"Së bashku në një botë të ndarë"/ Kroaci, Plenkoviç hap Forumin e 14-të të Dubrovnikut: Shqipëria dhe RMV kanë pritur shumë gjatë për fillimin e negociatave me BE-në

Maqedonia e Veriut, por edhe Shqipëria, kanë pritur shumë gjatë për fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE", tha kryeministri kroat

Edicionin e katërmbëdhjetë të Forumit të Dubrovnikut, i cili po mbahet nën titullin "Së bashku në një botë të ndarë", e hapi Kryeministri i Republikës së Kroacisë Andrej Plenkoviç, i cili komentoi rreth paneleve të forumit të sotëm, krizën COVID-it, Ballkanin Perëndimor dhe situatën gjeopolitike.

Plenkoviç shprehu kënaqësinë që pjesëmarrësit e Forumit të Dubrovnikut janë fizikisht të pranishëm në këtë ngjarje përsëri pas një viti pandemie.

Në sigurimin e pajisjeve për të luftuar COVID-19, që mungonte në vendet fqinje, Kroacia u ndihmua nga Kina, tha Plenkoviç, duke shtuar se bashkëpunimi midis vendeve të BE-së përmes ndihmës financiare për vendet individuale anëtare, përfshirë Kroacinë, e bëri më të lehtë trajtimin e krizës financiare të shkaktuar nga pandemia.

Përveç fondeve të rregullta vjetore, Kroacia mori 6,3 milionë euro nga fondi i gjeneratës së ardhshme të BE-së për të ndihmuar shoqërinë kroate të rimëkëmbet në segmente të ndryshme, duke pasur parasysh tërmetet që goditën vendin, tha ai.

Ai shprehu shpresën se Kroacia do të jetë anëtare e plotë e zonës Shengen vitin e ardhshëm dhe e eurozonës në vitin 2023.

Ai gjithashtu iu referua problemeve që kanë lindur në shpërndarjen e sasive të mjaftueshme të vaksinave në vendet anëtare të BE-së dhe shtoi se tani që ka mjaft vaksina, është e rëndësishme që tepricën t'ua dhurojë vendeve fqinje dhe vendeve në zhvillim.

"Kroacia mbështet zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, mbështesim përpjekjet e të gjithë fqinjëve tanë në rrugën e tyre evropiane. Ne dëshirojmë që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të gjejnë një zgjidhje për problemet aktuale sa më shpejt të jetë e mundur, sepse ne mendojmë se Maqedonia e Veriut, por edhe Shqipëria, kanë pritur shumë gjatë për fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE", tha kryeministri kroat.

Ai theksoi se Kroacia mbështet reformën e procesit zgjedhor në Bosnjë dhe Hercegovinën fqinje, e cila mbështetet nga SHBA-ja dhe BE-ja dhe që do të jete në përputhje me Marrëveshjet e Dejtonit, tha ai.

"Të tre popujt konstituivë duhet të jenë të barabartë. Nuk jemi të kënaqur me praktikën zgjedhore që bëhet që nga viti 2006, këtë e themi hapur para të gjithëve, nuk është e dobishme për funksionimin e mirë të BeH-së", tha Plenkoviç.

Ai shtoi se pret që reformat të vazhdojnë dhe përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës.

Sot do të mbahen tre panele diskutimi, mbi gjeopolitikën në botë pas pandemisë, situatën politike në Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimin ekonomik të këtij rajoni përmes Bashkimit Evropian dhe iniciativave të Tre Deteve dhe Kinës 17+1.

Xhaçka në Forumin e Dubrovnikut: Kostoja e izolimit të Ballkanit Perëndimor,  më e lartë se kostoja e integrimit

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në Forumin e Dubrovnikut “Gjeopolitika Post-Pandemike: Së bashku në një botë veçmas”.

Në panelin “Komuniteti Ndërkombëtar dhe Ballkani Perëndimor: Si t’i japim fund karantinës”, ministrja Xhaçka nënvizoi rëndësinë e reformave të ndërmarra në Shqipëri, si pjesë e proceseve integruese dhe transformuese, ndërsa e krahasoi karantinën e popujve për shkak të pandemisë, me karantinën izoluese të vendeve të Ballkanit Perëndimor për shkak të mosmarrjes së një vendimi për zgjerimin nga BE.

Sipas saj, BE duhet të jetë e vetëdijshme se kostoja e izolimit të Ballkanit Perëndimor është shumë herë më e lartë se kostoja e integrimit.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e merituan të merrnin një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Pavarësisht se u premtua kjo datë nuk u dha e nuk dihet ende se kur kjo konferencë mund të mbahet. Megjithatë ne nuk jemi të demovituar. Përkundrazi,  ekziston një motiv i përbashkët midis vendeve të rajonit tonë për të mos ju dorëzuar karantinës së integrimit,  por për të punuar së bashku, me synimin e qartë të ndërtimit të Evropës brenda hapësirës sonë të përbashkët”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Në forumin dyditor të 14-të i Dubrovnikut marrin pjesë dhjetë ministra të jashtëm, kryediplomati i BE-së Josep Borrell dhe Përfaqësuesi i ri i Lartë për BeH-në, Christian Schmidt. Tema kryesore e forumit është ndikimi i pandemisë COVID-19 në marrëdhëniet gjeopolitike dhe ekonominë botërore.

argumentum.al