Speciale/ Operacioni ndërkombëtar antidrogë, krerët e policisë dhe prokurorisë shqiptaro-italiane: Luftë të përbashkët krimit të organizuar

"TRAFIK NDËRKOMBËTAR NARKOTIKËSH, KORRUPSION DHE PASTRIM PARASH. D.I.A. DHE SPAK, NË KUADRIN E NJË SKUADRE TË PËRBASHKËT HETIMORE, FILLOJNE ZBATIMIN E  38 ARRESTIMEVE NË SHQIPËRI, ITALI, MALI I ZI DHE SPANJË, SI DHE SEKUESTRIMIVE PREJ DISA MILION EUROSH"

Ngjarja

Një operacion i gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave, i koduar me emrin “Shpirti” po zhvillohet ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe ato italiane.

SPAK ka lëshuar 38 urdhër-arreste, për 10 prej tyre është ekzekutuar masa më parë. Operacioni vijon të kryhet ende përfshirë 4 shtete, Italinë, Spanjën Malin e Zi dhe Shqipërinë.Mësohet se mes të arrestuarve ka prokurorë, drejtues policie si dhe zyrtarë të lartë publik.

Disa miliona euro janë konfiskuar të përfituara nga veprimtaria kriminale e personave të përfshirë.

Në aksionin antidrogë që po zhvillohet nga Anti-Mafia italiane, SPAK dhe Policia e Shtetit janë arrestuar Prokurori i Vlorës, Maksim Sota;  Festim Lelaj, ish-nënkomisar i policisë së Vlorës; Saimir Kurti, drejtori i Zyrës së Punës në Kavajë dhe Shefi i Sektorit të Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme, Ilir Balla. Masat ndaj tyre janë ”Arrest Shtëpie” për shpërdorim detyre.

Ky operacion është vijimi i operacioneve “SHEFI” dhe “KULMI”, të kryera në vitin 2018 e në vitin 2020, ku përmes deklaratave të katër bashkëpuntorëve të drejtësisë, përveç fenomeneve të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe të pastrimit të parave, edhe i gjithë “zinxhiri i prodhimit” të lëndës narkotike që nga kultivimi, prodhimi, mbledhja, magazinimi dhe më pas trafikimi në drejtim të brigjeve të Puglis në bordin e gomonëve oqeanike.

I gjithë grupi i strukturuar kriminale është zbërthyer nga dëshmitë e 4 bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët kanë dhënë informacione dhe kanë ndihmuar në goditjen e rrjetit të krimit.

Me informacionet e tyre, përveç fenomenit të korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave; të penduarit zbardhën edhe zinxhirin e furnizimit me drogë në zonën e Puglias në Itali.

Njoftimi nga SPAK

Autoritetet Shqiptare dhe Drejtoria e Antimafia-s së Barit, me ndihmën e Zyrës Ndërlidhëse të Forcave të Përbashkëta të Tiranës dhe të Drejtorise se Pergjithshme te Policisë Shqiptare, Agjensite e tjera ligjzbatuese, në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore, po ekzekutojnë në Shqipëri dhe në Itali, me vendim Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar në Tiranë e të DDA-së të Barit e – me koordimin e Eurojust-it (Hage) – i drejtuar nga antari  kombëtar i palës italiane, vendimin per caktim masash sigurimi të dhënë nga Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me të cilën ka urdhëruar arrestimin e 38 (nga këto per 10 persona ekzekutuar masa me pare) personave të dyshuar për korrupsion, shperdorim detyre, pastrim parash e trafik ndërkombëtar të sasive të konsiderueshme të lëndevë narkotike. Po zbatohen gjithashtu vendimet e sekuestrimit te pasurive te dyshuara se rrjedhin nga te ardhurat e aktivitetit kriminal apo te ardhura te tjera te paligjeshme, ne vlerë disa milion euro.

Gjatë hetimeve të kryera në Shqipëri të operacionit SHEFI dhe KULMI, të kryera nga DIA e Bari-t në vitin 2018 e në vitin 2020, janë rindërtuar, edhe me ndihmën e deklaratave të katër bashkëpuntorëve të drejtësisë, përveç fenomeneve të korrupsionit, shperdorimit te detyres dhe të pastrimit të parave, edhe i gjithë “zinxhiri i prodhimit” të lëndës narkotike që nga kultivimi, prodhimi, mbledhja, magazinimi dhe me pas trafikimi ne drejtim te brigjeve pugliese në bordin e gomonëve oqeanike të fuqishme.

