e fshehtë ambiental dhe procedural të bisedave të personave në vende publike ose në mjete transporti;
  2. b) përgjimin e fshehtë të bisedave telefonike ose telekomunikimeve të personave, në përputhje me legjislacionin përkatës;
  3. c) përdorimin e pajisjeve teknike për fotografim, regjistrim audio ose video, në përputhje me legjislacionin përkatës.
  4. Përdorimi i masave të veçanta, sipas pikës 1, të këtij neni, lejohet për aq kohë sa ekzistojnë arsyet ose rrethanat që kanë bërë të nevojshëm autorizimin e tyre për përdorim veçmas ose të kombinuar dhe zgjat sipas afateve të vendosura në legjislacionin përkatës.
  5. Kur referimi i veprës penale, për të cilën janë përdorur masat e veçanta, nuk bëhet brenda gjashtë muajve pas përfundimit të përdorimit të masave të veçanta, të parashikuara në këtë nen, i gjithë informacioni i mbledhur si rezultat i përdorimit të këtyre masave asgjësohet, sipas rregullave të përcaktuara nga Drejtori i Policisë së Shtetit.
  6. Kur në vende të veçanta kryhen në mënyrë të përsëritur përgjime ambientale procedurale, me autorizim të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, strukturat e policisë ndërtojnë impiante stacionare të përgjimit ambiental.
  7. Rregullat teknike për realizimin e vendimit të përgjimit ambiental procedural dhe parandalues, si dhe për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impianteve stacionare të përgjimit ambiental përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm.