Rama: Shqipëria eksportuese neto e energjisë dhe zhvillimi i turizmit elitar, prioritete të mandatit të 3-të

Shqipëria eksportuese neto e energjisë si dhe zhvillimi i turizmit elitar ishin dy prej 5 prioriteteve që veçoi sot në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në edicionin e 23-të të “Symi Symposium”, të organizuar në Athinë.

Edicioni i 23-të i “Symi Symposium” u drejtua nga ish-kryeministri grek, George Papandreou dhe në të morën pjesë personalitete të njohura të politikës, ekonomisë e botës akademike ndërkombëtare, të cilët folën mbi sfidat dhe projektet e postpandemisë.

Kryeministri u ndal në 5 prioritetet kryesore gjatë mandatit të tretë, të cilat sipas tij janë energjia, turizmi, infrastruktura portuale dhe aeroportuale, “Korridori blu”, si dhe teknologjia e informacionit.

Shqipëria, eksportuese neto e energjisë në rajon 

Lidhur me energjinë, Rama tha se Shqipëria ka një bazë mjaft të fortë dhe potencial shumë të lartë për të ardhmen, sepse prodhon energji të rinovueshme.

“Prodhimi ynë energjetik mbështetet tek energjia hidrike. Tani po përpiqemi të diversifikojmë energjinë diellore dhe atë të erës. Kemi dy zona të mëdha për energjinë diellore, që natyrisht do të jenë edhe parqet më të mëdha të energjisë diellore në Ballkanin Perëndimor. Kemi edhe disa projekte për energjinë e erës, ku njëri prej tyre është mjaft i avancuar dhe duhet të nisë nga fundi i këtij viti ose fillimi i vitit tjetër”, – tha Rama.

Ai theksoi rëndësinë e projektit për ndërtimin e HEC-it të Skavicës, i cili shërben si një ekuilibrues i të gjitha HEC-eve në vend. “Ajo që ndodh tani është se kur kemi reshje të dendura dhe më shumë ujë sesa mund të përdorim, ne hapim dyert e digave. Kjo krijon përmbytje dhe është e kushtueshme, pasi ka mijëra ha tokë bujqësore që përmbytet dhe shumë dëme që duhen kompensuar, por kur kemi një stinë të thatë e nuk kemi ujë jemi të detyruar të blejmë energji në tregje të tjera me çmime shumë të larta. Ndërtimi i kësaj dige zgjidh këtë problem dhe do të kemi kapacitetin për t’i mbajtur rezervat e për t’i shitur ato kur është më me vlerë”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se me HEC-in e Skavicës dhe investimet shtesë kemi potencialisht mundësinë që të bëhemi eksportues neto të energjisë në rajon.

Zgjidhje të qëndrueshme drejt turizmit elitar

Në fushën e turizmit, Rama tha se “në turizëm ne shohim shumë potencial”.

“Kjo vjen me rreziqe dhe mjaft tundime për të shkatërruar ndërkohë që do të zhvillosh apo të ndërtosh. Po përpiqemi të mësojmë nga gabimet që kanë bërë të tjerët apo që ne kemi bërë gjatë viteve të mëparshme të tranzicionit, duke dëmtuar një pjesë të madhe të bregdetit tonë, por ka ende shumë për të mbrojtur, ndaj po përpiqemi ta mbajmë zhvillimin nën kontroll, duke inkurajuar gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme elitare dhe jo domosdoshmërisht të turizmit masiv”, – tha Rama.

Prioritetet në infrastrukturë, “Korridori blu” dhe infrastruktura portuale dhe aeroportuale

Për sa i takon infrastrukturës, Rama theksoi se duhet të ndërtojmë shtyllën kurrizore të vendit, të famshmin ‘Korridor blu’. “Kjo është hallka që mungon në të gjithë korridorin e BE-së midis Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Njerëzit që vijnë nga veriu zbresin në jug dhe kalojnë në Greqi përmes këtij korridori me standarde të BE-së, që deri tani nuk e kemi”, – tha Rama.

“Kjo, – tha ai, – është diçka që do ta nisim së shpejti. Ne kemi bërë thirrjen e parë për tender publik, por nuk patëm sukses dhe po e rihapim sërish”.

Ndërkohë, Kryeministri theksoi se “jemi në proces të ndërtimit të 4 porteve të rëndësishme turistike”.