Të dhëna më të hollësishme mbi operacionin, do të jepen gjatë konferencës me shtypin që do të bëhet sot në Tiranë në orën 10:30, ku do të marrin pjesë dr. Cafiero DE RAHO – Prokuror kombëtar i Anti-mafias e Anti-terrorizmit, Arben Kraja – Drejtues i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionin e Krimit të Organizuar, dr. Filippo SPIEZIA – Zëvëndës President e pjestar për palën e Italisë në Eurojust, dr. Roberto ROSSI – Kryeprokuror i Republikës në Bari dhe zoti Maurizio VALLONE - Drejtori i Pergjithshem i DIA-s Ardi Veliu Drejtori i Përgjithshëm i Policise Shqiptare.

Tiranë – Rome, Hage - Bari -, më 2 korrik 2021

Në videon më sipër, ka pamje nga operacioni italo-shqiptar. Ai është rrjedhë e zhvillimeve hetimore të operacioneve “Shefi” e “Kulmi” ekzekutuar në 2018 e 2020.

Konferenca e perbashket e krerëve të policisë e prokurorisë shqiptare dhe italiane: 

Krerë të policisë dhe prokurorisë shqiptare dhe italiane kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët për mediat lidhur me operacionin ndërkombëtar antidrogë të shtrirë në disa shtete ku janë lëshuar 38 udhër arreste.

Kreu i SPAK, Arben Kraja tha se për operacionin u krijua një skuadër e përbashkët që ka kryer hetime prej një viti e gjysmë.

Kraja bëri me dije se nga hetimet është provuar përfshirja e zyrtarëve publikë, prokurorë, punonjës policie dhe administratorë të pushtetit lokal në aktivitetin kriminal

“Me një shkëmbim informacioni të menjëhershëm e rëndësishme në grumbullimin e provave dhe arritjen e një konkluzioni konkret me ekzekutimin e 28 masave të sigurisë sot nga Gjykata e Posaçme.

I rëndësishëm është hetimi i gjithanshëm që është kryer. Është evidentuar i gjithë zinxhiri, nga prodhimi deri në transportin në Itali të lëndëve narkotike. Është provuar përfshirja e zyrtarëve publikë, prokurorë, punonjës policie dhe administratorë të pushtetit lokal në këtë aktivitet duke favorizuar aktivitetin kriminal. Janë evidentuar dhe sekuestruar pasuri me vlera disa miliona euro vlerë. Gjithashtu, tregues që duhet vlerësuar është përdorimi i bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Janë 4 bashkëpunëtorë që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë hetim”, tha kreu i SPAK.

Prokurori SPAK, Vladimir Mara tha se nga operacioni janë goditur 4 grupe kriminale, të cilët trafikuan 6 tonë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, heroinë dhe kokainë drejt Italisë.

“Gjatë hetimit janë evidentuar episode të shumta të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë e më pas shtrihen në vende të tjera të Europës, kryesisht të lëndëve narkotike të llojit kanabis heroinë, kokainë dhe lëndë të tjera të përpunuara. Janë sekuestruar mbi 6 tonë lëndë narkotike në Shqipëri dhe Itali dhe janë nxjerrë masa sigurimi për 18 persona.

Një element që ka ndihmuar në këtë hetim ishin 4 bashkëpunëtorët e drejtësisë që na kanë dhënë të dhëna të hollësishme. Ata nuk ishin vetëm pjesë e grupeve, por kanë pasur rol të rëndësishëm në këto grupe kriminale. Është dokumentuar i gjithë rrjeti, nga kultivimi deri te mbërritja në Itali.

Janë evidentuar zyrtarë të lartë të përfshirë drejtpërdrejtë në krimin e organizuar dhe përfitues të tij, duke qenë të përfshirë drejtpërdrejt në trafik”, tha prokurori Mara.

Prokurori kombëtar i Antimafies dhe Antiterrorit në Itali, Federico Cafiero de Raho nga ana e tij falenderoi palën shqiptare për kontributin e madh në këtë operacion të suksesshëm, veçanërisht kreun e SPAK, Arbën Kraja i cili siç tha, ka finalizuar operacione të një rëndësie të veçantë që kur është vendosur në krye të Prokurorisë së Posaçme.

Në Shqipëri janë lëshuar urdhër-arreste për prokurorin e Vlorës, Maksim Sota, për të cilin gjykata ka caktuar masën e sigurisë arrest shtëpie; për Festim Lelaj, ish-drejtor policie në Fier; Ilir Balla, shefi i Sektorit kundër Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme, në “arrest shtëpie” dhe Saimir Kurti, drejtor i Zyrës së Punës në Bashkinë e Kavajës.

