Zbulohen katër varre në Përmet se aty gjenden trupat e të zhdukurve nga periudha e komunizmit, reagon Presidenti Meta

Katër varre janë zbuluar ditën e sotme në Përmet. Mësohet se varret e zbuluara i përkasin viktimave të periudhës komuniste.

Nga firma ndërtuese e cila merret me shtrimin e rrugës në lagjen e re të Përmetit, ka zbuluar një sipërfaqe rreth 100 metër katrorë në këtë lagje.

Menjëherë janë njoftuar autoritetet policore të cilët më pas kanë rrethuar zonën.

Ndërkohë kreu i shoqatës Anti-komuniste të Përndjekurve Politikë, Nebil Çika ka thënë se vendi ka shërbyer për ekzekutimin e disidentëve dhe kundërshtarëve të regjimit, ndërsa ka qenë hapësirë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Por edhe pse kompania e ndërtimit ka ndalur punimet, Çika tha se nuk ka pasur asnjë reagim nga shteti.

Sipas tij, bëhet fjalë për një skenë krimi dhe duhet të kishin nisur hetimet.

“Janë katër varre që ne dyshojmë se janë të të zhdukurve nga diktatura komuniste, të të pushkatuarve. Kemi gjetur vetëm katër, në fakt dyshohet nga dëshmitarët dhe nga indiciet që të jetë një varrezë shumë e madhe. Pra, edhe ndërtesat që janë ndërtuar këtu, një pjesë e tyre dyshohet që të jenë bërë mbi varre. Në diktaturën komuniste këtu ka qenë një repart ushtarak i Ministrisë së Brendshme, nga ato repartet famëkeqe të ndjekjes që ndiqnin armiqtë e komunizmit, diversantët, ata që arratiseshin dhe deri në vitin 1991 ka qenë qendra më e madhe e stërvitjes së ushtarëve të kufirit për të gjithë jugun e Shqipërisë.

Në bazë të të dhënave që kemi dhe nga arkivi i Ministrisë së Brendshme, por edhe nga dëshmitarët, këto lloj repartesh të izoluara, në varësi të ministrisë së Punëve të Brendshme  dhe të sigurimit të shtetit përdoreshin dhe si vende ekzekutimi për kundërshtarët e regjimit, ata që dënoheshin me vdekje, ata që vriteshin ose kapeshin në kufi, varroseshin në këto vende. Jemi këtu për të denoncuar jo vetëm gjetjen e eshtrave. Dua të falenderoj firmën e ndërtimit të rrugës, e cila është treguar e përgjegjshme dhe e ka rrethuar vendin, ka lajmëruar policinë dhe prokurorinë, ndërkohë që shteti nuk ka marrë asnjë masë. Këtu në bazë të ligjit kemi një skenë krimi. Kemi katër skelete, katër trupa të vdekurish.

Normalisht duhet të ishte skenë krimi, e rrethuar me shenjat e policisë dhe duhet të kishte roje të armatosur 24 orë. Mund të vijë dikush në darkë, t’i marrë, t’i heqë sepse nuk ka njeri. Ka dy javë, nuk ka ardhur askush, nuk ka as urdhër prokurorie për të filluar hetimet, nuk ka ardhur as mjek ligjor, as antropologë, as arkeologë dhe të tjerë persona që duhet të jenë të pranishëm në një skenë krimi. Kjo dëshmon indiferencën e shtetit kur bëhet fjalë për të zhdukurit gjatë diktaturës komuniste”, deklaroi Çika për mediat.

Presidenti Meta ka reaguar pas ketij lajmi duke iu kerkuar instituicioneve shtetërore për zbardhjen me transparencë dhe ndriçimin e së vërtetës.

U njoha për zbulimin në Përmet, sipas të dhënave paraprake, të një varri masiv, ku dyshohet se prehen viktima të represionit dhe terrorit të diktaturës.
I nxis institucionet përgjegjëse shtetërore për zbardhjen me transparencë dhe ndriçimin e së vërtetës.
Të ekzekutuarit padrejtësisht dhe martirët e pafajshëm meritojnë një vendprehje dinjitoze, respektin e plotë dhe nderimin e duhur shtetëror.
Theksoj me forcë domosdoshmërinë, jo vetëm të dënimit të krimeve monstruoze të diktaturës, por edhe gjendjen e të gjitha viktimave të atij regjimi mizor, në mënyrë që shpirtrat e tyre të pushojnë në paqe duke u dhënë njëherë e mirë qetësi dhe ngushëllim familjarëve e pasardhësve të tyre, por edhe të gjithë shoqërisë
”, thekson Meta