Presidenti Meta vlerëson me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” heroin e 2 korrikut 1991

Me rastin e 31-vjetorit të eksodit masiv të mijëra shqiptarëve, sot Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, heroin e veçantë të asaj dite, Yllbardh Bodinaku.

”Liria ndërtohet mbi guximin. Ndaj ne i jemi gjithmonë mirënjohës z.Bodinaku, por edhe të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët treguan një guxim të jashtëzakonshëm më 2 korrik 1990 për të dhënë dhe një mesazh të madh frymëzimi, për të rrëzuar çdo mur dhe për të kapërcyer çdo pengesë, që na ndan nga Europa e Bashkuar, në çdo kohë”,-shkruan Meta në facebook.

May be an image of one or more people, people standing and crowd

Postimi i plotë

Me rastin e 31-vjetorit të eksodit masiv të mijëra shqiptarëve, të cilët në 2 korrik 1990 u strehuan në selitë e ambasadave të huaja në Tiranë, pata sot kënaqësinë dhe nderin e veçantë t’i akordoj “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Heroit të veçantë të ngjarjeve të asaj dite, z.Yllbardh Bodinaku, i cili me ‘Skodën’ e tij, hyri në historinë e Shqipërisë për aktin e pashembullt të vetëmohimit, trimërisë dhe të guximit qytetar, duke i dhënë një goditje të fortë diktaturës, me shembjen e ‘murit shqiptar të Berlinit”, për të hapur një dritare shprese, guximi dhe lirie për mijëra shqiptarë, pas dekadash terrori dhe izolimi total.

Ëndrra e një Shqipërie si e gjithë Europa vazhdon ende e paplotësuar edhe pas tre dekadash. Ndaj sot është edhe një ditë angazhimi, që të punojmë më fort, me vendosmëri dhe me përgjegjshmëri maksimale për të shlyer këtë detyrim, që i kemi brezit të atyre viteve.

Njëkohësisht, për të përmbushur detyrimin, që kemi ndaj rinisë tonë sot, për të pasur një Shqipëri plotësisht europiane, ku mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre, të lirë dhe me standarde perëndimore.

Liria ndërtohet mbi guximin. Ndaj ne i jemi gjithmonë mirënjohës z.Bodinaku, por edhe të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët treguan një guxim të jashtëzakonshëm më 2 korrik 1990 për të dhënë dhe një mesazh të madh frymëzimi, për të rrëzuar çdo mur dhe për të kapërcyer çdo pengesë, që na ndan nga Europa e Bashkuar, në çdo kohë.

Mirënjohje heronjve dhe guximtarëve të 2 Korrikut!

E ARDHMJA U PËRKET GUXIMTARËVE GJITHMONË