Shefi i Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho, ka vleresuar bashkëpunimin mes SPAK dhe autoriteteve italiane që kanë konkluduar edhe në suksesin e këtij operacioni të sotëm me lëshimin e 38 urdhër-arresteve.  De Raho tha se sot u arrit një objektiv madhor.

"Dua të përshëndes shefin e SPAK, Arben Kraja, të cilin e komplimentoj. Operacioni që SPAK po çon përpara tanimë nga shumë kohë që kur Kraja ka marrë drejtimin e kësaj zyre janë të rëndësie të veçantë. Dua të nënvizoj se ky operacion ndjek atë të para pak muajve. Dua të them se edhe një herë bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë është veçanërisht intensiv, i ngushtë dhe konstant. Dua të nënvizoj se prej kohësh kemi përgjegjshmërinë të bashkëpunojmë me respektin që lidh dy zyrat për të arritur rezultate të jashtëzakonshme. Sot është arritja e një objektivi që tregon se si bashkë arrijmë të ndjekim edhe aspekte që lidhen me 'pabesinë' e disa institucioneve mbi të cilat vendet tona duhet të tregojnë kujdes të veçantë. Kemi bërë një ndarje konstante të informacionit. Bashkëpunimi ynë Itali-Shqipëri konsiston të forcojmë strukturat që kanë për detyrë të luftojnë krimin e organizuar. Ndaj edhe strukturat duhet të mbështesin. Dua të vlerësoj edhe DIA dhe policinë shqiptare që kanë bërë një detyre të një delikatese të jashtëzakonshme. Është arritur të shkatërrohet një organizatë me një shtrirje ndërkombëtare. Do të vazhdojmë të operojmë së bashku. Arben Kraja me ekipin e tij ka një kapacitet të jashtëzakonshëm në drejtim të hetimit".- tha De Raho.

EUROJUST: Grupet mafioze shqiptare dhe italiane, janë në nivelet më të larta të kriminalitetit botëror

Drejtuesi i EUROJUST për Italinë, Filippo Spiezia, ka thënë sot gjatë konferencës për shtyp mes autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare pas operacionit "Shpirti", është shprehur se lufta kundër krimit ka një rrugë të gjatë përpara pasi grupet mafioze shqiptare dhe italiane janë në nivelet më të larta të kriminalitetit botëror.

"Bashkëpunimi mes autoriteteve italiane dhe shqiptarë ishte një model shumë i lartë. Ky model është perfeksionuar, sepse kemi përmirësuar skuadrën  përbashkët hetimore. Kemi thyer barrierat territoriale midis Shqipërisë edhe Italisë. Është një model edhe në kuadrin europian

Ka një dëshmi të çmuar për të gjithë qytetarët e ndershëm italianë dhe shqiptarë. Pa ndaluar pastrimin e parasë nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.

Puna është shumë e gjatë. Grupet mafioze shqiptare dhe italiane janë në nivelet më të larta të kriminalitetit botëror. Ndaj ky rrugëtim i joni duhet të vijë kështu siç është bërë deri tani", tha ai.

1625216800_Screenshot4.jpg

Po ashtu drejtori i përgjithshëm i DIA, Maurizoi Vallone ka vlerësuar në nivele maksimale bashkëpunimin me autoritet shqiptare në luftën kundër kriminalitetit ndërkombëtar, ndërsa rezultatet e operacionit "Shpirti' i konsideroi si shumë të rëndësishme. Ai ftoi po ashtu hetuesit e BKH për trajnim në Bari të Italisë, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar gjithmonë me autoritetet shqiptare.

"Bashkëpunimi me autoritet shqiptare është në një nivel shumë të lartë, ndihemi si në shtëpi në Shqipëri, hetuesit tanë.  DIA do të jetë gjithmonë krah autoriteteve gjyqësore shqiptare dhe atyre italiane, për të suportuar operacionet investigative ndërkombëtare. Raporti me Shqipërinë është një raport preferencial, rezultatet janë vërtetë të suksesshëm si ky i sotmi. Ju ftojmë për fazën e trajnimit të magjistratëve tuaj dhe oficerëve tuaj këtu në Bari dhe do jemi gjithmonë të gatshëm për të punuar me autoritet shqiptare për të mundur kriminalitetin ndërkombëtarë dhe të organizuar", u shpreh Vallone.

/Argumentum.al