Yuri Kim: Shqiptarët duhet të jenë më kërkues ndaj pushtetarëve,

Ambasadorja amerikane Yuri Kim thotë se institucionet kanë nisur t’i përmbushin përgjegjësitë dhe se qytetarët duhet të jenë më kërkues ndaj të zgjedhurve të tyre.

Nga Pusteci ku ndoqi aktivitetin kulturor “MIK Festival”, ambasadorja Kim tha se reforma po ecën përpara, pavarësisht se jo në shpejtësinë që pritej.

“Mendoj se reforma po lëviz përpara… ngadalë, më ngadalë nga ç’do të donim, por është padyshim një shtysë përpara, […] njerëzit duhet të jenë më tepër kërkues nga qeveria, nga të zgjedhurit e tyre […] Tani është koha që të shtyjmë përpara. Mos u dorëzoni!” – theksoi ambasadorja.

Diplomatja amerikane u kërkoi qytetarëve që të mos heqin dorë së besuari se reforma në drejtësi do ta ndryshojë vendin. E pyetur nga korrespondenti i Euronews Albania Xhensil Shkëmbi nëse me zhvillimet e fundit “po shkohet apo jo drejt peshkut të madh”, Kim u përgjigj se nuk është prokurore.

“Jam diplomate, nuk jam prokurore, nuk jam [as] peshkatare, [as] gjyqtare, unë jam thjesht një diplomate,” – u shpreh Kim teksa shtoi se sipas saj institucionet po tregojnë se po i përmbushin përgjegjësitë e tyre.

“[…] Ato [Institucionet] e dinë se cilat janë përgjegjësitë e tyre dhe mendoj se ata po nisin t’i përmbushin ato. Le t’i mbështesim, të vijojmë të kërkojmë dhe të shohim se ku do të shkojmë!” – apeloi ambasadorja.

Kim tha se përveç reformës, natyra dhe kultura e shqiptarëve japin shpresë se vendi do të ecë përpara.