Jo populizëm me shifrat!

EDITORIAL i ARGUMENTUM

 Mes të tjerash, në fjalën e tij në Samitin virtual të Berlinit më 5 Korrik, Kryeministri Rama përmendi një shifër nga  buxheti i BE-së 2021 - 2027, si  tregues të nënvleftësimit të BE-së ndaj vendit tonë. Sipas tij, Shqipëria përfiton nga ai buxhet 510 Euro për frymë, ndërsa Kroacia 10 herë më shumë ! Duke shtuar frazën « ja që kështu »  të ish Presidentit Trump si «  legjendar » ndonëse vetëm i tillë nuk është. Ca më keq akoma, të përmendësh Trump në një forum europian dhe në Berlin është si të shohësh “një elefant në një dyqan qelqurinash“.

Duke u kthyer te shifra e mësipërme, për një shqiptar të zakonshëm dhe të painformuar ajo lë vërtet shije të hidhur për BE-në, duke shtuar dozën e mosbesimit ndaj saj, sidomos pas shtyrjeve të çeljes së negociatave me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut për shkak të vetos bullgare.

Mirëpo, një referim i tillë i përciptë dhe jo i plotë i shifrave statistikore, sidomos të BE-së nga Kryeministri i një vendi kandidat është i pavend dhe bie era populizëm. Në fakt, kjo shifër tregon dallimin e madh midis një vendi antar dhe kandidat të BE-së; ndaj,  ajo duhet të shërbejë për të na mobilizuar dhe përshpejtuar punën drejt BE-së.

Ndryshe, duke e dhënë kështu të izoluar nga e tëra, 510 Euro për frymë nga BE-ja jep një imazh dhe realitet tejet të zvogëluar të kontributeve të saj financiare ndaj vendit tonë.

Atëhere, si qëndron puna? Ashtu si kanë pohuar dhe ekspertë e diplomatë të njohur  për Argumentum.al:

Së pari, bëhet fjalë për buxhetin e BE-së 2021 - 2027 prej 2,4 trilion Euro. Të destinuar kryesisht për vende antare të BE-së, dhe deri në një farë mase dhe për ato kandidate. Veçse fondet e tij nuk jepen si ndihma humanitare dhe “për frymë“ por mbi bazën e studimit dhe verifikimit të kërkesave dhe përparësive të secilit vend antar të BE-së deri në miratimin përfundimtar nga Samiti i BE-së. Pra, ka të tjera kritere për Kroacinë dhe të tjera për vendet kandidate, diçka fare normale.

Është e vërtetë se Shqipëria  është shumë më nevojtare se Kroacia, na duhen shumë më tepër fonde, projekte dhe programe, me qëllim që të ngushtojmë hendekun që na ndan nga BE-ja. Mirëpo, dhe  këtë aspekt jetik me vendet kandidate, BE-ja e ka zgjidhur me kohë; sepse krahas buxhetit të lartpërmendur, ajo ka shumë fonde dhe programe të tjera gjigande  me emra tashmë të njohur për ne dhe rajonin - PHARE, CARDS, ERASMUS, CROSS-BORDER, CREATIVE EUROPE, etj; për të ardhur te i famshmi IPA ose  “Instrumenti i Para -Aderimit  Pre-Accession Instrument) që nga viti 2007 ka zëvendësuar gjithë të tjerët.  Kjo në planin shumëpalësh, sepse vendet antare, përfshirë Kroacinë, kanë dhe ato fonde e programe dypalëshe ndihme me vendin tonë.

BE-ja gjatë 30 viteve të fundit  ka akorduar miliarda Euro për çdo fushë dhe sektor  të jetës në vendin tonë, duke filluar nga politika, parlamenti, drejtësia, policia, gjyqësori, shteti i të drejtës, shoqëria civile,  media,  arti, kultura, etj; po ashtu në infrastrukturë, rrugë, autostrada, shkolla,  mbrojtje mjedisi, tatime, dogana, etj. Kështu, vetëm vitin e kaluar IPA na ka akorduar rreth 2 miliard Euro.

E megjithatë, kjo është vetëm gjysma e tabllosë. Për të mos e lodhur lexuesin me shifra maramendëse, po përmendim vetëm fondet që BE ka miratuar muajt e fundit për vendin dhe rajonin tonë. Pas Tërmetit të 26 Nëntorit, në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve në Bruksel më 15 Shkurt,  me nismën e Komisionit Europian na u dhanë 1,15 Miliard Euro; tjetër gjë se sa janë shrytëzuar, sepse kjo varet nga kapacitetet tona administrative. Më tej, megjithë vonesat dhe mangësitë fillestare të justifikueshme pas shpërthimit të COVID - 19, BE dha 3,3 Miliard Euro për të 6 shtetet e rajonit, veç 160 milionë Euro për vendin tonë për blerjen e vaksinave, etj. Po vjet dha 9 Miliard Euro për  investime dhe tani së fundi 20 miliard Euro të tjera në formë kredish të buta për Ballaknin Perendimor.

Si përfundim, mjafton një llogaritje e thjeshtë matematikore për të parë se vendi ynë dhe çdo shtetas i tij përfiton nga BE-ja më shumë në “cash“ dhe “në natyrë“ se sa një kroat, sloven, belg, etj.

Në fakt, shqetësimi më i madh nuk është sa,  por si, ku dhe kur thithen dhe realizohen këto fonde, sa efektive, me leverdi dhe të prekshme janë ato për njeriun e thjeshtë. Këtu janë dobësitë dhe rezervat më të mëdha, ku sërish kemi ndihmën e BE-së, sepse administratës sonë i mungojnë kapacitetet përkatëse teknike prapë për fajet tona të njohura.

Shqetësimi tjetër i madh është se sa i kanë shërbyer gjithë këto ndihma gjigande në radhë të parë demokracisë, shtetit të së drejtës, shoqërisë civile, barazisë gjinore, reformave dhe fushave të tjera shoqërore. Pa këto komponentë jetikë dhe dallues demokratik, kullat, portet, autostradat, infrastruktura në përgjithësi, sado e rëndësishme, do të humbisnin frymën  dhe dobinë e tyre.

Ndryshe, të bësh referime të tilla shifrash në këtë formë është puro populizëm. Ca më tepër kur i shoqëron me kunja, insinuata, thumba dhe aludime negative ndaj BE-së. Ndaj, qeveritarët tanë të tregohen të kujdesshëm në samite të tilla,  që të mos shkojnë deri aty sa që pohimet e tyre të “ngjajnë si dy pika uji“ me ato të populistëve dhe Euro-skeptikëve.  Ata mund të bëjnë kritika dhe vërejtje në fusha të tjera, duke përfshirë dhe vonesat në çeljen e negociatave, ama vetëm 3 vitet e fundit, sepse deri më 2018 ato i ka shkaktuar vetë klasa jonë politike me “zullumet“ dhe  kusuret e saj. POR, në drejtim të shifrave për para dhe fonde, nuk kemi pse qortojmë BE-së, por vetëm t’i themi një  “Thank You“ të madh!

/argumentum.al

© Argumentum