Rama takim me drejtues të Policisë së Shtetit: Zero tolerancë ndaj mungesës së etikës me qytetarët dhe veprimeve abuzive

Kryeministri Edi Rama i cilësoi sot të pajustifikueshme rastet e referuara të mungesës së etikës në komunikim me qytetarët sidomos nga ana e forcave “Shqiponja” dhe patrullat e përgjithshme, të cilat theksoi Rama “shpesh e kapërcejnë edhe vetë rolin e tyre”.

Në takim me përfaqësues të Policisë së Shtetit, Kryeministri Rama tha se, “rritja e rasteve dhe mungesa e etikës në komunikim me qytetarët është domethënëse për ta kuptuar situatën e përgjithshme psikologjike dhe nivelin e përgjithshëm të mobilizimit të forcave të policisë që janë në kontaktin e vazhdueshëm me hallet nevojat e ankesat e qytetarëve”.

“Imazhi shumë pozitiv i ndërtuar dhe konsoliduar në këto vite i Policisë së Shtetit në sytë e qytetarëve nuk mund në asnjë mënyrë të cenohet e aq me pak të lëndohet duke afektuar gjithë Policinë e Shtetit në optikën e opinionit publik”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ky është edhe prioriteti i prioriteteve për të gjithë drejtuesit e rinj të policive vendore që shenjtërinë e uniformës dhe mbrojtjen e imazhit të Policisë së Shtetit duhet ta kenë dritë në syrin e tyre”.

“Policia e Shtetit është botërisht e shikuar dhe respektuar prej disa vitesh si një nga institucionet me besueshmërinë më të lartë dhe synimet etike si dhe lëndimet e imazhit të saj nga rishfaqja kohët e fundit e rasteve të korrupsionit sidomos tek strukturat e Policisë Rrugore janë të patolerueshme”, – tha Rama.

Kryeministri Rama vlerësoi rolin e SHÇBA, ndërsa tha se, “dua ta nxis publikisht SHÇBA që të veprojë shumë më fort ndaj këtyre rasteve”.

Ne, vijoi Rama, kemi rritur edhe në harmoni besoj me pritshmërinë e qytetarëve rolin ndëshkues të Policisë Rrugore ndaj shkeljeve në rrugë.

“Është e papranueshme që kjo të shërbejë si një mundësi e re për të nënshtruar presion mbi drejtuesit e automjeteve për qëllimin e neveritshme të përfitimit të rryshfetit. Është e pajustifikueshme që me gjithë rritjen e forcës ndëshkuese të Policisë Rrugore falë ndryshimeve të fundit në Kodin Rrugor, qytetarët të mos ndiejnë një ndryshim thelbësor në disiplinën e qarkullimit rrugor, ky është fakt”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama theksoi se, “vetë strukturat e Policisë së Shtetit me SHÇBA konstatojnë se në komisariate rastet e denoncimit të qytetarëve nuk trajtohen me përgjegjësinë e duhur dhe në kohën e duhur”.

“Sot, kur ne jemi tanimë në sezon turistik me numrin e lartë të pushuesve që hyjnë e dalin në vend është domethënës të kemi Policinë e Shtetit përmes individësh të padenjë që t’i shkojnë kundër detyrimit të të gjitha bashkive, të çdo strukture të shtetit për t’i pritur e sajdisur të gjithë pushuesit sipas traditës më të mirë shqiptare dhe sipas standardeve të një vendi që pretendon të bëhet kampion i turizmit në Ballkan”, tha Rama.

“Mungesë etike, komunikimi, implikime në veprime abuzive nga personeli policor janë shfaqje të neveritshme, të cilat duhen luftuar pa asnjë kompromis dhe zero tolerancë”, – tha Rama.