“Sfidat e Malit të Zi për modernizimin e shtetit”/Abazoviç: “Problemi ynë është patriotizmi i rrejshëm..."

Ditën e enjte, më 15 korrik, Dritan Abazoviç, zëvendës-kryeministri i Malit të Zi zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua me përfaqësuesit më të lartë të shtetit.

Në një takim me studentë të një prej universiteteve në Tiranë, Dritan Abazoviç foli mbi temën “Sfidat e Malit të Zi për modernizimin e shtetit”.

Duke folur për statusin e shqiptarëve në Mal të Zi, Abazoviç tha se popullsia shqiptare sa po vjen e po tkurret gjithnjë e më shumë.

Problem ynë është një patriotizëm i rrejshëm. Mburremi me kombësi, rrahim gjoksin etj. Rezultati i kësaj është rënia e popullsisë shqiptare, nga 7% që ka qenë në 2001, në 4.9% në 2011. Politika ka pasur si qëllim vetëm të marrë poste dhe jo të krijojë kushte. E para, duhet të ulen tensionet. Duhet të hyjmë në sfidë për të treguar se mundemi të bashkëpunojmë me të tjerët. Ballkani ka pasur luftëra, ka pasur probleme dhe për rrjedhojë ka paragjykime. Duhet të tregojmë se luftojmë jo vetëm për vete, por edhe për të drejtat e të tjerëve. Të drejtën që e kërkoni për vete, jepuani edhe të tjerëve! Nëse kërkoni diçka që është konform rregullave dhe krejt legjitime, jepja edhe tjetrit.

Ta bëjmë ne hapin e parë, ndoshta duhet të ndodhte e kundërta. Meqë ajo nuk ka ndodhur, ta bëjmë ne hapin e parë, që të bëjnë ata të dytin. E në këtë mënyrë, edhe neve të na perceptojnë ndryshe. Së dyti, duhet të krijojmë kushte jetësore. Jemi në një situatë që njerëzit shpërngulen. Prej gjithë qyteteve në bregdetin e Malit të Zi, vetëm Ulqini është komunë e varfër. E ka madhësinë, hapësirën dhe potencialin më të madh se krejt komunat e tjera. A është kjo prej faktit se aty jetojnë vetëm shqiptarë? Me siguri, 50% është e vërtetë, 50% nuk është e vërtetë.

A na ndalon kush neve të pastrojmë qytetin? A vjen dikush prej Podgorice e na thotë, “mos e rregullo më mirë, mos e promovo më mirë”? A vjen dikush të na thotë, “pse jeni ju 20 parti shqiptare”? Ne duhet të marrim përgjegjësitë tona. A ka lidhje situata me qeverinë? Edhe ka, sa u përket investimeve apo çështjeve të tjera. Por, mënyra sesi ne luftojmë për të drejtat tona duhet të ndryshojë. Duhet të jemi të gatshëm të dalim prej getos. Njerëzit janë të varfër në mendje, jo në xhep, edhe nëse nuk kanë para. Duhet të ndryshojmë vizionin e të kërkojmë gjëra më të mëdha, më megalomane. Si mundet të bëhet Ulqini brand europian? Kjo më intereson mua dhe jo të krahasohemi me një komunë që është pak më mirë se ne financiarisht.

Sa i takon gjendjes së shqiptarëve në Mal të Zi, mendoj se janë rritur kohët e fundit tensionet, por nuk ka të bëjë me pakicat. Sfida do të jetë më e madhe në veriun e Malit të Zi, pasi është duke u zbrazur. Nuk ka zhvillim, njerëzit janë në moshë dhe rinia është larguar. Duhet të bëhen disa projekte infrastrukture dhe projekte zhvillimore për hapjen e vendeve të punës, që të mbahet një pjesë e popullsisë. Drejt veriut po bëhet autostrada. Ndoshta nuk ka për të pasur një impakt të jashtëzakonshëm, por do të ketë sadopak ndikim. Shpresoj që për 10 vitet e ardhshme, Mali i Zi do të jetë shumë më mirë sesa është tani. Në kohët e globalizimit, duhet të ecim më shpejt e të jemi më shtet atraktiv e paqësor për gjithë qytetarët që jetojnë aty, por edhe për ata që vijnë nga rajoni apo bota“, tha Abazoviç