Protesta në Lungomare për muzikën, Rama: Ndotje akustike e tmerrshme, nga 20 korriku muzika deri në 23:00

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën që ka nisur që prej mëngjesit të sotëm në Lungomare nga rreth 90 biznese, të cilët kanë vendosur të mbyllin shërbimin për 24 orë.

Kërkesa e tyre është të shtyhet fasha orare për lejimin e muzikës, por kryeministri Edi Rama thotë se në Lungomare s’ka muzikë, por ndotje akustike të tmerrshme. Në reagimin e tij në Twitter, thekson se zhurma e muzikës nuk mund të fitojë mbi ata që natën duan zhurmën e detit.

Ndër të tjera shtoi se nga data 20 korrik, muzika do të ndalet në orën 23:00, por shton se kush dëshiron të kërcejë e këndojë të gjithë natën, le të bëjë organizim në natyrë ku nuk shqetëson asnjë njeri.

“Protestë në Lungomare për muzikën?

1.Lungomare s’ka muzikë po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetra linja burime menjëherë

2.E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi tē drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit.

3.Siç është lajmëruar, nga data 20 korrik muzika do të ndalet në 23.00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri – si në tërë botën e civilizuar turistike”, shkruan Rama.

Kreu i operatorëve turistik në Vlorë, Vasil Bedinaj përshëndeti njoftimin e kryeministrit, ndërsa tha se tashmë kanë anuluar edhe një protestë masive që kishin organizuar për t'u mbajtur mbrëmjen e sotme, në orën 19:30.

"Përshëndesim edhe vendimin e kryeministrit për zgjatjen e orarit. Ka qenë një gjë që sektori ynë, pas shumë diskutimeve, kemi dalë në përfundimin që duhej bërë kjo gjë., Vlora është një qytet turistik dhe pas një viti shumë të vështirë qoftë për ne dhe qeverinë, por në asnjë moment nuk e ka mbështetur biznesin. Për shmangur falimentimin e subjekteve, duhej kjo gjë. Do të ishte më e udhës që qeveria të detyronte qytetarët të bënin vaksinën në mënyrë që të ecte ekonomia. Reagimi i kryeministrit ishte shumë pozitiv, erdhi në momentin e duhur sepse situata po përkeqësohej, ishte organizuar një protestë më masive në orën 19"30, ne po e heqim këtë si opsion dhe falënderojmë kryeministrin që e zgjidhi këtë ngërç. Jemi ok me këtë njoftim që morëm nga kryeministri", tha ai.

Kujtojmë se bizneset po protestojnë për vendimin e orarit të kufizimit të muzikës deri në orën 22:00 dhe lëvizjet deri në orën 00:00.

Mbrëmjen e kaluar, u zhvillua një aksion policor pasi bizneset në zonën e Lungomares vendosën himnin kombëtar në sinkron me njëri-tjetrin pasi kishte kaluar ora 22:00.

Protesta u pasua me aksionin e policisë që solli katër të shoqëruar, mes tyre edhe një grua.