“Për momentin nuk kemi asnjë port dhe po e nisim me portin e Sarandës, një ish-objekt ushtarak në anën tjetër të qytetit. Po bëjmë të njëjtën gjë në Vlorë duke e zhvendosur portin tregtar në qytet dhe duke e bërë atë port turistik, ndërkohë që po ndërtojmë një tjetër port tregtar. Të njëjtën gjë po bëjmë në Durrës, ku një grup nga Emiratet e Bashkuara Arabe është angazhuar në një projekt edhe të një shëtitoreje të madhe në bregdet. Gjithashtu edhe në Durrës, do ndërtojmë portin tregtar jashtë qytetit”, – tha Rama.

Ndërkohë porti i katërt, sipas tij, po ndërtohet më në veri të vendit, në Shëngjin që është destinacioni më tërheqës për turistët nga Kosova.

Po ashtu, Rama tha se “kemi ndërtuar aeroportin e dytë në verilindje të vendit në Kukës, dhe do të nisim të tretin në Vlorë”.

“Aeroporti i katërt është në Sarandë dhe mund të krijojë një sinergji me aeroportin e Korfuzit. Korfuzi është praktikisht me një aeroport të mbingopur, ndaj ky aeroport nga ana tjetër, por edhe një organizim i përbashkët mes dy vendeve mund të jetë një gjë shumë e mirë”, – shtoi ai.

1 miliard euro eksporte në bujqësi

Zhvillimi i bujqësisë së qëndrueshme, sipas Ramës, është një tjetër prioritet i mandatit të tretë.

“E kemi parë që bujqësia ka ndryshuar shumë në rritjen e eksporteve. Kemi shkuar në 400 milionë euro në vit, por duam të arrijmë edhe më tej, duam të shkojmë në 1 miliard euro, pasi kjo do të ishte shumë mirë për ekonominë tonë rurale”, – tha Rama.

Qeverisja elektronike, mundësi për të luftuar korrupsionin 

Zhvillimi i teknologjisë së informacionit, sipas Kryeministrit është një tjetër prioritet i qeverisë gjatë këtij mandati.

“Kjo jo vetëm për të inkurajuar shërbimet publike elektronike, por edhe për të pasur një përparim dhe ecje përpara edhe në aspektin e kodimit. Ne synojmë rritjen sa më shumë të jetë e mundur të mjediseve që ndihmojnë fëmijët e të rinjtë të hyjnë në këtë botë të re”, – tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri informoi edhe mbi vendimin për të përfshirë mësimin e gjuhës angleze nga klasa e parë gjatë këtij viti shkollor.

Rama theksoi se “Shqipëria ja ka dalë të kryejë një ndryshim shumë të shpejt sa i takon qeverisjes elektronike”.

“Gjatë periudhës së pandemisë kjo na shpëtoi, pasi kishim shumë shërbime online dhe mundësi për të ndërvepruar me njerëzit. Tashmë jemi në fazën e finalizimit të operimit të shërbimeve plotësisht online për njerëzit, për të mos pasur më nevojën për zyrat e shërbimeve. Ne duam të kalojmë në këtë fazë duke mbyllur zyrat e shërbimeve. Nuk do ketë më zyra shërbimesh në vend. Çdo shërbim është në xhepin tënd, në telefon, në kompjuter dhe kjo është shumë e rëndësishme që të eliminojmë korrupsionet e vogla që janë shumë shqetësuese në vendet tona, por edhe në rajon”, – tha ai.

Bashkëpunim rajonal, për të rritur tregjet tona

Kryeministri Edi Rama nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për të rritur tregjet e të gjitha vendeve.

“Sado më shumë të bëjmë së brendshmi në shtetet tona në rajon, sërish kjo ka kufizimet e veta. Pra, nëse duam që vërtetë të hidhemi në një fazë tjetër të historisë sonë, na duhet bashkëpunimi rajonal. Kjo do të rrisë kapacitetet e tregjeve tona, duke u dhënë investitorëve mundësinë për të pasur hapësira shumë më të mëdha. Po përpiqemi të nxisim lëvizjen në këtë drejtim”, – tha Rama.

Ai theksoi se “qeveritë duhet të punojnë paralelisht në nivel kombëtar dhe rajonal për të parë gjithmonë e më tepër sinergji mes tyre, sidomos kur bëhet fjalë për sektorët strategjikë”.

“Është një shans i madh për ne që të kemi një politikë të përbashkët energjetike dhe që të ecim drejt një vizioni të përbashkët të menaxhimit të përbashkët energjetik. Po ashtu edhe në turizëm”, – tha Rama.