Kosova miraton rezolutën që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë. Rezoluta u iniciua nga koalicioni boshnjak ne Kuvendin e Kosovës, Vakat. Deputetët e Listës Serbe lëshuan sallën para kësaj pike të seancës.

Në bazë të rezolutës, dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera. Rezoluta po ashtu fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë të Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpallet ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se miratimi i rezolutës për Srebrenicës është “veprim fisnik dhe i duhur”. Ai tha se kjo ishte masakra më e madhe në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe sipas tij, duhet të bëhet dënimi i krimeve të tilla gjenocidiale, me qëllim që veprime të tilla të mos përsëritën në të ardhmen.

Sipas Kurtit, padia për gjenocid ndaj Serbisë, që po përgatit Kosova, do të kontribuojë që në të ardhmen të mos përsëriten ngjarje siç ndodhën në Srebrenicë.

“Ata që nuk e pranojnë fajin e nuk kërkojnë falje, thellë në zemër besojnë se kanë pasur të drejtë”, tha Kurti.

Lista Serbe tha se deputetët e saj e lëshuan sallën plenare, pasi kundërshtuan që t'i japin “legjitimitet qëllimeve të institucioneve të Kosovës për t’ia ngjitur popullit serb etiketën e gjenocidit”.

Sipas kësaj partie, "rezoluta e propozuar nga deputetët boshnjakë dhe e mbështetur nga të gjithë deputetët shqiptarë, njëanshëm dhe pa asnjë bazë sulmon popullin serb, shtetin serb dhe kërcënon marrëdhëniet ndëretnike”.

“Ajo (rezoluta) nuk përmend me asnjë fjalë krimet ndaj serbëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci ose Kosovë ", thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Drtion Selmanaj ftoi edhe shtetet e tjera që ta dënojnë gjenocidin në Srebrenicë.

“Ne jemi të bindur që do të vazhdohet edhe më tutje nga shtetet e tjera demokratike që të dënohet fuqishëm akti gjenocidial që ka ndodhur në Srebrenicë”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se përveç gjenocidit të kryer në Srebrenicë, nuk duhet të harrohen as krimet e kryera në Kosovë.

“Në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk duhet të harrojmë dhe të ndalemi së foluri për agresorin dhe regjimin e (Sllobodan) Millosheviqit dhe krimet që ka kryer në këtë vend”, tha Tahiri.

Osmani: Kosova zyrtarizoi qëndrimin karshi gjenocidit serb

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se me miratimin e rezolutës, Kosova zyrtarizoi qëndrimin karshi gjenocidit serb ndaj qytetarëve boshnjakë.

Ajo bëri thirrje që edhe shtetet e tjera të miratojnë rezoluta të ngjajshme.

"Tmerri që ka përjetuar një popull i tërë në Bosnje dhe Hercegovinë, e më pas edhe në Kosovë, të dyja viktima të regjimit gjenocidal serb, duhet t'i thërrasë ndërgjegjes njerëzore që synime të tilla shfarosëse të mos lejohen më në të ardhmen, e mbi të gjitha që të ketë drejtësi për krimet e regjimit të Millosheviqi", tha Osmani.

Me këtë rezolutë Kuvendi e zyrtarizoi qëndrimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës karshi gjenocidit serb ndaj qytetarëve boshnjakë të Srebrenicës. Për më tepër, nëpërmjet kësaj Rezolute, dënohet mohimi i qëllimshëm e publik i krimit të gjenocidit.

Vuçiq: Rezoluta e Kosovës për Srebrenicën - e pritshme

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka reaguar pas këtij votimi duke thënë se ka qenë e pritshme nga Kuvendi i Kosovës, por shtoi se është befasuar që një rezolutë të tillë e ka miratuar edhe Kuvendi i Malit të Zi.

“Rezoluta të tilla do të vazhdojnë. Ne mund t'i shmangim ato në disa parlamente, falë marrëdhënieve miqësore, por disa do të vazhdojnë me abuzimin politik të serbëve”, u tha Vuçiq gazetarëve gjatë një vizite në një spital të Beogradit.

Kuvendi i Kosovës e miratoi rezolutën para se të shënohet përvjetori i 26-të i gjenocidit në Srebrenicë. Përkatësisht, të dielën më 11 korrik parashihet edhe varrosja e 19 viktimave të gjenocidit.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.

Më 8 qershor 2021, gjykatësit e Kombeve të Bashkuara e mbështetën dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladiq për gjenocidin në Srebrenicë dhe mizoritë tjera gjatë gjithë luftës së Bosnjës më 1992-95.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm, i shpallur nga shkalla e parë më 2017, për rolin e tij në vrasjen e rreth 8.000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë.

Më 17 qershor, Parlamenti i Malit të Zi miratoi një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës.

Parlamenti gjithashtu shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Në anën tjetër, në Kuvendin e Serbisë janë dy rezoluta në lidhje me Srebrenicën. Në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim, kurse tjetra si gjenocid. Diskutimi mbi rezolutat ende nuk është futur në rend të ditës atje.

Maqedonia e Veriut ka miratuar rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në vitin 2010.

Ndërsa Shqipëria deri më tani nuk ka miratuar ndonjë rezolutë të ngjashme./REL