Misioni i dështuar!

EKSKLUZIVISHT  PËR ARGUMENTUM

 Nga  Dr. Jorgji KOTE

Më 11 Shtator, plot 20 vjet pas atentateve terroriste mbi kullat binjake në  Nju Jork përfundon zyrtarisht tërheqja e 7500 trupave të fundit nga Afganistani të koalicionit prej 36 vendesh që ka filluar disa javë më parë. Me këtë rast u deklarua nën zë se “Misioni u krye“! Por, cili mision? Ai për vendosjen e paqes, sigurisë, stabilitetit në Afganistan dhe përreth tij?  Shpartallimi i talibanëve dhe qeverisja demokratike në Afganistan? Apo çfarë?

Do ta dëshironim këtë të gjithë, por siç pohojnë shumica dërmuese e politologëve, ekspertëve ushtarakë e mediatikë, nuk bëhet fjalë për fitore. Por për një mision të dështuar e të paralajmëruar; sepse problemi në Afganistan ishte dhe mbetet mbi të gjitha politik, social dhe ekonomik e për pasojë, nuk mund të zgjidhej vetëm apo kryesisht me ushtri dhe armë.

Për fat të keq, forcat e koalicionit ndërkombëtar të kryesuara nga SHBA-të nuk mundën të ndërtonin strategjinë e duhur politiko-ushtarake “të daljes“ me sukses nga Afganistani.

Për pasojë, atje kemi një qeverisje të dobët, të paqëndrueshme, korrupsion galopant, drogë dhe krim të përshkallëzuar, ushtri vendase të dobët dhe të pamotivuar; përballë talebanëve që ende pa u larguar trupat ushtarake  perendimorë po mësyjnë të rimarrin  zona të tëra dhe më të mëdha si mbi 20 vite më parë. Ndonëse morali i ushtarëve afganë deri tani nuk paraqet problem, kjo mbetet për tui parë në muajt e ardhshëm. Madje, ditët e fundit raportohet se 1040 ushtarë afganë janë larguar drejt Taxhikistanit, tendencë që mund të vazhdojë më tej.

Humbjet e trupave perendimore janë në përmasa të shumëfishta dhe të jashtëzakonshme.  Kështu, ndërhyrja 20 vjeçare i kushtoi SHBA-ve 818 miliard dollarë, ndërsa Gjermanisë 13 miliard Euro; gjatë luftimeve janë vrarë mesatarisht  3000 vetë në vit; kanë humbur jetën 69.000 forca të sigurisë afgane, 47300 civilë, 72 gazetarë, 4400 punonjës humanitarë, etj.

Se si dhe sa u krye ky mision, e tregon dhe fakti që 240 ushtarët e fundit gjermanë që u kthyen më 30 Qershor në Berlin, nuk doli për t‘i pritur askush, as Presidenti, as Kancelarja, as ministrja e Mbrojtjes, as Bashkia dhe as Këshilli i Qytetit! Ndonëse e meritonin një pritje të tillë, sepse si ushtarë bënë më të mirën përballë më të keqes!

Autori Dr. Jorgji KOTE

Kjo tabllo bëhet dhe më e zymtë, kur mendon se siç raportojnë mediat perendimore,  ata lanë atje 350 përkthyes dhe 2400  punonjës të tjerë civilë afganë- ndihmësa, ekspertë, sekretarë, truproje, etj të ushtrisë së NATO-s; për ta nuk u bë e mundur as sigurimi i lejeve të qëndrimit në vendet perendimore, duke i lënë në mëshirë të fatit dhe të hakmarrjes së paralajmëruar të  talibanëve, sepse sipas tyre  ata “ishin në shërbim të pushtuesve të huaj“.

Mesa duket, SHBA dhe NATO  nuk nxuarrën mësime nga tri ngjarje të ngjashme madhore:

Së pari, edhe trupat sovjetike më 1989, pas një lufte 10 vjeçare u tërhoqën, duke lenë qeverinë e mbështetur prej tyre; mirëpo, ajo nuk e shtyu dot më shumë se 4 vjet, për shkak të krimit, korrupsionit, dhe drogës! Kështu ka shumë gjasa të ndodhë dhe me qeverinë afganistane pas largimit të trupave perendimore.

Së dyti, kjo situatë ngren alarmin për gjendjen e ngjashme  në Mali. A do të vijojnë trupat ndërkombëtare të jenë të pranishme atje, kur në fakt këtë e shfrytëzon rregjimi i korruptuar i atij vendi? I cili madje rrezikon të dërgojë valë të tjera me emigrantë drejt Europës?  Franca e ka kuptuar këtë realitet dhe po i tërheq trupat e saj, me qëllim që të shpëtohet çfarë mud të shpëtohet e jo të ndodhë si në Afganistan.

Së treti, jo vetëm për SHBA-të si kryesuesi i këtij koalicioni, por dhe në vende si Gjermania, e dyta pas tyre, e cila ka angazhuar nga viti 2002 160.000 trupa ushtarake dhe shumë armatime e pajisje të secializuara, me 264 të vdekur dhe 1000 ushtarë të traumatizuar për jetë shtrohet pyetja që përse duhet të mbajnë nën sqetull “ kunguj gjeo-strategjikë“ kur nuk kanë “këllqe“? Ca më tepër që Bundesveri gjerman ka vite që qortohet dhe stigmatizohet për mungesë fondesh, armatim të vjetëruar, difekte serioze e deri te depërtimi i elementëve ekstremistë në rradhët e tij? A mos është më mirë të ndiqet parimi “shtrij këmbët sa ke jorganin“?

Përfundimisht, ndërhyrja ushtarake në Afganistan, ashtu ajo në  Irak dhe Libi,  pa përmendur Sirinë, jo vetëm nuk arriti të vendoste demokracine e pretenduar nga ish presidenti Bush në vitin 2001, por e përkeqësoi dhe më tej situatën kaotike të sigurisë, ku tashmë “nuk e merr më vesh qeni të zotin“! Vërtet ikën Huseini, Bin Ladeni, Kadafi, por tashmë atje sundojnë pasardhësit e tyre, dhuna dhe terrori i pashembullt, aq sa është pak të thuhet se popujt e atyre vendeve “kanë rënë nga shiu në breshër“ Kjo ndodhi sepse këto ndërhyrje ushtarake u bënë të nxituara dhe të sforcuara, pa i dhënë më parë përgjigje të kënaqshme pyetjes madhore “what comes next“ ose “po pastaj, çdo të ndodhë?“

Ja pse, mësimet dhe pësimet e Afganistanit pasurojnë teorinë dhe praktikën në këto fusha, për menaxhimin më të drejtë të situatave të tjera të ngjashme, që të mos ndodhë më që “në vend  t‘i vesh vetullat, t’i nxjerrësh sytë“!  Që të mos ketë më misione të tilla të dështuara apo “fitore si e Piros së Epirit“

/argumentum.al

© Argumentum