Liderët shqiptarë urojnë 245-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

Më 4 korrik, personalitete të politikës shqiptare dhe asaj kosovare kanë zgjedhur të urojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 245-vjetorin e pavarësisë.

Me këtë rast Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka postuar në faqen e tij në Facebook, flamurin amerikan me shkrimin “Gëzuar 4 korrikun Amerikë”.

Presidenti, Ilir Meta i është drejtuar me një letër presidentit të SHBA, Joe Biden ku thekson se miqësia mes dy vendeve ka rrënjë të thella.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha përmes një shkrimi në faqen zyrtare në Facebook ka uruar miqtë e tij amerikanë dhe gjithë kombin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në urimin e tij për SHBA shprehet se Deklarata e Pavarësisë “vazhdojnë të frymëzojnë popuj e individë anembanë botës”

Një urim nuk ka munguar dhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila e ka konsideruar këtë ditë si kujtim të rolit të Amerikës në jetësimin e synimit për të jetuar të lirë.

“Historia ka dëshmuar se në momentet më të vështira për kombin tonë, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e së drejtës sonë, duke u rreshtuar përkrah nesh në përpjekjet tona për liri,” – shkroi Osmani.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi uroi Presidenten e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Duke e cilësuar 4 korrikun, si një ngjarjeje madhore jo vetëm të historisë së SHBA-së, por edhe të historisë dhe zhvillimeve botërore, Ruçi shprehu krenarinë për bashkëpunimin mes tyre dhe bindjen për thellimin e këtij bashkëpunimi.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj uroi gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa tha se Shqipëria dhe SHBA-ja kanë një lidhje shpresash dhe aspiratash.