Pa këllqe! Samit - simitja e Ohrit! Ballkani në Berlin! “Hallvë e ftohtë”!

Realpolitik “ flash” Nr. 36  

01 - 16 KORRIK 2021

EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 4  ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur  Dr. Jorgji KOTE

***

1.Pa këllqe! Mund të thuhet për  presidencën sllovene të BE-së (  1 Korrik - 31 Dhjetor.) Nga pikpamja gjeografike, e popullsisë, gjeopolitike, “ këllqet”  diplomatike, etj. Ca më tepër që vjen pas presidencës portugeze dhe  gjermane, që megjithë superioritetin e tyre dështuan në disa drejtime kardinale. Programi slloven jep  shpresa dhe premtime për një katalog problemesh të njohura, duke filluar nga mposhtja e pandemisë e deri te  zgjerimi drejt Ballkanit Perendimor. Madje, për këtë të fundit, pas 11 samiteve verore, ajo ka planifikuar një tjetër më 6 Tetor. Vetëm se lidhur me heqjen e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, ajo ka dy pengesa jo të vogla: së pari, problematika e nxehtë rajonale që nuk i le shumë kohë dhe hapësirë veprimi dhe së dyti, vetë Sllovenia është disi e kompromentuar. Kjo mbasi ashtu si Bullgaria para një viti, dhe ajo mbajti të bllokuar pë 5 vite rresht antarësimin e Kroacisë deri më 2013;  kur   hoqi dorë nga vetoja, por jo nga “ gër vëret” me fqinjin e saj. Madje, ai ngërç slloveno-kroat u bë sebep që BE-ja të vendoste si kusht zgjidhjen e çdo mosmarrëveshje dypalëshe ndërmet vendeve kandidate përpara antarësimit në BE; tanimë ky kusht siç dihet është dhe për çeljen e negociatave. Kësisoj, në rast të këmbënguljes së presidencës sllovene ndaj Bullgarisë, kjo e fundit nuk do të ketë për gjë t’ia rikujtojë atë veto Sllovenisë. Nuk po hyjmë pastaj te shqetësimet që ka krijuar qysh në ditën e parë të presidencës Kryeministri slloven, ose “Marshalli Tito” siç e thërasin me qëndrimet negative ndaj medias, gjyqësorit, etj. Por, le të presim dhe të shohim!

2.Samit - simitja e Ohrit! Në rubrikën e kaluar përmendnim me fakte se samitet Në dhe Për Ballkanin Perendimor janë bërë si simitet. Vetëm në 30 ditët e fundit plot 11  të tilla, fizike dhe virtuale kudo. Meqenëse në më të shumtin e herës janë kthyer në show dhe spektakle mediatike, mund të thuhet se ato kanë zëvendësuar teatrot dhe kinot verore. I tillë ishte dhe Samiti i Forumit të Prespës në Ohër më 2 - 3 Korrik. Ndonëse tematika ishte se ç’duhet të bëjë Ballkani Perendimor për BE-në, ndodhi e kundërta; kjo e fundit u thumbua dhe anatemua, sidomos nga Kryeministri Rama; duke e shpallur ata gati gati fajtore për të gjitha “zullumet” e rajonit dhe duke ia venë “ kufirin te thana” se demek nuk na tregon dot BE-ja se çduhet të bëjë rajoni!!

Samiti i Ohrit afron SHBA-në e BE-në për Ballkanin – Gazeta Tema

Në fakt, ajo ta thotë që çke me atë punë, nëse do të hysh atje! Kështu që dhe samit “ simitja” e Ohrit la një shije bajate! Sa për të tjerat, “ fjalë të mira dhe gurë në trastë”!

3.Ballkani në Berlin shkoi  virtualisht nëpërmjet  Samitit të Berlinit  më 5 Korrik,  në kuadrin e Procesit me të njëjtin emër që  mbylli ciklin e parë të filluar më 2014; nismë madhore diplomatike e Kancelares Merkel, me mbështetjen e Francës, Italisë, Austrisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe bashkëpunimin e Polonisë, Kroacisë, Bullgarisë dhe Slovenisë. Le ta themi qysh në fillim se “po, ai  ia ka vlejtur”.  Me mbi 50  programe dhe projekte që dëshmojnë se  ishte reagim i duhur politiko/diplomatic; mbi të gjitha, ai ka ndihmuar për të mbajtur ndezur shpresat e Ballkanit Perendimor te perspektiva e antarësimit në BE.

Risia kryesore e kësaj nisme qëndron në përparësinë ndaj ekonomisë dhe posaçërisht modernizimit të infrastrukturës në secilin vend dhe në rajon si kushte të domosdoshme për kapërcimin e hendeqeve të mëdha me BE-në.

Në Mars 2016 u krijua Fondi  Ballkanik i Investimeve  në Tiranë; ndonëse nuk është bërë ende funksional, megjithë përpjekjet e palës sonë.

Ky Proces ka tentuar të shtrihet sa më gjerë në grupet e interesit, shoqërinë civile, komunitetin akademik, rininë, arsimin, etj.

Nën shembullin franko-gjerman, gjatë Samitit të Parisit më 2016 u vendos ngritja e Zyrës Rajonale Rinore ( RYCO)  Megjithatë, ajo nuk ka ende ndikim të  ndjeshëm në krijimin e  frymës së duhur rinore në rajon.

Merkel për herë të fundit në Samitin e Berlinit - Tv Klan

Gjithashtu, Procesi i Berlinit përcaktoi si objektiv themelor  forcimin/konkretizimin  e dialogut politik dhe bashkëpunimit rajonal në të gjitha fushat.  Por, siç u konstatua dhe në Samitin e 5 Korrikut,  në rajon janë ringjallur dhuna dhe konflikte të të gjitha llojeve brenda dhe ndërmjet vendeve të tij. Ca më keq akoma kur as liderët dhe  as nismat e reja nuk i kanë shpëtuar  mentalitetit të vjetër nacionalist.

Për pasojë, gjendja në rajon nuk ka përmirësime të dukshme krahasuar me 7 vite më parë. Maqedonia dhe Shqipëria kanë  15 dhe 7 vite që presin çeljen e negociatave; për ironi të fatit, në Samitin e Sofjes Nëntorin e kaluar, në kuadrin e këtij Procesi të bashkëkryesuar nga Bullgaria/Maqedonia e Veriut, megjithë thirjen e Kancelares Merkel “ Pajtohuni” Sofja vuri veton ndaj Shkupit për negociatat, duke krijuar një krizë të re me pasoja dhe për vetë BE-në! Edhe dialogu Prishtinë - Beograd ka ngecur prej kohësh në vend, për shkak të qëndrimeve refraktare serbe!

Dukuri tjetër negative  është se vendet e rajonit presin  “magjinë” nga  BE/SHBA-të, por harrojnë të keqen e kanë nga brenda, që dhe pse mund t’i kenë kryer “ detyrat e shtëpisë”  “ notën” ia japin “arbitrat” e BE/SHBA-ve, sepse ne jemi vetëm lojtarë.

4.” Hallvë e ftohtë” ishin zgjedhjet e parakohshme  parlamentare bullgare, të dytat brenda 4 muajve; fitoi partia e yllit televiziv Slavi Triforov me 24 për qind, e ndjekur nga qendra e djathtë e ish - Kryeministrit Borisov me 23,5 për qind;  pas 10 vitesh në pushtet ajo detyrohet “ të zbresë nga kali”. Këto zgjedhje ishin të rëndësishme si vend fqinj dhe antar i BE-së por dhe se nga rezultati  i tyre varet në një masë të madhe fati i vetos bullgare për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut/Shqipërinë. Këto zgjedhje ishin pa zgjidhje dhe me më shumë pyetje se sa përgjigje.

Final Results In Bulgarian Vote Confirm Win For Anti-Elite Party

Triforovi ka përjashtuar mundësinë e qeverisjes me koalicion dhe me 2 - 3 parti të tjera anti-establishment. Ai parapëlqen qeveri pakice, që ta çojë sërish Bullgarinë në zgjedhje të përkohshme, për të siguruar shumicën. Mirëpo, për shkak të zhgënjimit që mund të krijojne zgjedhjet e reja,  atje mund të dalë fitues Borisovi, si “ burrë politik më i zoti”. Në këtë gjendje kaotike, ka fare pak shans për heqjen e vetos bullare; sidomos në rastin e zgjedhjeve të reja, heqja e saj nuk jep, por vetëm heq vota. Ndaj, mbetet të  presim vonë në vjeshtë.

/argumentum.al

© Argumentum